18:00/ 9 shkurt/ 2026
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi informoi se gjatë vizitës në SHBA ka realizuar takime shumë të suksesshme, prej të cilave priten efekte pozitive, posaçërisht vizita në Departamentin e Shtetit, ku u bisedua për vazhdimin e marrëveshjes strategjike me SHBA-në. "E dini se mëngjesi i lutjes nuk është vetëm ngjarje, e cila mbahet në ato dy orë, por mundësi e shkëlqyeshme për takime, kontakte, lobim, promovimin e shtetit tonë dhe qëndrimeve tona, arritjen e qëllimeve tona, e tjerë. Posaçërisht ishte e rëndësishme vizita në Departamentin e Shtetit, ku biseduam për vazhdimin e marrëveshjes strategjike me SHBA-në. Tashmë janë në vijim ose në fazën e fundit përgatitjet për raundin e dytë të marrëveshjes për partneritet strategjik me SHBA-në. Po ashtu, në fazë finale është edhe marrëveshja ekonomike mes SHBA-së dhe shtetit tonë", tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.
Shkup - Ekspertja Maja Ravnik nga Fakulteti i Mjekësisë në Maribor të Sllovenisë e cila përgatiti ekspertizën mjekësore për gjithsej 51 dokumentacione mjekësore nga trajtimi i pacientëve në Klinikën e Onkologjisë është marrë në pyetje sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në gjyqin kundër ish drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev i cili së bashku me dy onkologë të tjerë, akuzohet për trajtim neglizhent të pacientëve. Ravnik iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me përshtatshmërinë e terapisë së dhënë pacientëve konkret- rreth 33 të përfshirë në ekspertizë, efektin dhe sigurinë e saj. Pacientja me kancer në vezore, sipas dokumentacionit, është trajtuar me tableta "kapecetabin" të cilat, siç tha Ravnik, nuk jepen në raste të tilla. "Pacientja po trajtohet me kancer në gji, ndërsa kanceri në vezore nuk trajtohet me tableta "kapecetabin". Se ajo ka pasur kancer në vezore është konfirmuar në të dhënat histologjike, të marra më vonë, tha ekspertja Ravnik.
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali sot zhvilloi takim me ambasadoren e Japonisë, Secuko Kavahara. Në takim u theksua bashkëpunimi zhvillimor në vijim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për prioritetet reformuese dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për ofrimin e rezultateve konkrete në kuadër të Agjendës së reformave, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Shkup - Lidhur me rastin e fundit të ushtarëve profesionistë të sëmurë nga sëmundja infektuese zgjebë (scabies), nga ministria e Mbrojtjes informojnë se sëmundja nuk ka origjinën nga kazerma "Alekso Demnievski Bauman" në Veles, siç po i paraqitet opinionit. Ministria gjithashtu apelon që të mos keqpërdoret një rast individual, për të cilin thuhet se nuk është infektuar në kazermë, për të manipuluar opinionin, gjë që gjithashtu shkakton dëm të drejtpërdrejtë në reputacionin e Armatës. Nga ministria shpjegojnë se zgjebja mund të fitohet vetëm nëpërmjet kontaktit me një person të infektuar më parë ose nëpërmjet çarçafëve, peshqirëve etj., të cilat më parë i ka përdorur një person i infektuar. Ata theksojnë se para pritjes së ushtarëve profesionistë në kazermën "Alekso Demnievski Bauman" në Veles, është kryer një rregullim i plotë i hapësirave ku janë të vendosur ushtarët, përkatësisht është kryer një dezinfektim i plotë i hapësirave dhe janë siguruar çarçafë dhe batanije të pastra dhe të lara.
Shkup - Propozimet e reja për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë janë publikuar në sistemin ENER dhe janë në dispozicion për vërejtje dhe sugjerime nga publiku më i gjerë, përkujton Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu, komentet për përmirësimin e përmbajtjes së zgjidhjeve ligjore të propozuara mund të dërgohen edhe në adresat elektronike: komentarizvo@mon.gov.mk për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe komentarizkvon@mon.gov.mk për Ligjin për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë.
Shkup - Drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Faton Fazliu, ka njoftuar avancimin e pesëmbëdhjetë (15) të punësuarve në këtë institucion. Ky hap përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe një vlerësim të merituar për përkushtimin, profesionalizmin dhe punën e palodhshme të tyre ndër vite. Avancimet konsiderohen si dëshmi konkrete se puna e ndershme dhe angazhimi i vazhdueshëm njihen dhe shpërblehen. Ky proces, sipas drejtuesit të institucionit, është një motiv shtesë për të vazhduar me vendosmëri edhe gjatë këtij viti, duke krijuar mundësi të barabarta që çdo punëtor të arrijë titullin që e meriton me dinjitet.
