• среда, 30 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

15:00/17 prill/2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski në kuadër të vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai ka pasur disa takime, mes të cilave me Muhamed Alabar - themelues dhe drejtor administrativ  i Igëll Hills, me Muhamed Hasan Al-Suvaidi - drejtor i Abu Dabi Holding kompanisë zhvillimore, e cila është investitor kryesor global, si dhe me Mohamed Jameel Al Ramahi - drejtor ekzekutiv i Masdar Enerxhi Investment Kompani, një nga investitorit më të mëdhenj botërorë në energjinë ripërtërirëse dhe lëvizës i tranzicionit energjetik.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot zhvilloi takim pune me kryesinë e BNJVL-së, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, në të cilin para kryesisë prezantoi në detaje Konkursin publik për financimin e projekteve në fushën e mjedisit jetësor për vitin 2025. Në takim ministri Mexhiti theksoi rëndësinë e vetëqeverisjes lokale si shtyllë në realizimin e projekteve kyçe infrastrukturore dhe arsimore që kanë të bëjnë me mjedisin.

Shkup - Kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski sot realizoi takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ku mori pjesë edhe nënkryetari i BNJVL-së, Visar Ganiu dhe drejtoresha Dushica Perishiq. Ministri Mexhiti, siç kumtuan nga Kabineti i Gjorgjievskit, i prezantoi kriteret dhe kushtet nga Konkursi për ndarje të mjeteve për financim dhe realizim të programeve, projekteve dhe aktiviteteve të tjera nga fusha e mjedisit jetësor për vitin 2025. Mjetet dedikohen për projekte të rëndësishme ekologjike infrastrukturore, siç janë përpunimi i dokumentacionit teknik dhe ndërtimi i sistemeve të kanalizimit, sistemeve për filtrim të ujërave të zheza, si dhe për sistemet e ujësjellësit me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes dhe përmirësimit të cilësisë së ujërave.

Shkup - Në ministri gjatë kësaj periudhe kanë arritur rreth 1.600 oferta për marrjen me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit dhe 220 oferta për legalizimin e tokës mbi të cilën janë ngritur mbjellje shumvjeçare. Këto shifra dëshmojnë se thirrjet publike kanë zgjuar interes të madh te bujqit. Çdo premtim që e kemi dhënë në periudhën e kaluar, jemi duke punuar që ta realizojmë plotësisht. Në fund të vitit të kaluar 2024, u shpallën 5 thirrje publike për dorëzimin e ofertave për dhënien me qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore, për sipërfaqe deri në 3 hektarë dhe mbi 3 hektarë. Një nga thirrjet përfshiu sipërfaqet me mbjellje shumvjeçare, me ç’rast u mundësohet legalizimi i plantacioneve të ngritura nga vetë bujqit.

Shkup - Në fund të vitit shkollor 2023/2024 në shkollat e rregullta fillore vitin e kanë përfunduar 179.661 nxënës, ndërsa në shkollat e rregullta të mesme vitin e kanë përfunduar 65,737 nxënës, njofton Enti Shtetëror i Statistikës. Në fund të vitit shkollor 2023/2024, numri i nxënësve në shkollat e rregullta fillore është 181.311, që paraqet rënie prej 0,5% krahasuar me vitin shkollor paraprak. Në vitin e njëjtë shkollor, shkollën fillore e kanë mbaruar 19,179 nxënës.

Shkup – Në nivel të shtetit, janë regjistruar 283 raste të raportimeve grupore për të sëmurë nga gripi dhe sëmundje të ngjashme me gripin, gjatë javës së 15-të të vitit 2025, gjegjësisht prej 7 deri 13 prill. Kjo përfaqëson 11,3 për qind më pak në krahasim me javën e kaluar. Numri i personave të regjistruar këtë javë, në krahasim me javën  e 15-të të sezonit të kaluar, është rritur për 95,2 për qind, ndërsa në krahasim me numrin për javën e 15-të nga kriza tipike epidemike, e modeluar nga 14 sezonet e fundit, është rritur për 2,2 herë, njoftoi sot pasdite Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). 

