MIA Flesh
- 15:00/ 13 dhjetor/ 2025
15:00/ 13 dhjetor/ 2025
Shkup - Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizon protestë gjithëkombëtare nën moton "Liria ka emër", në përkrahje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen në Hagë.
Shkup - Një delegacion i Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, së bashku me ekipin nga Sektori i Naftës dhe Gazit i Ministrisë dhe drejtuesit e Nomagas, MEMO dhe MEPSO, qëndruan në Beograd me ftesë të ministres serbe të Minierave dhe Energjetikës Dubravka Handanoviq Gjuroviç. Fokusi kryesor i vizitës ishte zbatimi i përshpejtuar i interkonektorit të gazit midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë - projekt me rëndësi strategjike për lidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike afatgjate.
Shkup - Në poligonin "Krivollak" sot do të shkatërrohet një sasi e madhe mjetesh shpërthyese-mina të sekuestruara para 15 vjetësh, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. "Mjetet shpërthyese - minat nga kazerma 'Gjorçe Petrov' deri në poligonin e armatës 'Krivollak' do të transportohen me mjete transportuese -kamionë të ARM-së, ku në prani të Komisionit për shkatërrimin e armëve, pjesëve dhe komponentëve të armëve, municionit dhe materialit shpërthyes, nga nëpunës policorë të Njësitit për Zbulimin dhe Çmontimin e Mjeteve dhe Pajisjeve Shpërthyese, ekspertë nga ARM-ja dhe piroteknikë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, do të kryhet shkatërrimi i tyre me detonim të kontrolluar", theksojnë nga MPB.
Shkup - Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, procedura lidhur me heqjen e mundshme të imunitetit të deputetit mund të inicohet vetëm në bazë të kërkesës zyrtare të parashtruar nga organi shtetëror kompetent, dhe kjo vetëm në rastet kur kërkohet inicimi i procedurës penale, përcaktimi i masës së paraburgimit ose ekzekutimi i dënimit me burg ndaj deputetit. Kuvendi nuk inicon procedura të tilla me vetiniciativë, as nuk mund t’i inicojë në bazë të kërkesave të individëve, organizatave ose mediave. Këtë e bëri të ditur sot Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi në lidhje me pyetjet e gazetarëve drejtuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilat parashtrohet pyetja se a do të ndërmerret ndonjë masë ndaj deputetit Sashko Jançev e që ka të bëjë me imunitetin e tij të deputetit.
Shkup - Në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente (TOARILUC), për herë të parë në Maqedoni është realizuar një ndërhyrje kirurgjikale komplekse te një fëmijë 4-vjeçar me deformim të rrallë kongjenital - deformiteti i Sprengelov (Sprengel deformity), në bashkëpunim me prof. dr. Ufuk Ajdinli nga Republika e Turqisë. Siç informon Ministria e Shëndetësisë, kjo ndërhyrje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor maqedonas për trajtimin e gjendjeve ortopedike të rralla dhe komplekse në moshën pediatrike, përmes punës ekipore, përcjelljes së njohurive dhe zbatimit të teknikave moderne operative.
Shkup - Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Komisionit të Venecias. Deskoska përmes profilit të saj në Fejsbuk informoi se zgjedhjen e kupton si njohje për aktivitetin e saj dhe kontributin e deritanishëm në punën e Komisionit.
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Shkup – Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Kodër të Diellit, -4 gradë, ndërsa shtatë gradë maksimale janë matur në Gjevgjeli. Siç informojnë nga DPHM, -2 gradë është në Shkup - Petrovec, Manastir, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Krushevë, -1 në Shtip, Berovë, Prilep dhe Hanet e Mavrovës, 0 në Demir Kapi, Pretor dhe Vinicë, 1 në Shkup - Zajçev Rid, Ohër, Veles dhe Kavadar, 2 në Tetovë, si dhe 5 gradë në Kumanovë. Moti sot do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla deri mesatare. Në orët e paradites nëpër disa lugina dhe lugina të lumenjve do të ketë paraqitje të mjegullës e cila gjatë ditës do të ulet. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura maksimale do të lëvizë prej 9 deri 15 gradë.
Tiranë - Paratë që mërgimtarët shqiptarë ua dërgojnë familjeve të tyre në shtëpi shpejtë po rriten, gjë që e shpreh valën e re të migrimit. Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, mergimtarët kanë dërguar 817 milionë euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, që është rritje për 5,9 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. "Vetëm në tremujorin e tretë, emigrantët kanë dërguar 285 milionë euro, ose 8,8 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë vitin e kaluar, si rezultat të sezonit veror", njofton banka.
Berlin– Këshilltarë të politikës së jashtme të SHBA-së, Ukrainës, Gjermanisë dhe vende të tjera nesër do të vazhdojnë me bisedimet për plan paqësor për Ukrainën në Berlin, deklaruan burime qeveritare për DPA. Uashingtoni paraprakisht njoftoi se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Stiv Uitkof, do të udhëtojë në Berlin. Koha dhe vendi i bisedimeve nuk janë zbuluar fillimisht. Kancelari gjerman Fridrih Merc duhet të takohet me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski dhe me numër të madh të liderëve evropianë, përfshirë edhe shefat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të hënën.
Kiev - Sulmet ruse gjatë natës kanë dëmtuar më shumë se dhjetëra objekte civile dhe kanë lënë mijëra njerëz pa rrymë në shtatë rajone, tha presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski. "Është me rëndësi tani të gjithë të shohin se çka po bën Rusia, pasi është e qartë se ajo nuk e dëshiron përfundimin e luftës", ka shkruar Zelenski në rrjetet sociale. Ai shtoi se "ata ende kanë për qëllim ta shkatërrojnë shtetin dhe të shkaktojnë vuajtjen më të madhe të popullit tonë".
Bangkok – Kamboxhia sot njoftoi se Tajlanda ka vazhduar të hedhë bomba në territorin e saj, edhe krahas asaj që presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se fqinjët u pajtuan për armëpushim. “Forcat tajlandeze ende nuk i kanë ndërprerë bombardimet dhe ende vazhdojnë me bombardimin”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias në një publikim në Fejsbuk. Kryeministri tajlandez Anutin Çarnvirakull deklaroi për mediat lokale se nuk ka armëpushim në konfliktin kufitar. Pas bisedës telefonike me Trampin, Anutin u tha gazetarëve në Bangkok se Kamboxhia së pari duhet të ndalë zjarrin.
Teheran – Autoritetet iraniane e arrestuan ekuipazhin 18-anëtarësh të tankerit të huaj të konfiskuar në Gjirin e Omanit dje, për të cilin thanë se transportonte gjashtë milionë litra karburante të kontrabanduara, njoftuan mediat iraniane dhe gjyqësori në krahinën Hormozgan. Ata thanë se kapiteni i anijes është në mesin e të arrestuarve, ndërsa hetimi po vijon. Sipas mediave, ekuipazhi përbëhej nga marinarë nga India, Sri Lanka dhe Bangladeshi. Autoritetet njoftuan se tankeri ka bërë shumë shkelje, duke përfshirë edhe “injorim të urdhrave për ndalesë, përpjekje për arratisje dhe mungesë të informacioneve për navigim dhe ngarkesë”.