• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

15:00/ 15 nëntor/ 2025

Shkup – Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot do ta vazhdojë mbledhjen për Propozim – buxhetin për vitin 2026. Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB. “Ky nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela, ky është një mesazh ekonomik stabiliteti, besimi dhe zhvillimi, si dhe dëshmi e qartë e menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike që kemi krijuar dhe po vazhdojmë me kapacitet të plotë”, tha dje ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila shpjegoi Propozim -Buxhetin e vitit 2026 para komisionit amë të Kuvendit.

Shkup - Propozim- buxheti për vitin 2026 synon konsolidimin fiskal, me qëllim uljen e deficitit dhe rritjen ekonomike. I projektuar për të mbështetur familjet, për të forcuar mbrojtjen sociale dhe për të investuar në sektorët kyç që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska në konferencën e sotme për shtyp. Mes përfitimeve kryesore për qytetarët, siç theksoi Stojanoska, janë përmirësimi i mbrojtjes sociale dhe pensioneve. "Mjetet e pensioneve janë rritur për 10.7%, ose 10.3 miliardë denarë më shumë, gjë që mbështet drejtpërdrejt pensionistët në kushte të rritjes së kostove të jetesës. Ndërsa mjetet totale të mbrojtjes sociale janë rritur për 7.8%, duke përfshirë mbështetjen për të papunët, fëmijët dhe grupet e cenueshme”, theksoi ajo.

Shkup – Mbledhja e pestë e Komitetit të Përzier për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë solli dimension të ri të bashkëpunimit dypalësh energjetik, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë rajonale dhe sigurisë në furnizimin me energji, informojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Një delegacion i Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, i udhëhequr nga sekretari shtetëror Goran Jovanovski, mori pjesë në seancën e Komitetit të Përzier, në të cilën, siç thuhet në kumtesë, u konfirmuan prioritetet dhe angazhimet e përbashkëta strategjike në sektorin e energjetikës. Grupet e punës së ekspertëve nga të dy ministritë e Energjetikës koordinuan pikat strategjike që do të avancojnë infrastrukturën energjetike, efikasitetin dhe inovacionin.

Shkup – Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së dje mbajti mbledhje në të cilën ishin miratuar shumë vendime të rëndësishme në lidhje me përgatitjet për Kongresin e ardhshëm të rregullt të partisë, të caktuar për 6 dhjetor në Kavadar.  “U mor vendim për zgjedhjen e delegatëve që do të marrin pjesë dhe do të vendosin në Kongres. Mbi 800 delegatë do të marrin pjesë në Kongres, ndërsa sekretari i përgjithshëm Gjorgjija Sajkoski u autorizua të përcaktojë listën përfundimtare të delegatëve në përputhje me statutin e VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu u formua këshill organizativ për përgatitjen e Kongresit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. Në Komitetin Qendror ishte marrë vendim për shkarkimin e Ilia Stoilev nga vendi kryetar i Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE Sveti Nikollë, pas rastit me keqpërdorimin e mjeteve në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Shkup - Spitali Special për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative "13 Nëntori" është një institucion i shkëlqyer në vendin tonë në këtë fushë. Në bashkëpunim të vazhdueshëm me udhëheqësinë e spitalit po punojmë në përmirësimin e kushteve për këtë kategori specifike pacientësh, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në hapjen e konferencës së parë ndërkombëtare për mjekësi geriatrike dhe paliative me pjesëmarrje ndërkombëtare, e cila u mbajt dje në Shkup. Ministri Aliu rikujtoi se gjatë muajve të kaluar ky institucion është përforcuar me staf profesional, duke u punësuar gjithsej 48 persona, prej të cilëve 23 kujdestarë, 22 higjienistë, dy shoferë dhe një laborant.

Shkup- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga sot, do të kryesojë Forumin Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese (BCCF) vitin e ardhshëm dhe do të jetë nikoqire e Forumit të 4-t, i cili do të mbahet në vend, më 12 dhe 13 nëntor 2026. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, zyrtarisht mori kryesimin e Takimit të 3-të Vjetor të Forumit Ballkanik, i cili u mbajt në Antalia, Republika e Turqisë. Kostadinovski, siç njoftuan nga Gjykata Kushtetuese, do ta përfaqësojë Forumin në tubime rajonale dhe ndërkombëtare dhe konferenca gjatë vitit të ardhshëm. 

Shkup– Në organizim të Shoqatës së qytetarëve “16 Marsi 2025” nga Koçani dhe nisma “Kush e ka radhën”, sot mbahet marshi i 30-të protestues “Marshi për engjëjt” i cili do të fillojë nga sheshi “Maqedonia”.  Siç bëjnë të ditur organizatorët, marshi ka për qëllim ta përkujtojë publikun për nevojën për një luftë të vazhdueshme dhe të bashkuar për drejtësi. “Jemi të vetëdijshëm se rruga drejt drejtësisë do të jetë e gjatë dhe e vështirë, e mbushur me rezistencë dhe qëllime të shtrembëruara. Por nëse gjejmë pikën e përbashkët dhe qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, sistemi nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të veprojë siç kërkon populli”, thonë organizatorët.