Shkup - Edhe një pacient i është nënshruar plagëve nga zjarri në Koçan, me çka numri i viktimave në tragjedi është rritur në 62 persona. Nga Ministria e Shëndetësisë pasdite informuan se sipas informatave nga Akademia Ushtarake Mjekësore në Beograd, sot paradite, për fat të keq, ka ndërruar jetë nga plagët e marra Stojançe Stefanov nga Koçani, i lindur në vitin 2001."Bëhet fjalë për një pacient i cili që nga dita e parë, sipas triazhimit fillestar të kryer nga ekipet mjekësore, është dërguar menjëherë për trajtim në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd dhe ka qenë i intubuar dhe në gjendje kritike gjatë muajit të kaluar" sqaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkup - Ministria e Arsimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknologjisë (MEXT) e Japonisë ofron bursa studentore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që synojnë të ndjekin studimet universitare ose pasuniversitare (kërkimore) në Japoni. Siç njoftuan nga Ambasada e Japonisë, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet e aplikimit jo më vonë se data 16 maj 2025. Kandidatët e përzgjedhur do të ftohen për provim me shkrim në qershor.

Shkup – Gjykatësja Maria Manevska nga Gjykata Themelore në Strumicë ka pranuar që të delegohet dhe të jetë u.d. kryetar i GJTH Berovë, ndërsa gjykatësja Anita Stojanova kthehet në Gjykatën e Apelit. Në Gjykatën Themelore në Kërçovë për shkak të gjendjes alarmante me numrin e gjykatësve delegohen tre gjykatës nga Gjykata Themelore (GJTH) Gostivar, prej të cilëve një gjykatës nga GJTH Gostivar i cili edhe vitin e kaluar ishte deleguar dhe punonte në lëndë civile ka pranuar të mbetet të punojë në Kërçovë. Gjykatësit Qukim Fetai dhe Alim Sadiku nga GJTH Gostivar janë të deleguarit e rinj të punojnë në GJTH Kërçovë, ky është vendimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor sipas pikës “Vendim pas kërkesës së gjykatësve të deleguar, ndërsa cili ishte marrë sot në mbledhjen 520. 

Shkup - Shoqata e barnatoreve private të Republikës së Maqedonisë së Veriut kërkon përjashtimin e barnatoreve nga Rregullorja e re për shpalljen e çmimeve të mallrave nga 3 prilli i këtij viti, deklaroi sot për media, Biljana Bozhinovska, anëtare e Këshillit ekzekutiv të shoqatës. Bozhinovska tha se barnatoret nuk duhet të trajtohen si tregtarë të thjeshtë. "Dëshirojmë të potencojmë se barnatoret nuk janë objekte klasike të shitjes me pakicë, por institucione në nivelin primar shëndetësor, ku punohet me kuadro të licencuar të shëndetësisë, master në farmaci dhe teknikë farmaceutikë. Roli ynë parësor është të ofrojmë kujdes shëndetësor dhe farmaceutik për pacientët, përmes dhënies dhe këshillimit për përdorimin e barnave, ndjekjen e terapisë dhe edukimit të qytetarëve, ndërsa jo të angazhohemi në tregti në kuptimin klasik", theksoi Bozhinovska.

Shkup - Kontrollorët e trafikut ajror të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po punojnë për të forcuar bashkëpunimin me qëllim të rritjes së sigurisë së trafikut ajror. Fokus i veçantë është në ngritjen e shkëmbimit të të dhënave të radarit në një nivel më të lartë, si pjesë e përpjekjeve rajonale për të optimizuar funksionalitetin operacional të të dhënave, bënë të ditur nga M-NAV pas takimit të drejtorëve për teknik të aviacionit të M-NAV dhe Albkontrol, Kliment Çepunjoski dhe Sokol Mukaj. Në takim, siç bëhet e ditur, u ra dakord për vazhdimin e marrëveshjes për shkëmbimin e shërbimeve mes dy vendeve.

Shkup - Prokuroria Themelore e Tetovës dorëzoi ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë të datës 7-të të këtij muaji ku i akuzuari M.P., i cili me automjet shkeli këmbësoren Teodora Ristovska, ndërsa u dënua me burg në kohëzgjatje prej dy vite, për shkak se konsideron se është shumë i butë në krahasim me peshën e veprës së kryer dhe shkallën e përgjegjsisë penale ndaj të akuzuarit.

