• вторник, 29 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

15:00/18 prill/2025

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot i priti përfaqësuesit e ekipit fitues të Garës së shtatë nacionale "First Lego League Challenge". Ekipin fitues "The NOOBS - New Original Operational Best Students" e përbëjnë përfaqësues të Akademisë për robotikë dhe inovacione. Duke ua uruar fitoren mjeshtërore dhe plasmanin e drejtpërdrejtë në kampionatin botëror në SHBA - Florida Sunshine Invitational 2025, Siljanovska-Davkova shprehi kënaqësi të veçantë që do të shoqërohet me fëmijë aq të rinj dhe të mençur.

Shkup - Drejtori i Byrosë për siguri publike pranë MPB-së, Aleksandar Janev, sot ka vizituar vendkalimin kufitar Dojran, ku janë vendosur, pajisur dhe funksionalizuar dy pika të reja të kalimit, dhe njëkohësisht janë hapur edhe dy linja të reja kalimi. "Ky hap i rëndësishëm është rezultat i një ideje të përbashkët që e kemi iniciuar para disa muajsh së bashku me kolegët e VK Dojran dhe Qendrës Rajonale Jug. Sot ajo ide është bërë realitet", theksoi drejtori i Byrosë për siguri publike, Janev, duke shtuar se pas dekadash, pas tranzicionit të shteteve dhe administratave, vendkalimi kufitar Dojran po merr një dimension të ri, një pamje të re që mundëson qarkullim më të shpejtë, më efikas dhe më të sigurt të udhëtarëve dhe automjeteve.

Shkup- Prokuroria Themelore Publike Koçan, duke vepruar sipas lëndës në lidhje me zjarrin në klubin e natës "Puls", deri në Gjykatën Themelore në Koçan ka dorëzuar propozim për zëvendësimin e masës paraprakisht të caktuar të arrestit shtëpiak me masë sigurie për dy të dyshuarit në cilësinë e ish drejtorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, ndërsa për herë të parë janë kërkuar masa të kujdesit edhe për një të dyshuar për zjarrin në Koçan, i cili deri tani ishte në mjekim. Siç theksohet në kumtesë, zëvendësimi i masave është kërkuar në bazë të vlerësimit të bazave ligjore për sigurim dhe fazën e verifikimit në lidhje me këtë institucion.

Shkup - Pas ndërmarrjes së masave operative - taktike, zyrtarët policorë sot, rreth orës 08:30 në fsh. Haraçinë, e kanë privuar nga liria A.B. (40) nga Shkupi. Siç njoftojnë nga MPB-ja, personi kërkohej me urdhër qendror në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Shkup për vuajtje të dënimit me burg prej tre vjetësh për veprën penale “zhvatje” sipas nenit 258 paragrafi 2, lidhur me nenin 1, në lidhje me nenin 45, paragrafi 1, dhe një vit burg për veprën “dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 3, në lidhje me nenin 1 nga Kodi Penal.

Shkup - Me rastin e festës fetare "Ngjallja e Krishtit – Pashkët" nesër  Njësti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të vendosë regjim të posaçëm të komunikacionit në rrugë të caktuara në zonën qendrore të qytetit të Shkupit, si dhe në komunat Gjorçe Petrov dhe Aerodrom.

Shkup - Një kumanovar i ri është arrestuar, pasi armë ishin gjetur gjatë bastisjes në shtëpinë e tij.  Siç informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme, dje në ora 06:15, nëpunës policorë nga Stacioni Policor Kumanovë kanë arrestuar M.V. (21) nga Kumanova. "Gjatë kontrollit në banesën e tij, të kryer me urdhër gjykate, iu gjet një pushkë me ajër të kalibrit 5.5, një pushkë me ajër të kalibrit 4.5, një fishek 9 mm, një kuti Diaboli, një pistoletë e kalibrit 4.5 "Ekol", si dhe mjete piroteknike", bëhet e ditur në kumtesë.

Shkup - Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Koha e pritjes për dalje në vendkalimet kufitare "Bogorodicë" dhe "Dojran" është prej 10 deri 15 minuta. Në vendkalimin kufitar "Tabanoc" për hyrje dhe dalje nga shteti pritet prej 20 deri 30 minuta, informojnë sot pasdite nga LAMM. Komunikacioni në rrugët e tjera të vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të thata, me intensitet mesatar jashtë mjediseve urbane. 

Shkup - SPB Strumicë-NJPB Radovish, në Prokurorinë Themelore Publike Strumicë, ka paraqitur kallëzim penal kundër A.E.(38) nga Radovishi, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “prodhim i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” nga neni 215 i Kodit Penal. Siç bëjnë të ditur nga MPB, më 17.04.2025, në bazë të urdhëresës së gjykatës, nëpunës policorë të SPB Strumicë – NJPB Radovish, kanë kryer bastisje në banesën dhe objektet ndihmëse në të cilën banon dhe e shfrytëzon A.E. në Radovish, gjatë së cilës në garazh janë gjetur 36 pako marihuanë me peshë totale rreth 300 gram, ndërsa në banesë janë gjetur 498 pako cigare me banderola  greke.

