• вторник, 15 октомври 2024

Mickoski i prezantoi prioritetet ekonomike të Qeverisë para Odës ekonomike të Gjermanisë

Mickoski i prezantoi prioritetet ekonomike të Qeverisë para Odës ekonomike të Gjermanisë

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka pasur mëngjes pune me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermane në Berlin, ku ka folur për prioritetet e Qeverisë për investime në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e korridoreve kyçe dhe investimet në energjetikë.

"Gjermania është partneri ynë më i madh tregtar dhe ne mbetemi të përkushtuar që të përdorim potencialet për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve tanë. Duhet të bëjmë hapa të mëdhenj përpara që njerëzit të ndjejnë përmirësim pas shkatërrimit afatgjatë të vendit, ka shkruar kryeministri Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk. 

Më herët, në kuadër të vizitës së tij në Berlin, ai mbrëmë imbajti fjalim në Këshillin gjerman për Punë të Jashtme (DGAP).

"Unë fola për qëllimet tona dhe luftën tonë për të stabilizuar vendin. Ne trashëguam një qeveri që e hoqi shtetin nga duart e popullit. Këto 100 ditë të Qeverisë së re, ne punuam 100 për qind të përkushtuar për të siguruar mirësjellje dhe mundësi të reja. Ndër të tjera, ne po përpiqemi gjithashtu të zhbllokojmë procesin e bllokuar të integrimit evropian duke i vendosur shpresat tona në një zgjidhje që do të jetë një bazë e drejtë për ndërtimin e besimit. BE-ja nuk duhet të mbetet një klub i mbyllur, por një bashkësi integruese e prosperitetit dhe mundësive", tha kryeministri i RMV-së.

 

Kjo është dita e dytë e vizitës së tij në Gjermani, pasi dje kryeministri Mickoski pati disa takime me kryeministra të qeverive dhe liderë politikë të përfshirë në procesin e Berlinit. Ai së bashku me kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshirë në procesin e Berlinit, nënshkruan Planin e Veprimit për një treg të përbashkët rajonal për vitin 2025-2028.

Mickoski dje u takua edhe me kancelarin gjerman Olaf Sholc, pas së cilës deklaroi se është konfirmuar mbështetja gjermane për integrimet evropiane të vendit. 

Në delegacionin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Mickoski në Berlin, janë edhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, të Punëve të Brendshme dhe të Çështjeve Evropiane, Timço Mucunski, Pançe Toshkovski dhe Orhan Murtezani. 

Nga shërbimi për shtyp i qeverisë kumtuan se ministri Mucunski do të realizojë takim me Analena Berbok, Ministre federale e Punëve të Jashtme, pas së cilës është parashikuar edhe deklaratë e përbashkët për media.

Mucunski do të realizojë takim edhe me përfaqësues nga menaxhmenti i fondacionit gjerman “Konrad Adenauer Shtiftun”. ls/

Foto: Hristijan Mickoski 

 

 

 

Остани поврзан