• среда, 24 јули 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 29 maj/ 2024

Shkup - Kuvendi në kuadër të seancës konstitutive dje i verifikoi mandatet e 118 deputetëve, ndërsa me 76 vota "për" dhe gjashtë "kundër" e zgjodhi Afrim Gashin kryetar të Kuvendit. Me zgjedhjen e tij dhe dhënien e betimit solemn përfundoi seanca konstitutive e Kuvendit. Kuvendi në kuadër të seancës konstituive, me 101 vota "pro" nga gjithsej 117 të pranishëm, e miratoi raportin e Komisionit verifikues dhe me këtë i verifikoi mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu ndërpre mandati deputetëve nga përbërja e vjetër parlamentare. Deputetët e rinj që janë bartës të funksioneve tjera gjithashtu u është ndërprerë funksioni. Gjithsej gjashtë deputetëve u është ndërprerë funksioni në Qeveri, kështu që Qeveria do të kryejë vetëm funksione teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Shkup - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, sot në konferencë për shtyp do të bëjë një pasqyrim të mandatit trevjeçar si kryetare e gjykatës më të lartë në vend. Kacarskës mandati i mbaron më 2 qershor, kur duhet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kushtetueses. Sipas Rregullores së Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjodhi kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjyqtarëve me shumicë prej dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, me votim të fshehtë. Krahas Kacarskës, gjyqtarët aktualë në Gjykatën Kushtetuese nga të cilat deri në fund të muajit njëri do ta marrë funksionin e kryetares janë Naser Ajdari, Osman Kadriu, Darko Kostandinovski, Fatmir Skender, Tatjana Vasiq Bozaxhieva, Elizabeta Dukovska, Jadranka Daboviq Anastasovska dhe Ana Pavlovska Daneva. 

Shkup - Qendra për hulumtime strategjike "Ksente Bogoev" pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) sot organizon debat shkencor me temë "Makroekonomia pas Recesionit të madh 2007 - 2009 - rëndësia e ndryshimeve për shkencën ekonomike dhe për ekonominë e Maqedonisë". Pjesëmarrësit do të diskutojnë për ndryshimet në makroekonominë bashkëkohore, të determinuara nga Recesioni i madh i viteve 2007 - 2009 dhe goditjet që pësuan, respektivisht nga recesioni i shkaktuar nga KOVID-19 në vitin 2020 dhe nga kriza energjetike që filloi në vitin 2021.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite në disa vende moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, ndërsa lokalisht do të ketë kushte për mot të ligë me shi të rrëmbyeshëm intensiv, erë të fuqishme dhe kushte për paraqitje të breshrit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri 13, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 21 deri 29 gradë. Indeksi UV do të jetë 6. Në Shkup mot me diell me vranësira të vogla deri mesatare, pasdite në disa pjesë të luginave mot i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperatura minimale do të bie deri në 11, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 26 gradë.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. Rekomandohet shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë. 

Moskë - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin iu kërcënua Evropës me pasoja serioze nëse Ukrainës i lejohet në të ardhmen të përdor armë precize me rreze të gjatë veprimi, të dorëzuara nga Perëndimi, në territorin rus. "Ata përfaqësues të NATO-s, veçanërisht në Evropë dhe veçanërisht në vendet e vogla, duhet të kuptojnë se me çfarë po luajnë", tha Putini në fund të vizitës së tij shtetërore në Uzbekistan.

Osllo - Ndalesa për hyrje të turistëve rusë në Norvegji hyn sot në fuqi pas urdhërit të Qeverisë së vendit, e cila këtë hap e paralajmëroi javën e kaluar. Udhëtimet tranzit përmes Norvegjisë në vende të tjera evropiane, duke përfshirë edhe Finlandën, gjithashtu janë pamundësuar. Siç m[ herët saktësoi Qeveria norvegjeze, rregullat e reja nuk do të zbatohen për rusët që udhëtojnë në Norvegji për të vizituar të afërmit e tyre, për poseduesit e vërtetimeve se janë banorë në zonën kufitare, të vizave studentore dhe të punës, si dhe lejet për qëndrim në vendet e zonës Shengen.