Shkup - Gjykatësi Bojan Martinovski është i vetmi i cili është paraqitur në shpalljen e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Themelore në Ohër, ndërsa në shpallje për kryetar të Gjykatave Themelore në Berovë, Radovish dhe Dellçevë, asnjë gjykatës nuk është kandiduar. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancën e sotme të 520 njëzëri vendosën të publikojnë përsëri shpalljen për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatave Themelore në Dellçevë, Berovë dhe Radovish. Gjykatësja Vesna Dameva anëtare e Këshillit Gjyqësor sqaroi se Komisioni për Rangim i Këshillit Gjyqësor propozon që të rishpallet shpallja për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatave Themelore në Dellçevë, Berovë dhe Radovish.

Shkup - NP Rrugët e Maqedonisë njofton se nga sot është e hapur për qarkullim aksi rrugor Ohër - Resnjë, përmes Parkut Nacional Galiçicë. Ky aks rrugor është e hapur për qarkullim për automjetet e udhëtarëve dhe automjetet me kapacitet mbajtës deri në 3.5 tonë.

Tetovë - Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami vlerëson se nuk do të ketë krizë në koalicionin qeveritar pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit për të dalë e vetme në zgjedhjet për këshillat komunal. Nga ana tjetër përfundimisht nuk do të ketë bashkëpunim të koalicionin "VLEN" me ASH-në e Taravarit në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave. "Ai kapitull është mbyllur, ndërsa ne si koalicion 'VLEN' vendosëm të shkojmë bashkë për kryetarë të komunave dhe anëtarët e këshillit dhe këshilltarët, ndërsa sa i përket krizës qeveritare, nuk ka një mundësi të tillë, Qeveria ka shumicë stabile. Edhe vetë Taravari tha se nuk është i gatshëm të dalë nga koalicioni qeveritar", deklaroi sot nga Tetova, Bilall Kasami.

Tetovë - Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, më 16 prill 2025, profesori nga SHBA-ja, i njohur ndërkombëtarisht për ekspertizën e tij në të drejtën mjedisore, profesori Jim Lofton, mbajti ligjëratë, me temë: “Mbrojtja e ambientit dhe sfidat që paraqiten në zhvillimin ekonomik”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të stafit akademik të universitetit tonë si dhe përfaqësues nga jeta publike dhe nga institucionet e vendit që merren me mbrojtjen e ambientit.

Shkup – Në ditët e fundjavës së vazhduar të festës së Pashkëve moti do të jetë i qëndrueshëm, me diell dhe i ngrohtë. Vetëm nesër do të jetë i ndryshueshëm me vranësira në disa vende i paqëndrueshëm me shi lokal dhe bubullima, veçanërisht paradite, njoftoi DPHM. Nga fillimi i javës së ardhshme përsëri do të ketë destabilizim të motit me reshje lokale të shiut dhe bubullima. Temperaturat minimale të mëngjesit do të bien deri në pesë gradë, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë 26 gradë.

Romë – Shira të rrëmbyeshëm ranë mbi Italinë veriore, me çka shumë lumenj dolën nga shtrati, ndërsa autoritetet në disa zona mbyllën zona të tëra dhe rrugë përgjatë brigjeve të tyre, informon DPA. Situata është veçanërisht e keqe në rajonin veriperëndimor Piemont, me kryeqytetin Torino, ku banorët lokalë janë thirr që të qëndrojnë në shtëpi. Vërshimet në linjat hekurudhore shkaktuan vonesa të mëdha në qarkullimin e trenave mes Italisë dhe Zvicrës. Disa trena janë bllokuar. Autoritetet paralajmërojnë për erëra të fuqishme dhe rrezik nga vërshime të reja dhe rrëshqitje të tokës. 

Stamboll - Policia e Turqisë ka arrestuar 525 trafikantë të dyshuar të drogës në të gjithë Ankaranë, në operacionin më të madh kundër drogës në historinë e vendit, kumtoi ministri i Punëve të Brendshëm të vendit, Ali Jerlikaja. "Në operacion morën pjesë mijëra policë, qen ndjekës, dronë dhe helikopterë, ndërsa cak kanë qenë më shumë se 625 objekte" tha Jerlikaja. Bastisjet pasuan pas gjashtë muajsh "mbikëqyrje teknike dhe fizike" të secilit të dyshuar. 

