• понеделник, 09 март 2026
MIA Flesh

15:00/ 8 mars/ 2026

Shkup - Evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga vendet e Lindjes së Mesme, i cili do të realizohet me fluturime komerciale çarter, do të fillojë sot, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Nga Ministria informuan se kanë lidhur kontratë me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për furnizimet publike, pas zhvillimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së paraparë, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer. Procesi është plotësisht i koordinuar nga Ministria dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore në rajon. Përfundimi i procedurës së furnizimit publik përbën konfirmim të veprimit në kohë dhe me përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Shkup- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u dërgoi urim të gjitha grave me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas - 8 Marsi, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për forcën, përkushtimin dhe kontributin e tyre në shoqëri. Në urim, Gashi thekson se 8 Marsi është një kujtesë për rolin e rëndësishëm të grave në jetën publike dhe shoqërore, duke theksuar se kontributi i tyre është i paçmuar në çdo sferë. "Kjo ditë e veçantë na jep mundësinë të theksojmë rëndësinë e përfaqësimit të grave në jetën publike, të nderojmë kontributin tuaj të pashoq në çdo fushë të shoqërisë dhe të riafirmojmë se gratë janë rrënja e fortë e njerëzimit", thekson Gashi. 

Shkup – Pensioni mesatar për gratë e moshës prej 65 vjet ose më shumë në BE është për rreth 24,5% më i ulët nga ai i burrave. Në Maqedoni pensioni i grave është për 18,2 për qind më i ulët se pensioni i burrave.  Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2024, dallimet më të mëdha në pensione mes burrave dhe grave janë vërejtur në Maltë (40,3%), Holandë (36,3%) dhe Austri (35,6%), përderisa dallime më të vogla ka në Estoni (5,6%), Sllovaki (8,4%) dhe Hungari (9,6%). Në Maqedoni, e dhënë e fundit në dispozicion e Eurostatit ka të bëjë me vitin 2023, kur pensioni i grave ishte për 18,2 për qind më i ulët se pensioni i burrave.  Në rajon, ndryshimi më i vogël është në Mal të Zi 8,3% (2024), pastaj në Shqipëri 15,6 (2023), Serbi 16,8% (2024), Bullgari 17,5% (2025), Kroaci 19,3% (2024) dhe më i madhi në Greqi 23,8% (2024).

Shkup- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, theksoi se 8 Marsi nuk duhet të shihet vetëm si një festë simbolike, por si një ditë reflektimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror për respektimin dhe zbatimin e të drejtave që u takojnë grave. Në deklaratën e saj, Azizi theksoi se kjo ditë duhet të shërbejë si një thirrje për të gjithë faktorët e shoqërisë që të angazhohen seriozisht në rritjen e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në pushtet dhe në menaxhimin institucional.

Shkup - Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se në periudhën e kaluar vendi ka qenë i ekspozuar ndaj një fushate opozitare se po bëhet një marrëveshje për pranimin e emigrantëve nga Mbretëria e Bashkuar, gjë që dje u mohua nga diplomacia britanike. Me këtë, thekson ai, shembet i gjithë konstruksioni që LSDM-ja opozitare dhe lideri i saj Venko Filipçe përpiqen t'ia imponojnë publikut me muaj të tërë dhe se po udhëheqin një politikë manipuluese. Ky, thekson ai, është një model sjelljeje thellësisht shkatërruese dhe potencialisht i rrezikshëm nga Venko Filipçe.

Shkup – Grupi i parë i qytetarëve të Maqedonisë i cili do të evakuohet sot do të udhëtojë nga Dubai drejt Shkupit, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.  Ai sqaroi se janë organizuar fluturime çarter nga Arabia Saudite, të cilët do t’i presin qytetarët e Maqedonisë të pranishëm në Katar dhe Kuvajt.  “Këto ditë janë organizuar gjithsej katër fluturime çarter, me disa dhjetëra vende të lira. Disa nga vendet e rajonit na kanë kërkuar gjithashtu të transportojmë qytetarët e tyre, pra t'i sjellim në Maqedoni”, tha Mickoski. Ai theksoi se ky është shembull për dallimin ndërmjet qeverisë së kaluar dhe qeverisë së tanishme, duke shtuar se Maqedonia sot është faktor i qëndrueshmërisë në rajon dhe u ndihmon shteteve të tjera, për dallim nga e kaluara. 

Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes ka qenë në Berovë, ku janë matur -3 gradë Celsius, zero gradë janë matur në Shkup-Petrovec, Kriva Pallankë, Manastir, Strumicë, Hanet e Mavrovës dhe Kodër të Diellit, 1 në Shtip, 2 në Tetovë, Ohër, Pretor, Prilep, Krushevë, Veles dhe Kumanovë, 3 në Shkup-Zajçev Rid dhe Kavadar, ndërsa temperaturë maksimale e mëngjesit prej 4 gradë është matur në Vinicë, Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informojnë se shtresa e borës në Kodër të Diellit sot është 67 centimetra. 

