12:00/ 14 nëntor/ 2025
Shkup - Nga 25 rastet e pranuara, Komisioni i brendshëm për intervenime kardiake dhe kardiokirurgjikale analizoi 19 raste, nga të cilat në 10 raste u konstatua se operacionet ishin kryer pa nevojë ose pacientët ishin dërguar për operacione pa nevojë, njoftoi sot në konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai theksoi se nga 25 rastet e dorëzuara, komisioni ka konfirmuar se gjashtë duhet të dërgohen në Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH), sepse ai nuk është kompetent. Drejtuesi i komisionit, doktor Zharko Hristovski tha se në këtë fazë fillestare ka analizuar vetëm nevojën e për revaskularizim, d.m.th. tek pacientët që kanë sëmundje vaskulare, ndërsa të gjithë pacientët e tjerë do të analizohen me aplikimin ose gjatë fazës tjetër të punës së tyre.
Veles - A.M. (46) nga Velesi, dje në orën 14:45 në SPB Veles ka raportuar se nga shtëpia është larguar motra e tij 50 vjeçare M.M., e cila ka probleme shëndetësore. Siç informojnë nga SPB Veles, po merren masa për gjetjen e personit.
Kiev – Një person u vra në sulmin e mbrëmshëm rus mbi Kiev dhe rajonin e Kievit, përderisa 21 persona janë lënduar, duke përfshirë edhe një fëmijë 10-vjeçar, njoftoi shefi i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkaçenko. Në orën gjashtë të mëngjesit të sotëm ishte konfirmuar se numri i të lënduarve në Kiev është rritur në 24, njoftoi Shërbimi shtetëror për situata të jashtëzakonshme duke bërë të ditur se më shumë se 40 persona janë shpëtuar, njoftoi Ukrinform. Në rajonin e Kievit janë regjistruar të lënduar dhe dëme të mëdha materiale. Në disa rajone të Kishës Billa shpërthyen zjarre në shtëpi private, ndërsa u dogj edhe një depo, përderisa në Obuhivo u dogj një automobil.
Paris – Pronari i rrjetit social Telegram, Pavell Durov, mund të udhëtojë përsëri, pas vendimit gjyqësor për heqjen e mbikëqyrjes së tij dhe ndalesës për tu larguar nga Franca, njoftoi sot Politiko. Themeluesi i Telegramit ishte arrestuar në Francë në gusht të vitit 2024 dhe akuzohet për disa vepra penale nga krimi i organizuar. Prokurorët e akuzojnë Durovin dhe rrjetin e tij Telegram se refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet në luftën kundër përmbajtjes së jashtëligjshme, duke përfshirë edhe pornografinë e fëmijëve. Pas arrestimit të tij në aeroportin La Burzhe në Francë, gjykata e vendosi nën mbikëqyrje dhe ia ndaloi që të largohet nga Franca.
Londër - Ish shefi i Shërbimit britanik të intelegjencës MI6, Riçard Mur deklaroi se vlerësimet e Shërbimit tregojnë se presidenti rus Vlladimir Putin nuk ka për qëllim të arrijë marrëveshje paqesore me Ukrainën, njoftoi Blumberg. Ai vlerësoi se nevojitet të rritet presioni ndaj presidentit rus dhe se Perëndimi duhet ta rrisë përkrahjen për Ukrainën për ta detyruar atë në negociata. Mur në emisionin "Shou i Mishal Huseinit" në Blumberg, deklaroi se Putini nuk është i gatshëm për marrëveshje nën kushtet e tanishme, duke iu referuar informatave zbuluese, deri tek të cilat ka pasur qasje para disa javëve.
Uashington - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, njoftoi fillimin e operacionit "Shtiza jugore", për të cilën tha se do të ketë si synim "narkoterroristët" dhe do ta mbrojë SHBA-në nga droga që po vret njerëzit. "Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, urdhëroi aksionin, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e zbatoi. Sot e shpall operacionin 'Shtiza Jugore'", shkroi Hegset në një postim në rrjetin social X. Sipas "Aksios", nuk është krejt e qartë nëse Hegset i referohej operacioneve aktuale amerikane në afërsi të Venezuelës dhe më gjerë, ose nëse bëhet fjalë për një mision të ri dhe të zgjeruar.