Shkup- Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur me mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve. Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes. Këta që dikur pozonin si shpëtimtarë të shqiptarëve, sot nuk kanë guximin të japin as një deklaratë. Heshtja e tyre nuk është taktikë, është kapitullim. BDI tentoi të shesë “reformë” me Blerim Bexhetin, por qytetarët janë lodhur nga paketimi i vjetër me letër të re. Kush tenton të rikthejë të dështuarin si shpëtimtar, vetëm dëshmon se ka mbetur pa ide, pa njerëz dhe pa fytyrë politike.

Shkup - U.D. kryetari i Gostivarit dhe kandidati i AKI-së në zgjedhjet e 19 tetorit, Valbon Limani, deklaroi në emisionin Stadion të Kanal 77 se koncepti i “zgjedhjeve të përsëritura” nënkupton domosdoshmërinë e zhvillimit të garës me të njëjtët kandidatë si në raundin e parë. Ai theksoi se interpretimet juridike që ka marrë nga ish-gjyqtarë dhe ekspertë të së drejtës konfirmojnë se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë. “Nuk mund të ndodhë që unë të kërkoj census prej 17 mijë votash më 19 tetor, ndërsa një kandidat i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e garës, të bëhet kryetar komune me 5 mijë vota pa asnjë census. Kjo e cenon barazinë dhe e shtrembëron demokracinë”, u shpreh Limani.

Shkup – Prej sot hyn në fuqi detyrimi për përdorim të detyrueshëm të pajisjes dimërore për automjetet, i cili do të zgjasë deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.  “Për të shmangur gjobat dhe shkeljet në komunikacion, duhet ta harmonizoni automjetin tuaj në përputhje me kërkesat e përcaktuara: automjete deri në 3.500 kg - kërkohen goma dimërore në të gjitha rrotat me thellësi të sipërfaqes prej të paktën katër milimetra, ose goma verore me të njëjtën thellësi, me zinxhirë bore të detyrueshëm, automjete me të gjitha rrotat aktive (4x4) - goma dimërore me thellësi prej të paktën gjashtë milimetra, ose goma verore me thellësi minimale prej katër milimetra dhe zinxhirë bore, automjete mbi 3.500 kg - goma dimërore me thellësi prej gjashtë milimetra në rrotat aktive, ose goma verore me thellësi minimale prej katër milimetra, me zinxhirë bore të detyrueshëm”, informojnë nga Lidhje Auto-moto e Maqedonisë.

Shkup – Nesër moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Në orët e mëngjesit në disa lugina do të ketë paraqitje të mjegullës, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Temperaturat minimale do të lëvizin prej -3 deri 5 gradë, ndërsa ato maksimale do të lëvizin prej 16 deri në 20 gradë.  Në Shkup, në mëngjes në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së dobët. Gjatë ditës moti do të jetë me diell dhe kryesisht i qetë me vranësira të vogla deri mesatare. Temperaturat do të lëvizin prej minimum 1 deri në maksimum 16 gradë. 

Moskë- Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, deklaroi mbrëmë se Moska nuk planifikon të sulmojë NATO-n, por paralajmëroi se do t'i përgjigjet çdo sulmi nga Aleanca me të gjitha mjetet në dispozicion. Duke komentuar deklaratën e një gjenerali gjerman në lidhje me gatishmërinë e NATO-s për luftë me Rusinë, ajo theksoi se përfaqësuesit e Aleancës po kryejnë "fushatë të koordinuar të përditshme të përgatitjes psikologjike të popullsisë për konflikt, duke përdorur Rusinë si kurban për problemet e brendshme".

Kiev – Në sulmet e mbrëmshme ajrore ruse mbi qytetin ukrainas Dnjepër dhe mbi rajonin Sinelnikove humbën jetën dy persona. Sulmet shkaktuan zjarr mbi objekte dhe shtëpi private, një ndërtesë pesëkatëshe, gazsjellës dhe automobila.  Mbrojtja kundërajrore ukrainase në Telegram njoftoi se gjatë natës ka kapur dhe shkatërruar dy raketa balistike “Kinxhall” dhe 91 fluturake pa pilot.  Një raketë dhe 41 dronë goditën caqe në 13 vende në Ukrainë.  Në ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrëmë ishin kapur dhe shkatërruar 64 dronë ukrainas. 

Uashington – Në një burg në shtetin federal amerikan Karolina e Jugut është qëlluar 44-vjeçari Stiven Brajant, i dënuar për vrasje të tre burrave në vitin 2004.  Brajant ka vrarë tre burra për pesë ditë. Në vendin e krimit, ai ka lënë porosi të shkruar me gjakun e viktimës së tij të fundit: “Më kap nëse mundesh”.  Ai ishte ekzekutimi i 43-të në SHBA këtë vit, që është numri më i madh që nga viti 2012. Edhe tre janë planifikuar para fundit të vitit. 

Nju Delhi – Numri i të vdekurve në shpërthimin e mbrëmshëm në një stacion policor në pjesën indiane Kashmir u rrit në nëntë, ndërsa 32 janë lënduar. Incidenti ka ndodhur për shpërthimit të eksplozivit të konfiskuar në stacionin policor.  Policia lokale njoftoi se shpërthimi në stacionin e policisë në qytetin Sringar është aksident dhe e përjashtoi mundësinë për sulm. Aksidenti ka ndodhur derisa policë dhe ekspertë të forenzikës e hetonin eksplozivin. Incidenti ndodhi katër ditë pas shpërthimit vdekjeprurës të një automobil-bombe në Nju Delhi, me çka humbën jetën të paktën tetë persona. Autoritetet indiane sulmin e cilësuan si akt terrorist.

Остани поврзан