18:00 / 11 shkurt / 2026
Shkup – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot realizoi takim pune me ushtruesen e detyrës ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikoll Vernes. Në takim ishte theksuar rëndësia e jashtëzakonshme e Partneritetit Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së si shtytës kyç për fuqizimin e bashkëpunimit institucional, zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë afatgjate të shtetit, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM).
Shkup - Në Gjykatën penale themelore në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin "Onkologjia", ku ish drejtori i Klinikës për radioterapi dhe onkologji, Nino Vasev, së bashku me edhe dy onkologë, akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve. Në seancë, ekspertja sllovene Maja Ravnik dëshmoi për rezultatet mjekësore dhe terapitë e dhëna për disa pacientë. Ekspertja theksoi se tek një paciente janë regjistruar tre diagnoza të ndryshme, me trajtim të njëkohësishëm për kancerin e rektumit dhe kancerin e gjirit, pa konfirmim të qartë të formës aktive të sëmundjes.
Tetovë - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, vizitoi Komunën e Bogovinës si pjesë e inciativës për të informuar publikun rreth procesit të antarsimit në BE tek bashkësitë lokale. Vizita filloi me takimin e ambasadorit dhe kryetarit të komunës, Feti Abazi dhe anëtarëve të Këshillit komunal. "Po filloj një tur të vizitave nëpër komuna, në të gjithë vendin, veçanërisht në ato komuna që nuk vizitohen shumë, sepse është vërtet shumë e rëndësishme të takohem me të gjithë përfaqësuesit e administratës komunale, në mënyrë që të dëgjoj nga kryetarët e komunave, nga anëtarët e këshillave komunale, megjithatë edhe popullsinë lokale në lidhje me sfidat me të cilat po përballen. Vërtetë duam të shohim, gjithashtu, të dëgjojmë se si fondet e Bashkimit Evropian po shpenzohen, megjithatë edhe të shohim mënyrën më të mirë për t'u angazhuar dhe komunikuar me qytetarët", deklaroi ambasadori Mihalis Rokas.
Tetovë -Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas nga Bogovina e Tetovës duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me luftën kundër korrupsionit, vlerësoi se lëvizjet në këtë fushë janë të drejtuara drejt qëllimit të caktuar. Ai vlerësoi se lufta kundër korrupsionit u godit seriozisht me ndryshimet në Kodin Penal në vitin 2023, por beson se tani ajo ka drejtimin e duhur. "Mendoj se kjo çështje duhet të adresohet, tashmë ka pasur një iniciativë nga Kuvendi i vendit. Në fakt, u miratuan disa amandamente dhe shtesa. Megjithatë, këto amandamente dhe shtesa të sapomiratuara në Kodin Penal ende nuk i janë dorëzuar Komisionit Evropian për vlerësim. Nga ana tjetër, javën e kaluar u krijua një komision ose Komitet i ri për Hetimet Financiare, për konfiskimin e pronës. Në të vërtetë, krijimi i një komisioni ose organi të tillë ishte vërtet inkurajues për t'u parë, kështu që mendoj se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur", theksoi Rokas.
Prilep - Me shënimin e Ditës së internetit më të sigurt përmes aktiviteteve interaktive në Shkollën fillore "Kire Gavrilloski-Jane" në Prilep po e përfundojmë projektin e madh për themelimin e një Qendre për internet më të sigurt në Maqedoninë e Veriut, të mbështetur nga Evropa digjitale dhe Bashkimi Evropian, tha sot ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në Prilep në shënimin e Ditës së internetit më të sigurt. Ai informoi se nxënësit sot do të argëtohen, do të mësojnë, do të diskutojnë dhe do të prezantojnë në mënyrë interaktive se çfarë do të thotë të jesh më i sigurt në internet, si të jesh më i kujdesshëm, kur të përdoren mjete digjitale, ku duhet kushtuar vëmendje.
Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se sulmet e fundit ruse në Ukrainë tregojnë se çështjet e sigurisë janë aktualisht një përparësi kyçe për Kievin dhe se të gjitha çështjet e tjera duhet të shqyrtohen së bashku me to. “Për sa kohë që Rusia vazhdon të vrasë njerëz dhe të shkatërrojë infrastrukturën tonë, nuk do të ketë besim të mjaftueshëm publik as në diplomacinë aktive”, shkroi Zelenski në Iks.
Antananarivo - Të paktën 20 persona kanë vdekur në Madagaskar pasi cikloni Gezani goditi Toamasinën, qytetin e dytë më të madh të vendit, kumtuan autoritetet. Erërat me shpejtësi 250 km/orë shkatërruan qytetin port me 400.000 banorë, me 15 persona të zhdukur dhe 33 të lënduar, informon Agjencia kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive dhe emergjencave.
Kajro - Gjenerali Ashraf Salem Zaher, ish drejtor i Akademisë ushtarake në Egjipt, u betua para presidentit egjiptian Abdel Fatah al-Sisi si ministër i Mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak në qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Mustafa Madbuli, pas miratimit nga Këshilli suprem i forcave të armatosura, publikoi gazeta "Al-Ahram". Kushtetuta egjiptiane përcakton një mekanizëm të veçantë për zgjedhjen e ministrit të mbrojtjes. Si komandant suprem, presidenti emëron një kandidat dhe emërimi i tij kërkon miratim paraprak nga organi më i lartë komandues i ushtrisë. Kjo e bën këtë pozicion të dallueshëm nga funksionet e tjera të kabinetit.