Shkup – Herët në mëngjes, në orën 4 e 32 minuta, në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Republikës, në Dibër, Kërçovë, Ohër, Resnjë dhe Strugë ishte ndjerë tërmet epiqendra e të cilit rrjedh nga Greqia, rreth 200 kilometra në jug të Shkupit, me Mangitudë lokale të Rihterit, ML5.5.  Opservatori Sizmologjik në kuadër të Fakultetit Natyror – Matematikor njoftoi se intensiteti i tërmetit të ndjerë sipas të dhënave është III ballë sipas Shkallës Makroseizmike Evropiane.

Shkup- Nën moton globale të Kombeve të Bashkuara për vitin 2026, "Të drejtat. Drejtësia. Veprimi. Për të gjitha gratë dhe vajzat", mijëra demonstrues po mbushin sot rrugët e kryeqyteteve të botës. Dita Ndërkombëtare e Gruas e këtij viti është e ngjyrosur me kërkesat për një përballje urgjente institucionale me dhunën me bazë gjinore dhe për t'i dhënë fund diskriminimit ekonomik, ndërsa fokusi i publikut botëror është mbrojtja e grave në zonat e luftës dhe roli i tyre në proceset e paqes. Në rajonin e Ballkanit, për sot është paralajmëruar mobilizim masiv si përgjigje e serisë së rasteve tragjike të femicidit të cilat e shënuan fillimin e vitit. 

Tel Aviv– Armata izraelite zyrtarisht njoftoi se ka kryer “sulm të synuar” ndaj komandantëve supremë të degës libaneze të forcave elitare “Kuds”, të cilët janë pjesë e Korpusit iranian të gardës revolucionare islamike në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, informon DPA.  Forcat izraelite të mbrojtjes e publikuan kumtesën pas informacioneve për sulm ndaj hotelit “Ramada” në qendër të Bejrutit, në të cilin sipas raporteve fillestare u vranë të paktën katër persona. Sipas ushtrisë, komandantët kishin për detyrë të organizonin sulme kundër Izraelit dhe qytetarëve të tij.  "Regjimi terrorist iranian vepron sistematikisht mes popullatës civile të Iranit dhe Libanit, duke përdorur cinikisht civilët si mburoja njerëzore për të kryer sulmet e tij", bëhet e ditur në kumtesën zyrtare të CAHAL të publikuar në Telegram.

Teheran – Konsensus për trashëgimtarin e liderit suprem të vrarë iranian ajatollahut Ali Hamnei gati se është arritur, deklaroi sot një anëtar i Kuvendit të ekspertëve ajatollahu Moxhamedmehdi Mirbakeri, transmetoi agjencia iraniane e lajmeve Mehr.  Ai theksoi se ende duhet të zgjidhen “disa pengesa” në lidhje me procesin e zgjedhjes së liderit të lartë suprem.  Mediat iraniane informuan se organi përgjegjës për emërimin e liderit të ri suprem ka pasur mospajtime të caktuara rreth asaj nëse vendimi përfundimtar duhet të merret pas mbledhjes ose mund të merret pa atë formalitet. 

Uashington– Presidenti amerikan Donald Tramp e hodhi poshtë mundësinë që luftëtarët kurdë të përfshihen në luftën në Iran.  “E përjashtova këtë, nuk dua që kurdët të hyjnë”, deklaroi Trampi para gazetarëve në aeroplanin presidencial “Er Fors Uan”.  “Nuk dua që kurdët të lëndohen ose vriten. Kishim marrëdhënie të mira. Ata janë të gatshëm të hyjnë, por unë me të vërtetë u thash se nuk dua të përfshihen”, shtoi ai.  Trampi tha se Uashingtoni “nuk dëshiron që lufta të bëhet më e komplikuar se që është tani”.  Shumë kurdë iranianë jetojnë në Irakun fqinj për shkak të përndjekjes sistematike në atdheun e tyre. Një pjesë e tyre tani shohin mundësinë për rrëzimin e qeverisë iraniane dhe për marrjen e mbrojtjes dhe lirive më të madhe pikërisht aty ku pati ndryshim të pushtetit”, thekson DPA. 

Uashington– Presidenti amerikan Donald Tramp e lavdëroi kryeministren italiane Xhorxha Meloni, duke e vlerësuar se ajo është e gatshme t’i ndihmojë SHBA-së dhe Izraelit në luftën me Iranin, njoftoi sot gazeta italiane “Koriera dela sera”.  Në bisedën telefonike me gazetën, të mbajtur dje, Trampi e përshkroi Melonin si “lidere të madhe” dhe deklaroi se Italia po bën çmos që të ndihmojë.  “E dua Italinë, mendoj se ajo është lidere e madh”, deklaroi Trampi për Melonin.  “Ajo gjithmonë po bën përpjekje të ndihmojë, ajo është lidere e shkëlqyer dhe është mike e imja”, shtoi presidenti amerikan, i cituar nga “Koriere dela sera”. 

 

Остани поврзан