Pragë - Nisma e Çekisë për të përshpejtuar dërgimin e armëve në Ukrainë ka mbledhur 1,6 miliardë euro, ndërsa dorëzimi i parë do të bëhet pas disa ditësh, deklaroi mbrëmë kryeministri çek Petr Fiala. Ai theksoi se mjetet janë dhuruar nga 15 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por nuk ka dhënë detaje. Fiala e përsëriti qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se vendet perëndimore duhet të heqin kufizimet me të cilat Ukrainës i ndalohet përdorimi i armëve të dhuruara për të sulmuar territorin rus.

Paris - Disa mijëra persona protestuan mbrëmë në kryeqytetin e Francës, Paris, për shkak të sulmit izraelit në Rafa. Demonstruesit mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej "Stop gjenocidit". Unioni hebre francez për paqe, nga ana e tij, shfaqi një pankartë "Hebrenjtë dhe anti-sionistët angazhohen për të drejta të barabarta". Populli i mbledhur bërtiste "Izraeli është një vrasës, Makron është bashkëpunëtor", "Ne jemi të gjithë fëmijët e Gazës" dhe "Izraeli po vret fëmijët e Palestinës".

Uashington - Sulmi ajror izraelit ndaj kampit palestinez në Rafah, me ç'rast jetën e kanë humbur dhjetëra civilë, është i tmerrshëm, por kjo nuk do ta ndryshojë operacionin tokësor dhe nuk shkel "linja të kuqe" të SHBA-së, deklaruan mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë. "Izraelitët thanë se ky është gabim tragjik", deklaroi për gazetarët Xhon Kirbi, zëdhënës i Këshillit për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ngjarjet në fundjavë cilësohen si "vdekje dhe shkatërrim", siç thanë disa zyrtarë amerikanë dhe a mund të bëhet shkak për ndërprerjen e ndihmës së mëtejshme ushtarake për Izraelin.

Uashington - Zbatimi i dënimit me vdekje arriti nivelin më të lartë në botë nga viti 2015, njoftoi organizata për të drejtat e njeriut Amnesti interneshënëll. Të paktën 1.153 persona ishin ekzekutuar në vitin 2023 në 16 vende. Numri është rritur për 31 për qind në krahasim me vitin e kaluar kur ishin kryer 883 dënime me vdekje. Shumica e ekzekutimeve, gati tre e katërta e numrit të përgjithshëm në botë, ishin kryer në Iran. Në atë vend në vitin 2023 ishin ekzekutuar të paktën 853 persona, që është rritje për 48 për qind në krahasim me vitin e kaluar.  Në vendin e dytë është Arabia Saudite me 172 ekzekutime, që përfaqëson 15 për qind të numrit të përgjithshëm në botë.

Algjeria – Algjeria dorëzoi një propozim-rezolutë në Këshillit e Sigurimit të Kombeve të Bashkaura me të cilin kërkon armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe urdhëron Izraelin që menjëherë të përfundojë ofensivën ushtarake në qytetin jugor Rafah. Projekt-rezoluta gjithashtu bën thirrje për respektimin e armëpushimit nga të gjitha palët, si dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të marra gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor. Me projekt-rezolutën kërkohet harmonizimi me rezolutat e mëparshme të Këshillit të sigurimit dhe hapjen e të gjitha piakve kufitare dhe qasje humanitare për 2,3 milionë njerëz në Rripin e Gazës të cilët kanë nevojë urgjente për ushqim dhe ndihmë tjetër.

Dallas - Minesota timbervulvs mbrëmë si mysafir e ka mundur Dallas Maveriks në ndeshjen e katërt nga finalja e Konferencës perëndimore në NBA me rezultat 105:100. Rezultati në serinë i pari deri në katër fitore tani është 3:1 për Dallasin. Deri te fitorja e parë, Minesota është udhëhequr nga Entoni Eduards, i cili realizoi dabëll-dabëll - 29 pikë dhe 10 kërcime. Ka pasur edhe nëntë asistime dhe vetëm një e ndau nga efekti i trefishtë. Ndeshja e pestë në seri do të luhet më 31 maj.

Остани поврзан