• петок, 20 февруари 2026
MIA Flesh

15:00/16 shkurt/2026

Shkup -  Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski sot realizoi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, Ola Sulstrom, i shoqëruar nga zëvendësshefja e misionit, Elizabet Dalberg Frisk. Në këtë takim janë theksuar marrëdhëniet e përkryera bilaterale të të dyja shteteve, të bazuara në besimin dhe respektimin e ndërsjellë, me fokus të veçantë në bashkëpunimin parlamentar dhe ekonomik.

Shkup - Ministria e Shëndetësisë mohon pretendimet se do të ketë shtyrje në miratimin dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen nga duhani dhe paralajmëron se versioni përfundimtar do t'i dorëzohet Qeverisë javën e ardhshme. Faza, thotë nga MSH, i referohet mënyrës së aplikimit në periudhën fillestare, ku faza e parë është me mbikëqyrje të përforcuar, informime dhe paralajmërime, sepse, siç theksojnë, qëllimi është që institucionet, hotelieritë dhe qytetarët të përshtaten, të marrin udhëzime dhe mbështetje të qarta.

Shkup - Ministria e Transportit informon se në koordinim me Komisionin Evropian po punohet për një zgjidhje të përhershme në lidhje me qëndrimin e transportuesve në zonën Shengen, si dhe ministritë përkatëse në periudhën e kaluar kanë qenë në komunikim intensiv me KE-në me qëllim gjetjen e zgjidhjes së problemit. 

Shkup - Në mbledhje qeveritare u miratua Programi i ri për pagesat direkte për vitin 2026, njoftoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski. "Si risi, ose si një reformë e vogël, është bërë një rritje minimale e sipërfaqeve që janë kusht për përdorimin e subvencioneve, me qëllim rritjen e prodhimit vendas të ushqimit", theksoi ministri Tripunovski. Ai theksoi se do të vihet një fokus serioz në kontrollet në terren që do t’i kryejnë institucionet kompetente, në mënyrë që mjetet të arrijnë tek fermerët e vërtetë.

Shkup - Lidhja e Sindikatave nesër do ta realizojë bllokadën e fundit me kërkesë për rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha pagave për 100 euro. Institucioni i fundit, i cili do të bllokohet është Qeveria. Do të bllokohen hyrjet e Qeverisë nga ora 11. Bllokada, thonë nga LSM është për shkak të asaj që Qeveria dhe punëdhënësit deri më 31 dhjetor nuk janë dakorduar rreth kërkesës së sindikatës për rritje të pagave të të punësuarve dhe për shkak se Qeveria vitin e kaluar nuk e ka pranuar propozimin që të subvencionojë një pjesë të kontributeve që të munden punëdhënësit ta rrisin pagën minimale.

Shkup - Intelegjenca artificiale nuk i zëvendëson njerëzit, por njerëzit që e përdorin do t'i zëvendësojnë ata që nuk e përdorin. Si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ajo ndihmon që punët të kryhen më shpejt, më efikas dhe më saktë, analizat të bëhen më shpejt dhe në mënyrë sistematike, tekstet të përgatiten më shpejt. Këtë sot në Kuvend e deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili mori pjesë në debatin publik të dedikuar raportit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) për pëgatitjen e sektorit publik për përdorimin e intelegjencës artificiale. 

Shkup - Sa i përket mundësisë së përdorimit të inteligjencës artificiale në sektorin publik, duhet të jemi të vetëdijshëm se po vjen një epokë në të cilën, pa inteligjencën artificiale, nuk do të jemi në gjendje ta kuptojmë zhvillimin e institucioneve tona në sektorin publik, as zhvillimin në sektorin privat, as jetën dhe të folurit tonë të përditshëm, tha sot kryerevizori shtetëror Maksim Acevski në debatin publik pas raportit përfundimtar të ESHR-së për revizionin e kryer të suksesit me temë: "Mundësia e përdorimit të inteligjencës artificiale në sektorin publik".

Shkup - Nuk do të ketë shkurtim të subvencioneve, por do të vendosen kushtëzime shtesë në pjesën e prodhimtarisë. Qëllimi është që të rritet prodhimi i ushqimit dhe mbështetja foinanciatre që ta marrin bujqit e vërtetë, porositi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

Shkup - Komuna e Sarajit informoi se prej sot deri më 23 shkurt, qytetarët t'i paraqesin dëmet nga përmbytjet e djeshme në territorin e kësaj komune. "Të gjithë banorët e vendbanimeve të Komunës së Sarajit, të cilët janë prekur nga vërshimet e dendura të ditëve të fundit, mund të paraqesin fletëparaqitje për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në objekte banimi, objekte ndihmëse, pajisje dhe pasuri të tjera. Komisioni i formuar nga Komuna do të dalë në teren për verifikimin e fakteve dhe vlerësimin e dëmeve të raportuara. Afati për dorëzimin e fletëparaqitjeve është nga 16 deri më 23 shkurt. Pas përfundimit të këtij afati, kërkesat e dorëzuara nuk do të merren në shqyrtim", potencojnë nga Komuna. 