Bruksel – Eurokomisarja për zgjerim Marta Kos sot do të qëndrojë në Sofje, ku do të ketë takime me përfaqësues të lartë politikë bullgar, ndërsa do të marrë pjesë në forumin "BE-ja takohet me Ballkanin". Siç njoftoi Komisioni Evropian, Kos do të takohet me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me kryeministri Rosen Zhelazkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Georg Georgiev. Vizitën e saj në Sofje, Kos e ka konfirmuar edhe në intervistën për redaksinë evropiane (ENR) ku pjesë është edhe MIA, duke theksuar se një nga temat e bisedimeve me nikoqirët e saj do të jenë edhe mundësitë për zhbllokimin e procesit qasës në vend.

Londër - Përfaqësues zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë besojnë se marrëveshja tregtare me Britaninë e Madhe mund të arrihet në afat prej tre javësh, shkruan gazeta britanike "Telegraf". Një burim i njohur me situatën tha se Londra ka pozitë të mirë për një lidhje të shpejtë të marrëveshjes. Kjo vjen një ditë pasi nënpresidenti amerikan Xhej-Di Vens parasheh se presidenti amerikan Donald Tramp do të arrijë marrëveshje "të shkëlqyer" tregtare me Britaninë e Madhe për shkak të "afërsisë kulturore" të tij me atë vend.

Vjenë - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi deklaroi se një organ mbikëqyrës bërthamor i KB-së duhet të ketë rol në bisedimet për programin bërthamor iranian midis Teheranit dhe Uashingtonit përpara raundit të dytë të bisedimeve midis dy vendeve. Grosi, i cili dje arriti në Teheran, ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme, Abas Aragçi dhe me shefin e Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Mohamed Eslami, për mënyrat në të cilat ANEB-i mund t'i përkrahë bisedimet bërthamore mes Teheranit dhe Uashingtonit. Presidenti amerikan Donald Trampi ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse bisedimet nuk kanë sukses. 

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski me rastin e sulmit të sotëm rus në qytetin Dnjepër u bëri thirrje partnerëve ta rrisin ndihmën për Ukrainën dhe të ushtrojnë presion ndaj Moskës. "Rusia e shfrytëzon çdo ditë dhe çdo natë për të vrarë. Duhet të ushtrojmë presion ndaj vrasësve dhe të ndihmojmë të vendoset fund në këtë luftë dhe të garantojmë armëpushim afatgjatë. Dëshiroj t'i falënderojë të gjithë partnerët të cilët në këtë mënyrë i shfrytëzojnë mundësitë e tyre. Luftërat ndalen me forcë - forcë kundër agresorëve, forcë në mbrojtje të jetës", porositi Zelenski.

Moskë - Presidenti rus Vladimir Putini sot gjatë takimit me emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani në Moskë tha se Katari është partneri kryesor i Rusisë në Lindjen e Mesme. "Marrëdhëniet tona po forcohen. Kohët e fundit në Doha u mbajt një komision ndërqeveritar dhe më duket se ishte shumë i dobishëm. Katari është një nga partnerët tanë prioritarë në përgjithësi dhe në Lindjen e Mesme në veçanti", tha Putini. Shtoi se në marrëdhëniet dypalëshe është ndërtuar një traditë e mirë shumëvjeçare.

Gazë - Të paktën 23 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë sot në sulmet izraelite në kampet ku strehohen familjet e zhvendosura në pjesën veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, kumton Ministria palestineze e Shëndetësisë. Të gjithë trupat janë djegur si rezultat i një zjarri që shpërtheu në tendat pas bombardimit, informon Ministria e Shëndetësisë, transmeton agjencie palestineze të lajmeve.

Mynih - Ndeshja kthyese në çerekfinale të Ligës së kampionëve kundër Interit (2:2) ishte e fundit për sulmuesin e Bajernit të Mynihut, Tomas Miler në Ligën e e kampionëve si lojtar i klubit bavarez. Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, gjermani 35-vjeçar është përshëndetur nga tifozët e bavarezëve, të cilët ishin në ndeshjen në Milano. Në fillim të prillit u kuptua se Bajerni i Mynihut nuk do t'ia vazhdojë kontratën Milerit, e cila skadon këtë verë. Futbollisti kaloi 25 vite në klub.

Остани поврзан