Shkup - Një zjarr ka shpërthyer në një shtëpi në Kavadar gjatë ditës së djeshme, ndërsa është gjetur trupi i një burri i cili, sipas të gjitha gjasave është mbytur nga tymi, informojnë sot nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas Qendrës rajonale për menaxhim me kriza – Veles, dy zjarrfikës me një automjet zjarrfikës po shuanin bombolën e djegur të gazit në një shtëpi në rrugën "Strasho Pinxhur" në Kavadar. Është gjetur një trup i një burri për të cilin thuhet se sipas të gjitha gjasave është mbytur nga tymi.

Dibër – Me rastin e festës së madhe të Bajramit të Ramazanit në Myftininë e Dibrës janë mbledhur 2,4 milionë denarë të ardhura vullnetare nga besimtarët, banorë rezidentë, si dhe nga ata të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. “Për festën, në emër të të ardhurave vullnetare nga besimtarët janë mbledhur gjithsej 2.400.090 denarë, të cilat flasin qartë për besimin, përkushtimin dhe pjekurinë fetare të besimtarëve tanë. Këtë vit shënojmë rritje të konsiderueshme, që e reflekton jo vetëm ndjenjën e përgjegjësisë kolektive por edhe forcëb e institucioneve tona kur udhëhiqen me transparencë, vizion dhe integritet”, deklaruan për MIA-n nga Myftinia. 

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dëshmorëve të UÇK-së të komunës së Prishtinës, vendosi kurorë lulesh në nderim të dëshmorëve në varrezat në Velani. “Me përulësi dhe respekt të thellë, presidentja Osmani kujtoi kontributin e secilit dëshmor që ra për ta parë Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike. Dëshmorët janë themeli i lirisë sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por zotim se do të punojmë çdo ditë për një shtet të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz, ashtu siç e ëndërruan ata", theksoi presidentja.

Romë - Disa porosi të përziera vijnë nga SHBA-ja, ndërsa Xhej-Di Vens tani thotë se është "optimist" se mund të arrihet paqja në Ukrainë, vetëm disa orë pasi që Marko Rubio tha se Uashingtoni është i gatshëm t'i braktisë bisedimet për shkak të mungesës së përparimit, lajmëroi Skaj Njus. Nënpresidenti amerikan e deklaroi këtë gjatë takimit me kryeministren italiane, Xhorxha Meloni në Romë. "Duke pasur parasysh atë që ka negociata, nuk do të paragjykoj, por ndjehemi optimistë se mund të shpresojmë se kjo luftë, kjo luftë shumë e ashpër, do të përfundojë", u tha ai gazetarëve që ishin ulur afër Melonit.

Moskë - Urdhëri i lëshuar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 18 mars për ndalimin njëmujor të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ka "skaduar", njoftoi sot Kremlini. "Muaji (i moratoriumit) skadoi. Deri tani, nuk ka udhëzime tjera nga komandanti i përgjithshëm, presidenti (Vladimir) Putin", tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitrij Peskov në konferencën e tij të përditshme për mediat në Moskë. Me këtë, pala ruse i jep fund moratoriumit të brishtë, për të cilin Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje.

Pekin - Ministria kineze e Punëve të Jashtme sot i ka hedhur posht si "manipulim politik dhe gënjeshtra" pohimet e presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski se Kina i dërgon armë Rusisë. "Kina i hedh posht akuzat e rreme dhe manipulimet politike. Kina asnjëherë nuk i ka dërguar armë vdekjeprurëse asnjërës prej palëve në konflikt", deklaroi në konferencën e rregullt për shtyp, Lin Xhain, zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, duke shtuar se të gjitha produktet që mund të shfrytëzohen edhe për qëllime civile edhe për ato ushtarake u nënshtrohen kontrolleve të ashpra.

Madrid - Liga spanjolle e futbollit sezonin e ardhshëm do të ketë pesë përfaqësues në Ligën e Kampionëve, bazuar në rezultatet e klubeve në tre garat evropiane të klubeve këtë sezon. Një vend shtesë në Ligën e kampionëve marrin dy liga në bazë të rezultateve të klubeve, ndërsa pasi u njoftua më 8 prill se do të jetë Premier liga, pas rezultateve të mbrëmshme dhe vendosjes së Betisit në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës dhe Atletik Bilbaos në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, është konfirmuar se La Liga do të ketë pesë përfaqësues.

Majami - Sulmuesi i Inter Majami, Lionel Mesi te Pep Guardiola e sheh trajnerin më me ndikim në futbollin modern. "Guardiola është nga një botë tjetër, e sheh atë që askush tjetër nuk e sheh. E ndryshoi futbollin. Të gjithë donin të kopjojnë stilin e tij në Barcelonë. Në fakt, në këtë mënyrë ai pa vetëdije dëmtoi lojën: njerëzit po përpiqen të luajnë si Barcelona pa e kuptuar se si ta bëjnë këtë. Kishim një ekip perfekt me Çavin, Andres Iniesta dhe Serhio Buskets në mesfushë, një kombinim perfekt i lojtarëve dhe trajnerit”, tha Mesi në një intervistë për kanalin Simplemente futboll në Jutjub.

Остани поврзан