Shkup - Tranzicioni energjetik nuk është vetëm një proces teknologjik, por edhe një transformim i thellë i fuqisë punëtore, në të cilin gratë duhet të kenë një rol të barabartë dhe të dukshëm, tha sot ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në një ngjarje të organizuar në kuadër të projektit ELeVATE (2025-2028), kushtuar inkurajimit dhe mbështetjes së vazjave dhe grave për të zhvilluar karriera në sektorët e teknologjive neto-zero, sistemeve intelegjente të energjisë dhe tranzicionit të gjelbër. Bozhinovska theksoi se gratë në energjetikë ende janë pamjaftueshëm të përfaqësuara. Kjo, konsideron ajo, nuk do të thotë se mungojnë njohuri dhe ambicie, por se ekziston një potencial i pamjaftueshëm që shteti dhe shoqëria nuk duhet ta injorojnë.
Tetovë - Para Drejtorisë rajonale të Drejtorisë për të ardhura publike (DAP) në Tetovë pasdite dhjetëra qytetarë kanë mbajtur protestë për shkak të vendimeve të ndara nga ky institucion për pagesën e tatimit të të ardhurave të fituara në vend të huaj. Argumentet kryesore të këtij grupi të qytetarëve janë se ata kanë qenë 183 ditë në vend të huaj dhe se me këtë nuk janë rezidentë tatimorë. "Ne nuk dëshirojmë t'i paguajmë këto tatime, pasi nuk dëshirojmë t'i paguajmë gabimet e institucionit në këtë rast, gabimin e Drejtorisë shtetërore për të ardhura publike", tha Besir Abdullahi, pjesëmarrës i protestës.
Prishtinë- Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka thënë përmes një reagimi të saj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, thekson Osmani.
Tiranë – Kryeministri shqiptar Edi Rama pas takimit të sotëm me grupin parlamentar të partisë së tij, Partia Socialiste, paralajmëroi ndryshime në legjislacion, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konfirmimin e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku. Përmes një publikimi në Iks informoi për tre konkluzione nga takimi.
Bruksel – Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të njoftohen sot me propozimet e Komisionit Evropian për sanksione shtesë kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, theksoi zëdhënësi i KE-së, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencë për media. Ai theksoi se janë të mundshme ndryshime në propozimin fillestar dhe se përsëri do të nevojitet unanimitet për vendimin. “Shpresojmë që shumë shpejt do të kemi vendim”, shtoi zëdhënësi. Sipas tij, Komisioni ndërmori masa për plotësimin e vrimave të cilat qojnë drejt përfundimit të sanksioneve.
Jerevan - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens mbërriti për vizitë zyrtare në Armeni, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Usha Vens, njoftoi një agjenci armene e lajmeve. Kryeministri armen, Nikoll Pashinjan më vonë sot do të takohet më nënpresidentin Vens, pas së cilës të dy të japin deklarata. Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis Armenisë dhe SHBA-së vitin e kaluar, kompania private amerikane "Rruga e Trampit për paqe dhe prosperitet ndërkombëtar" merr të drejtat ekskluzive për të zhvilluar korridorin e planifikuar midis Azisë dhe Evropës, me Jerevanin që ruan sovranitetin e plotë mbi kufijtë e tij, regjimet doganore, politikën tatimore dhe sigurinë.
Tripoli- Pesëdhjetë e tre migrantë, mes të cilëve edhe dy foshnje, janë të vdekur ose të zhdukur pasi një anije që transportonte 55 persona është përmbytur në bregun e Libisë, kumtoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Anija u nis nga Zavija të enjten dhe u përmbyt në afërsi të Zuvarës të premten, kumtoi IOM, duke iu referuar të mbijetuarve. Zavija dhe Zuvara janë qytete bregdetare në perëndim të kryeqytetit libian Tripoli. Vetëm dy gra nigeriane u shpëtuan gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit të udhëhequr nga autoritetet libiane. Njëra tha se humbi bashkëshortin, ndërsa tjetra tha se humbi dy foshnje në tragjedi", kumtoi IOM. Më shumë se 1.300 emigrantë u zhdukën në Mesdheun qendror në vitin 2025, sipas agjencisë së OKB-së.