• среда, 30 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

12:00 / 18 prill / 2025

Shkup - Gjatë muajit mars, sëmundja më e shpeshtë akute infektive e regjistruar ishte lija e dhenve me gjithsej 309 raste. Në krahasim me muajin e kaluar të shkurtit, numri i rasteve të raportuara me linë e dhenve ka një rënie prej 15,6 për qind, ndërsa në krahasim me muajin mars 2024 ka rënie prej 62,5 për qind, theksohet në raportin më të ri të Institutit të shëndetit publik (ISHP). "Gjatë muajit mars të vitit 2025 në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar gjithsej 608 persona të infektuar me sëmundje akute infektive – duke përjashtuar Kovid-19, gripin, tuberkulozin, AIDS, AFP dhe bartës kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV, me një incidencë totale prej 33,1 për 100.000 banorë. Gjatë muajit mars ka pasur një rënie të numrit të përgjithshëm të të infektuarve me 18,5 për qind krahasuar me muajin e kaluar të shkurtiti të vitit 2025. Krahasuar me mars 2024 ka një rënie prej 57,5 për qind, si dhe krahasuar me mesataren aritmetike për periudhën 2015–2024, me 44,2 për qind", sqarohet në raportin e Institutit.

Shkup - Nga sot tregtarët me pakicë në bazë ditore janë të detyruar të publikojnë çmimet e shitjes së produkteve në ueb faqet e tyre zyrtare. Detyrimi buron nga ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit të publikuar në Gazetën Zyrtare më 4 mars, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka hartuar një Rregullore për mënyrën e shpalljes së çmimeve të mallrave. Në Rregullore thuhet se të gjithë shitësit e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në tregtinë me pakicë konform Klasifikimit të veprimtarive, kanë për detyrë të publikojnë çdo ditë çmimet e mallrave që vendosin në treg në ueb faqen e tyre në mënyrë të qartë dhe të kapshme, përmes një pjese të veçantë të ueb faqes që kanë të bëjnë me çmimet. Çmimet e publikuara duhet të jenë të kapshëm pa pasur nevojë për regjistrim ose paralajmërim shtesë.

Shkup - SPB Shtip ngriti kallëzim penal kundër A.V. (48) nga Lozova, T.G. (51) nga Shkupi dhe L.L.(68) nga Shkupi për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”. Në vitin 2018, derisa ishte kryetar i komunës së Llozovës, A.V. i ka mundësuar personit juridik nga f.Studeniçan të përfitojë pasuri të kundërligjshme prej 205.800 denarë dhe për atë shumë e ka dëmtuar buxhetin e komunës së Llozovës. "Më 01.11.2018 i denoncuari i parë A.V. ka marrë vendim për zbatimin e furnizimit publik për ndërtimin e shtegut të këmbësorëve në rrugën “Revolucioni i Tetorit” në Llozovë, e më pas për ofertues më i favorshëm është përzgjedhur personi juridik, i cili e ka caktuar të denoncuarin e dytë T.G. për udhëheqës të ndërtimit. Punimet ndërtimore u përfunduan në mars të vitit 2019, ndërsa në regjistrin ndërtimor dhe në ditarin ndërtimor janë futur të dhëna të pavërteta se janë vënë 381 metra katrorë pllaka bekatoni në vlerë prej 205.800 denarë", thonë nga policia.

Shkup - Në vijën kufitare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, nëpunësit policorë të Stacionit policor për Kontroll kufitare dhe mbikëqyrje kufitare Bogorodicë mbrëmë në orën 19:30 kanë zbuluar pesë persona duke tentuar që të kalojnë ilegalisht kufirin shtetëror. Siç njofton MPB-ja, në të njëjtën kohë nga liria u privuan L.J. (35) dhe një 17-vjeçar nga Kina dhe U.K. (23) nga Afganistani, ndërsa dy persona janë larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë, pasi ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, ndërsa për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “kontrabandim emigrantësh” sipas nenit 418-B të Kodit penal, gjithashtu, në afërsi të vijës kufitare u privuan nga liria edhe D.T.(32) dhe 49-vjeçari V.T., të dy nga Gjevgjelia. Afër tyre u gjetën telefona celularë të cilët janë proceduar për veprime të mëtejme, ndërsa ata u ndaluan në stacionin policor.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme në prag të festave të ardhshme të Pashkëve, kumtoi se sot të gjitha Seksionet për punë administrative pranë Repartit për punë administrative të MPB-së, përveç Repartit për punë administrative Shkup, do të punojnë në periudhën prej orës 08:00 deri 16:00. Reparti për punë administrative Shkup, megjithatë, respektivisht njësitë e tij organizative sot do të punojnë me këtë orar: Pika Prolet - me dy turne prej orës 07:30 deri 19:30; Pika TVM  - me dy turne prej orës 07:30 deri 19:30, ndërsa me periudhën e njëjtë do të punojnë edhe pikat në Beko dhe Gjorçe Petrov.