Pekin- Anija kozmike "Shenzhou-20" është shpallur e papërshtatshme për kthimin e sigurt të astronautëve, kështu që do të mbetet në hapësirë dhe do të vazhdojë eksperimentet shkencore, bëri të ditur Agjencia kineze e hapësirës (CMSA). Kthimi, fillimisht i planifikuar për 5 nëntor u prolongua për shkak të dyshimeve për ndikim të vogël të mbetjeve në anijen kozmike "Shenzhou-20". Konkretisht, në dritaren e kapsulës u gjetën çarje të vogla me gjasë të shkaktuara nga një ndikim i mbetjeve hapësinore. Prandaj, ekuipazhi i "Shenzhou-20" do të kthehet në Tokë me anijen kozmike "Shenzhou-21". Astronautët Çen Dong, Çen Zhongrui dhe Uang Xhie janë në gjendje të mirë dhe të gjitha sistemet e kthimit të ekuipazhit janë plotësisht të përgatitura, njofton CMSA.
Uashington – SHBA-ja i miratoi Tajvanit shitjen e disa pjesëve të aeroplanëve ushtarakë në vlerë prej 330 milionë dollarëve, njoftoi Pentagoni, që është transaksioni i tillë i parë pasi presidenti Donald Tramp e mori funksionin në janar. “Shitja e propozuar do ta rrisë aftësinë e pranuesit që të përballet me kërcënimet e tanishme dhe të ardhshme me ruajtjen e gatishmërisë operative të flotës së pranuesit nga F-16, C-130” dhe aeroplanë të tjerë, njoftoi Pentagoni në kumtesë. Uashingtoni ka marrëdhënie formale diplomatike me Pekinin, por ruan lidhje jozyrtare me Tajvanin dhe është furnizuesi kryesor me armë në ishull. SHBA-ja është e angazhuar që me ligj t’i sigurojë Tajvanit burime për mbrojtje. Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit në kumtesë deklaroi se pret që shitja të “hyjë në fuqi” në afat prej një muaji.
Shkup - Kombëtarja franceze në futboll e siguroi vendin në Kampionatin botëror 2026, duke fituar mbrëmë Ukrainën, ndërsa Portugalia e lëshoi mundësinë që të bëhet kombëtarja e tretë evropiane me kualifikim të siguruar, pasi humbi nga Irlanda në Dublin, në ndeshjen ku mbeti edhe pa kapitenin e saj Kristiano Ronaldo, i cili mori karton të kuq. Franca e siguroi vendin e parë në grupin D me fitoren ndaj Ukrainës me rezultatin 4:0 me golat e Mbapes (minuta e 55-të dhe 83-të nga penaltia) Olises (76) dhe Ekitikes (88) dhe u bë kombëtarja e dytë, pas Anglisë që siguroi kualifikim në Botëror vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Një xhiro deri në fund të kualifikimeve, Franca e siguroi vendin e parë me 13 pikë, gjashtë më shumë se Islanda në vendin e dytë dhe Ukraina në të tretin.
Barcelonë– Presidenti i Barcelonës, Zhoan Laporta, paralajmëroi mbrëmë se klubi planifikon të ngrejë një statujë të Lionel Mesit përpara stadiumit të rinovuar "Kamp Nou" në shenjë nderi për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave. Tridhjetë e tetë vjeçari Mesi i cili luan për Inter Majami, në fillim të kësaj jave vizitoi stadiumin e Barcelonës për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2021 ku me këtë rast dërgoi një mesazh në rrjetet sociale se shpreson të kthehet një ditë dhe jo vetëm të bëjë lamtumirën si lojtar. "Mesi do të jetë gjithmonë i lidhur me Barcelonën dhe ai e di se dera është e hapur për të. Kemi respekt të plotë për të dhe meriton respektin më të madh. Ai duhet të ketë statujën e tij para 'Kamp Nou', si Johan Krojfi dhe Laslo Kubala. Bëhet fjalë për futbollist ikonë i cili ka lënë gjurmën tek secili prej nesh. Ne kemi folur për këtë dhe familja e tij duhet të dakordohet dhe unë e di që të gjithë tifozët do ta donin këtë," tha Laporta.
Berlin - Ish trajneri i Liverpulit, Jirgen Klop do të jetë komentator televiziv për MagentaTV gjatë Kampionatit Botëror në futboll, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, njoftoi kanali televiziv. "Dua me të vërtet ta përjetoj këtë Kampionat Botëror nga një perspektivë eksperti. Në të njëjtën kohë, e di që ky turne maratonik do të sjellë sfida të veta unike", tha Klop. Trajneri gjerman tashmë ka përvojë televizive, pasi ka punuar me televizionin gjerman ZDF në Kampionatin Botëror 2006 dhe Euro 2008. MagentaTV më herët njoftoi se ish-lojtari i kombëtares gjermane Tomas Miler, i cili fitoi Botërorin me Gjermaninë në vitin 2014, do të jetë gjithashtu komentator për Botërorin 2026.