• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

09:00/18 nëntor/2025

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme i Repulbikës Federale të Gjermanisë, Johan Vadeful, sonte do të qëndrojë në Shkup, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas paralajmërimeve, Vadeful do të realizojë takim me kryeministrin Hristian Mickoski dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së jashtme, Timço Mucunski. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërkaq, do të mbahet takim bilateral të dy delegacioneve.

Shkup - Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot duhet ta fillojë debatin për Propozim-buxhetin për vitin 2026, në lexim të parë, ku do të shqyrtohen 200 amandamentetet e parashtruara. Gjatë debatit të përgjithshëm, i cili përfundoi dje, deputetët nga shumica në pushtet paraqitën qëndrime se buxheti i propozuar është real dhe zhvillimor me indikatorë të bazuar në përmirësim të rritjes ekonomike dhe realizim të fuqishëm të projekteve dhe të ardhurave. Me realizimin e buxhetit të propozuar, sipas tyre, do të realizohen nevojat dhe kërkesat e qytetarëve sepse sigurohen më shumë mjete për rroga më të larta, pensione, shkolla të reja, kopshte, zhvillim të infrastrukturës, digjitalizim, investime kapitale.

Shkup - Në seancën e Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot do të fillojë realizimi i intervistave të kandidatëve për zgjedhje të kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Procedura për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së vazhdon pas përfundimit të Zgjedhjeve lokale, ndërsa Kuvendi kryen rizgjedhjen e njeriut të parë të antikorrupsionit pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovska, e dyshuar për përzierje në rastin "Aditiv".

Shkup - Konferencë me temë "Ndërtimi i së ardhmes - aftësi praktike për gjeneratën e re" sot do të organizojë Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe projekti "Arsim për punësim në Maqedoni" i financuar nga Ambasada e Zvicrës në Shkup. Në hapjen e konferencës fjalim do të mbajë ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, bëri të ditur MASH-i.

Prilep - Kombinati i duhanit në Prilep sot fillon  me blerjen e duhanit nga rekolta e këtij viti në 34 pika, paralajmëroi dje ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski gjatë takimit të tij të punës në Kombinat. "Kombinati i duhanit në Prilep është gati të fillojë blerjen e duhanit nga rekolta e këtij viti nesër dhe do t'i paguajë prodhuesit të duhanit dy herë në javë. Do të marrë 2.300 tonë duhan të rënë dakord", deklaroi dje Tripunovski.

Shkup - Ditë të rregullta këshilldhënëse mes përfaqësuesve të Fondit të SPIM dhe bartësit gjerman për sigurim pensional do të mbahen sot dhe nesër në Shkup. Siç kumtoi SPIM, në kuadër të ditëve këshilldhënëse qytetarët do të kenë mundësi të marrin këshilla për të drejtat e tyre nga sigurimi pensional dhe invalidor të cilat dalin nga zbatimi i Marrëveshjes për sigurim social mes Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së Republikës federale të Gjermanisë.

Shkup - Fushata kombëtare "1 nga 5 - Stop dhunës seksuale ndaj fëmijëve" fillon sot në Ditën botërore për parandalimin e eksploatimit seksual, abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve, me ngjarje, e cila do të mbahet në "Europe House". Ngjarja është organizuar në kuadër të projektit "Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit", në partneritet me Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me mbështetjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.

Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë vende-vende të lagështa, kumtoi LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Shkup - Moti sot në vend do të jetë kryesisht me vranësira me reshje të përkohshme lokale të shiut. Në disa vende reshjet do të jenë më të rrëmbyeshme (mbi 30 litra në një metër katror për 24 orë), lokalisht me kushte për stuhi me erë të përforcuar (mbi 60 kilometra në orë) dhe paraqitje të bubullimave të rralla. Do të fryjë erë mesatare deri në të përforcuar veriore nga drejtimi jugor. Temepratura minimale do të jetë në interval prej 6 deri në11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 13 deri në 18 gradë.

Bratislavë - Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën mbrëmë në qytetet sllovake për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit të majtë nacionalist Robert Fico, raportoi DPA. Demonstratat u mbajtën për të shënuar 36-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë kundër regjimit komunist të Çekosllovakisë së atëhershme.

Gazë - Grupi palestinez Hamas e hodhi poshtë rezolutën e Këshillit të sigurisë së KB-së me të cilën  mbështetet plani i paqes për Gazën e presidentit amerikan Donald Tramp, duke thënë se ajo nuk i plotëson kërkesat politike dhe humanitare të palestinezëve. "Rezoluta vendos një mekanizëm për kujdestari ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet e tij e refuzojnë",njoftoi grupi në Telegram.

Karakas - Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro mbrëmë deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë një bisedë "private" me homologun e tij amerikan Donald Tramp. Maduro e bëri deklaratën pasi Trampi tha se ishte gati të takohet me liderin e Venezuelës pavarësisht se SHBA po vendos një flotë anijesh luftarake në Detin e Karaibeve si pjesë e operacionit të tyre kundër trafikimit të drogës.

Bagdad - Blloku politik i kryeministrit irakian, Mohamed Shia al-Sudani fitoi më shumë vende në Parlament pas zgjedhjeve që u mbajtën të martën e kaluar, treguan rezultatet përfundimtare të publikuara vonë mbrëmë. Pavarësisht fitores, qeverisë së re me siguri do t’i duhen muaj për të zgjedhur kryeministrin. Qeveria e ardhshme duhet të balancojë me kujdes ndikimin e SHBA-së dhe Iranit. Ajo duhet të përballet me dhjetëra grupe të armatosura të afërta me Iranin, të cilat janë shumë më të lidhura me autoritetet iraniane sesa me ato irakiane, ndërkohë që është nën presionin e Uashingtonit për t’i çarmatosur këto grupe.

Riad - Princi i kurorës saudite Mohamed bin Salman udhëton nga Riadi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është vizita e tij e parë në Uashington pas vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi në vitin 2018, e cila e ka vendosur trashëgimtarin e fronit nën një mbikëqyrje të fortë globale, raportoi DPA. Pallati mbretëror në një kumtesë, të transmetuar nga Agjencia saudite për shtyp (SPA), citoi se vizita vjen pas direktivave të mbretit Salman dhe ftesës së presidentit amerikan.

Остани поврзан