09:00 / 11 nëntor / 2025
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot do të qëndrojë për vizitë pune në komunën e Resnjës. Siç informon Zyra e presidentes, Siljanovska-Davkova do të takohet me kryetarin e komunës Jovan Tozievski dhe anëtarët e Këshillit të komunës si dhe do të bisedojë me banorët e Resnjës. Është paraparë që ajo të vizitojë edhe Muzeun memorial Tatarçevi dhe Qendrën e kulturës "Dragi Tozija".
Shkup - Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski sot do ta vizitojë fabrikën KOSTAL Maqedoni në ZZHTI Ohër. KOSTAL Maqedoni duke përmbyllur me dhjetorin e vitit 2025 planifikon të realizojë 60 për qind më shumë të ardhura krahasuar me vitin 2024. Vitin 2026 e fillon me cikël të ri investues prej mbi 30 milionë euro, 200 vende të reja të punës dhe rritje prej 20 për qind të të ardhurave krahasuar me këtë vit.
Shkup - Këshilli për bashkëpunim rajonal (RCC), me përkrahje të Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Italisë (MAECI) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, e në partneritet me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, sot dhe nesër në Shkup e organizojnë Konferencën e 10-të vjetore rajonale për koordinim të sigurisë ("Jumbo"). Duke e shënuar 10-vjetorin e saj, konferenca e sivjetshme e sigurisë do t'i tubojë ministrat, përfaqësuesit e lartë qeveritarë, partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët për siguri nga tërë Ballkani Perëndimor për të biseduar për sfidat e përbashkëta të sigurisë, bashkëpunimit rajonal dhe përtëritjes së besimit dhe rezistencës.
Shkup - "Lidhja e Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut: Rritja e biznesit dhe partneritetet" është tema e forumit të biznesit që do të mbahet sot në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Ngjarja ka për qëllim të inkurajojë shkëmbimin e biznesit, investimet dhe zhvillimin e partneriteteve të reja midis kompanive zvicerane dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, përmes shkëmbimit të përvojave, ideve dhe vizioneve për të ardhmen e të dy ekonomive. Fjalë hyrëse do të kenë Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Kristof Zomer, ambasador i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut dhe Oliver Bertshinger, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Zvicrës dhe Evropës Qendrore - SEC.
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë vende-vende të lagështa, kumtoi LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira, paradite me reshje të kohëpaskohshme të shiut lokal. Do të fryjë erë e lehtë deri mestare, në disa vende përgjatë lumit Vardar erë kohëpaskohe e fuqishme nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 6 deri në 11, ndërsa ajo maksimalja do të arrijë nga 11 deri në 17 gradë. Në Shkup do të mbajë mot kryesisht me vranësira të kohëpaskohshme dhe reshje të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet deri në 9, ndërsa ajo maksimalja do të arrijë 16 gradë.
Gjenevë - Miliona refugjatë dhe njerëz të zhvendosur në mbarë botën po përgatiten për një dimër të ftohtë me shumë më pak ndihmë sesa në vitet e kaluara, kumtoi Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR). Dominik Hajd nga UNHCR-ja deklaroi se, për shkak të reduktimit të papritur të ndihmës nga Gjermania, SHBA-ja dhe shumë vende të tjera, mbështetja për refugjatët këtë dimër do të jetë "shumë më e vogël". "Buxhetet humanitare janë të sforcuara deri në kufij dhe ndihma dimërore që ofrojmë do të jetë shumë më e vogël këtë vit", tha Hajd.
Uashington - Senati amerikan mbrëmë vonë e ka miratuar ligjin për financim, për t'i dhënë fund bllokadës më të gjatë të Qeverisë në historinë e SHBA-së, ndërsa akti tani duhet të gjendet edhe në Dhomën e Poshtme të Kongresit, njoftoi DPA. Gjashtëdhjetë senatorë votuan për ligjin, ndërsa 40 ishin kundër. Me masën, Qeveria amerikane tani do të financohet deri në fund të janarit. Votimi paraqet avancim politik pas bllokadës 41-ditore, gjë që la qindra mijë nëpunës federalë pa paga dhe i ka shkelur shërbimet publike.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë deklaroi se administrata e tij bashkëpunon me Izraelin me qëllim që vendi të arrijë marrëveshje të mirë me Sirinë, ku presidenti, Ahmed al-Shara, dje ishte pritur nga ai në Shtëpinë e Bardhë. "Njerëzit thonë që al-Shara ka pasur një të kaluar të vështirë. Të gjithë ne kemi pasur të kaluar të vështirë", u tha Trampi gazetarëve, duke iu referuar presidentit sirian, i cili më herët ishte në listën e zetë të terroristëve në Uashington, transmetojnë mediat britanike. Dje, pas takimit mes Trampit dhe Al-Shiras në Uashington, Ministria e Financave të SHBA-së njoftoi se SHBA-ja përkohësisht, në 180 ditët e fundit, e ka pezulluar zbatimin e sanksioneve të "Ligjit të Cezarit" kundër Sirisë
Bejrut - Hanibal Gadafi, djali më i vogël i ish liderit libian Moamer el- Gadafi, është liruar pas një dekade paraburgimi pa gjyq në Liban. Lajmi u konfirmua nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve Libaneze (NNA). Hanibal Gadafi u mbajt në paraburgim që prej vitit 2015, nën akuzën se kishte fshehur informacion mbi zhdukjen misterioze të klerikut shiit libanez Musa al-Sadr në vitin 1978, gjatë një vizite në Libi. Në atë kohë, Hanibal ishte vetëm 2 vjeç, ndaj shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar çështjen si absurde dhe politike. Sipas NNA-së, lirimi i tij erdhi pasi avokatët paguan një garanci prej 900 mijë dollarësh, ndërsa gjykata hoqi edhe ndalimin e udhëtimit për të. Fillimisht, lirimi ishte vendosur me kusht prej 11 milionë dollarësh, por shuma u ul pas apelimit të mbrojtjes.