Shkup - Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe sot njoftoi se nuk ka asnjë lidhje me asnjë kompani për marihuanë në vend. "Përsëri, kjo është një përpjekje për të shpërqëndruar dhe për të shmangur përgjigjen e pyetjes së vërtetë - Si kanë kaluar pesë ton marihuanë, katër-pesë kamionë përmes kufirit dhe përfunduan në Serbi? Cila është kompania e përmendur në dokumentin e prokurorisë serbe dhe a ka lidhje me disa persona nga pushteti aktual? Si ka kaluar kontrollet policore dhe doganore në kufi? Gjithçka tjetër është shpërqendrim", tha Filipçe në konferencën për mediat, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për lidhjen me kompaninë për marihuanë.

Shkup - Drejtori i NP "Infrastruktura hekurudhore", Sinisha Ivanovski, në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se është hapur edhe tuneli i fundit nga gjithsej 15-të në pjesën e ndërtimit të hekurudhës Beljakovc-Kriva Pallankë, informojnë nga Ministria e Transportit.

Tetovë - Në kuadër të procesit gjyqësor pas propozim-aktakuzës së paraqitur për disa vepra penale që lidhen me ndërtimin e objektit të ri për nevojat e teatrit dhe bibliotekës së Tetovës, për të cilat akuzohen katër persona dhe një person juridik, sot u u dëgjuan ekspertët e propozuar nga Prokuroria. Ata para gjykatës paraqitën një Gjetje dhe Mendim të përgatitur për pjesën ekonomike dhe ndërtimore në ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë.

Shkup - Faza pilot e sistemit kombëtar të e-faturimit po zbatohet me sukses në kushte reale dhe tashmë po tregon rezultate të matshme të cilat konfirmojnë përgatitjen aktive të bashkësisë së biznesit për modelin e ri të faturimit dixhital, kumtoi sot Drejtoria e të Ardhurave Publike. Deri në këtë moment, për testim janë paraqitur 148 kompani, prej të cilave 57 janë regjistruar me sukses në sistem. Nga këto, 15 kompani po e përdorin në mënyrë aktive sistemin dhe kanë krijuar dhe dorëzuar 1.115 e-fatura, pas çka me 396 fatura të verifikuara me sukses përmes platformës.

Shkup - Agjencia e pagesave vazhdoi të funksionojë normalisht. Nuk mund të them se kur do të ketë thirrje të reja IPARD, por di se tashmë po punohet në përgatitjen e dokumentacionit për akreditimin e masave të reja, deklaroi sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovki. Në brifingun me gazetarët, Tripunovski informoi se muajin e ardhshëm do të udhëtojë për një takim në Bruksel, i cili tashmë është paralajmëruar.

Shkup - Uji në Shkup është i sigurt për pije, tregon raporti më i ri javor i NP "Ujësjellës dhe Kanalizim". Sektori për kontroll sanitar në periudhën nga data 09.02.2026 deri më 13.02.2026 ka marrë 192 mostra për analiza fiziko-kimike dhe 192 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit për pije nga 48 stacione matëse në qytetin e Shkupit.

Shkup - Nga mesnata, çmimet e EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të rriten për një denar, ndërsa ato të EURODIZEL dhe vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) nuk ndryshohen. Sipas vendimit të sotëm të Komisionit Rregullator, çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS rritet për 0,233 den/kg dhe tani do të arrijë në 33,883 den/kg.

Shkup - Gjatë javës së kaluar, ekipet e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale-Shkup ngritën dhe transportuan 653 metra kub mbeturina nga disa deponi të mëdha ilegale të vendosura në pothuajse të gjitha komunat e Shkupit. "NP Higjiena Komunale-Shkup ndërhyri përsëri në bulevardin Nikola Karev (Rruga Plastiçarska), ku u ngritën rreth 60 metra kub mbeturina të përziera komunale nga tre deponi të vogla të egra", thuhet në kumtesën nga ndërmarrja publike. 

Shkup – Sot nga fundi i ditës, gjatë natës dhe nesër do të ketë reshje, të cilat herë pas here në disa vende do të jenë më të bollshme. Në male reshjet do të jenë në formë dëbore, ndërsa në zonat më të larta të shiut dhe dëborës. Në pjesët lindore do të ketë kushte për bubullima të rralla.

Bruksel - Eurokomisarja për Mesdheun, Dubravka Shuica, do të udhëtojë në Uashington për të marrë pjesë si vëzhguese në takimin e Bordit për Paqen, i formuar nga presidenti amerikan Donald Tramp. Komisioni Evropian nuk do të bëhet anëtar i këtij organi, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersie.

Budapest - Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio, filloi vizitën e tij zyrtare në Hungari dhe sot në Budapest bisedoi me përfaqësues zyrtarë hungarezë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban. Siç transmetuan mediat hungareze, ata diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, veçanërisht proceset e paqes dhe marrëdhëniet energjetike midis SHBA-së dhe Hungarisë.

Moskë - Në negociatat në Gjenevë për Ukrainën do të diskutohet një gamë më e gjerë çështjesh se sa në Abu Dabi, përfshirë edhe territoret, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. Ai tha se delegacioni rus në negociatat e ardhshme do të jetë më në numër, ku përveç përfaqësuesit special të presidentit rus Vlladimir Medinski, do të marrin pjesë edhe zëvendësministri i Jashtëm, Mihail Galuzhin dhe shefi i Drejtorisë kryesore të inteligjencës së Shtatmadhorisë së forcave të armatosura, Igor Kostjukov.

Остани поврзан