Shkup - Në Ohër dhe në Kodrën e Diellit në 24 orët e fundit, deri në orën 8 të mëngjesit, janë matur dy litra për metër katror sediment ujor, ndërsa në Pozharan dhe Hanet e Mavrovës një litër për metër katror, njofton DPHM-ja. Moti sot do të jetë me diell me vranësira deri mesatare. Pasdite do të ketë reshje të kohëpaskohshme lokale shiu dhe kushte për bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, në pjesët perëndimore, ndërsa përgjatë Vardarit nda drejtimi veriperëndimor.  

Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 19 deri 26 gradë Celsius. 

Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje lokale të shiut, në disa vende të rrëmbyeshme, të shoqëruara me paraqitje të bubullimave, veçanërisht paradite. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 9 deri 14, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 18 deri 24 gradë Celsius. 

Beograd - Më shumë se 80-të orë zgjati bllokada e studentëve para objekteve të Radio televizionit të Serbisë në Beograd. Prej 14 prilli në ora 22 deri më tani, janë bllokuar objektet e transmetuesit publik në qendër të Beogradit në rrugën Takovska dhe rrugën Koshtunjak, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Sipas paralajmërimeve të studentëve, bllokada do të zgjasë përderisa nuk ka shpallje të konkursit të ri për anëtarë të Këshillit të organit rregullator për mediat elektronike (RME) ose deri në ndërprerjen e transmetimit të programit nga RTS-ja.

Paris - Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Lami, pas bisedimeve në Paris për Ukrainën me kolegët e tij amerikanë dhe evropianë, deklaroi se Rusia duhet të pajtohet për një “armëpushim urgjent, të plotë dhe të pakusht”, njofton DPA. Lami ndau disa detaje rreth serisë së takimeve që u zhvilluan në kryeqytetin francez, por theksoi se bisedimet kanë vënë në pah angazhimin e përbashkët për sigurinë globale.

Romë - Katër persona kanë humbur jetën, ndërsa një është lënduar rëndë në fatkeqësinë me teleferik në qytetin Kastellamare di Stabia afër Napolit që ndodhi dje pasdite, njofton DPA. Shërbimi pyjor për shpëtim tha se një gondolë e teleferikut ra në tokë pas këputjes së një kablloje. Sipas informacioneve fillestare, në gondolë ka pasur pesë persona. Mes viktimave ka dy turistë nga Anglia, një nga Izraeli dhe një italian, kumtuan autoritetet lokale.

Sana - Të paktën 38 persona e kanë humbur jetën në sulmet e djeshme amerikane ndaj portit në Jemen, publikuan mediumet e huthëve. Kjo është një nga ditët më vdekjeprurëse prej se SHBA-ja i ka filluar sulmet ndaj kryengritësve të përkrahur nga Irani, njoftoi BTA. Uashingtoni premtoi se nuk do t'i ndal sulmet e mëdha që filluan muajin e kaluar në operacionin më të madh ushtarak në Lindjen e Mesme prej se presidenti Donald Tramp e mori funksionin në janar, përveç nëse huthët nuk ndalen me sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Kiev – Ukraina dhe SHBA-ja nënshkruan memorandum si hap i parë drejt arritjes së marrëveshjes për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale ukrainase, njoftoi Julia Sviridenko, zëvendëskryeministre e parë dhe ministre e Ekonomisë së Ukrainës.   “Jemi të lumtur që mund ta publikojmë nënshkrimin, me partnerët tanë amerikanë, në memorandum për qëllime, i cili e hap rrugën për marrëveshje për partneritet ekonomik dhe formimin e fondit të investimeve për rimëkëmbje të Ukrainës”, shkroi Sviridenko në platformën X. 

Tel Aviv - Të paktën 20 persona janë vrarë në dy sulme izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, njoftojnë mediat palestineze.  Agjencia e lajmeve VAFA njoftoi se 11 persona, mes të cilëve edhe dy të mitur, u vranë në sulmin me dron gjatë natës në një shtëpi në lagjen Tel Al-Zatar në veri të Gazës. Në sulmin e dytë, janë vrarë 10 persona kur një aeroplan luftarak izraelit bombardoi një shtëpi familjare në Bani Suhaila, një qytet në lindje të Kan Junis, në jugun e Rripit.

Kiev/Moskë - Në sulmin raketor rus në Harkov në Ukrainën verilindore mëngjesin e sotëm u vra një person, ndërsa 54 janë lënduar, deklaroi kryetari i komunës së qytetit, Igor Terehov. Në sulm, sipas Terehovit janë dëmtuar 15 ndërtesa banimi. Edhe zona të tjera në Ukrainë gjithashtu u vunë nën zjarrin rus gjatë natës. Në sulmin rusë me dronë ndaj qytetit verilindor të Ukrainës, Sumi ka humbur jetën një person, ndërsa një tjetër është lënduar, deklaroi udhëheqësi i detyrës Artem Kobzar.

Uashington/Moskë – SHBA-ja duhet të vendosë në afat prej disa ditëve nëse marrëveshja për armëpushim për dhënien fund të luftës në Ukrainë është e “realizueshme”, deklaroi sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio. Pas bisedimeve të djeshme në Paris me përfaqësues evropianë dhe ukrainas për konfliktin trevjeçar në Ukrainë, Rubio theksoi se SHBA-ja do të ndalojë të bëjë përpjekje që të arrijnë marrëveshje paqësore nëse nuk paraqiten shenja të qarta se ajo mund të arrihet. 

Uashington – Stiv Uitkof, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tramp, deklaroi se biseda e tij e fundit për Ukrainën me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petërsburg ishte e përqendruar në çështje territoriale. Uitkof në intervistë për “Uollstrit zhurnal” thotë se çështjet territoriale mund të zgjidhen pjesërisht. Sipas tij, Rusia ka mundësi të mbajë “disa rajone të reja, por jo të gjitha”, si pjesë e marrëveshjes për dhënien fund të luftës në Ukrainë. Uitkof tha se Kievi ndoshta nuk është aq i interesuar për rajonet ku popullsia fillimisht flet gjuhën ruse. 

Uashington - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp deklaroi sot se Uashingtoni pret deri në fund të kësaj jave të marrë një përgjigje nga presidenti rus Vladimir Putin për një propozim për armëpushim në Ukrainë. "Do të dëgjojmë përgjigjen e tyre shumë shpejt, në fakt këtë javë. Ne duam që vrasjet të ndalen", tha Trampi në një konferencë me kryeministren e Italisë Xhorxha Meloni në Shtëpinë e Bardhë. Trampi, gjithashtu, përsëri foli për presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Nju Jork – Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në KB, Vasilij Nebenzia deklaroi se ndërprerja e armiqësive me Ukrainën për momentin është “joreale”, informon DPA. Duke folur në Nju Jork, Nebenzia tha se mossuksesi i armëpushimit të kufizuar të zjarrit në infrastrukturën energjetike tregon se për momentin nuk është i mundur armëpushimi më i gjerë.  “Patëm përpjekje për armëpushim të kufizuar të zjarrit lidhur me infrastrukturën energjetike, e cila nuk ishte respektuar nga ana ukrainase. Kështu që në këtë fazë, nën këto rrethana, është joreale të flitet për armëpushim. Nuk jemi në situatë të mundemi seriozisht të bisedojmë për armëpushim gjithëpërfshirës”, tha Nebenzia. 

Mançester - Mbrojtësi i Mançester Junajted, Hari Meguaer e ka përshkruar si të çmendur fitoren e mbrëmshme me rezultatin 5:4 ndaj Lionit në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Evropës. "Nëse e kërkoni fjalën 'çmenduri' në fjalor, me siguri më së miri do t'i përgjigjet për këtë ndeshje. Ishte lojë e çmendur dhe është e pabesueshme se si kemi ardhur deri te rezultati që na mundësi të shkojmë më tej", tha Meguaer, i cili e shlënoi golin e fitores për Mançester Junajted në momentet e fundit të ndeshjes.

Остани поврзан