12:00 / 17 shkurt / 2026
Shkup - Në sezonin e verës nga Shkupi do të fluturohet për në Palermo dhe për Algero në Itali. Me fillimin e orarit të verës së fluturimeve, nga fundi i marsit, aeroporti i Shkupit do ta zgjerojë rrjetin e vet të linjave me edhe dy relacione - drejt Budapestit dhe Napolit, ndërsa aeroporti i Ohrit do të ketë linje të re deri në Milano. Në maj "Austrian Erlajns" do të fillojë me fluturime nga Ohri deri në Vjenë, ndërsa në qershor "Vizer" do të vendos edhe dy linja të reja nga Ohri deri në Katovice dhe Vrocllav. "Edhe dy linja të reja nga aeroporti i Shkupit! Lajme të bukura për të gjithë që dëshirojnë të udhëtojnë, si dhe për të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë Maqedoninë. Nga 15 korriku nga Shkupi do të mund të fluturohet edhe deri në Palermo, ndërsa nga 18 korriku për Algero, Sardini. Me këto dy linja të reja të 'Vizer"-it pritet edhe më shumë ta rrisin qarkullmin ajror në aeroportin e Shkupit, i cili në vitin 2025 ka pasur vit rekord me mbi 3,2 milionë udhëtarë dhe me linjat e reja bëhet lider në rajon", publikoi sot në "Fejsbuk" zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Shkup - Çdo denar nga buxheti duhet të ketë arsyetim ekonomik dhe një qëllim zhvillimi. Politika jonë fiskale bazohet në konsolidimin fiskal dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike. Këto qëllime nuk janë kontradiktore, por përkundrazi të ndërlidhura - tha sot Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Në fjalimin e saj në panel-diskutimin "Përforcimi i menaxhimit me ndihmën shtetërore në Ballkanin Perëndimor: transparencë, efektivitet dhe harmonizim me BE-në", Dimitrioska-Koçoska vuri në dukje se disiplina fiskale do të thotë zvogëlimi i shpenzimeve joproduktive dhe orientimi i mjeteve aty ku ato do të krijojnë vlerën më të madhe të shtuar. Në këtë kuadër, shtoi, ndihma shtetërore është një instrument që duhet të hartohet me kujdes, të synohet dhe të vlerësohet vazhdimisht.
Shkup - Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka përcjell urimet më të përzemërta për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. “Kjo festë, është një moment reflektimi dhe krenarie kombëtare, që mishëron sakrificën, përkushtimin dhe vizionin për liri e shtetndërtim. Pavarësia e Kosovës përfaqëson triumfin e vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të orientuar drejt së ardhmes evropiane”, shkruan Gashi.
Shkup - Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka marrë pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, nën mikpritjen e ambasadorit Florian Qehaja me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. Sipas Mexhitit, 17 Shkurti mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. “Festuam për Kosovën, në pritjen e organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut nën mikpritjen e ambasadorit Florian Qehaja, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. 17 Shkurti mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Është ditë kujtese për sakrificën, përpjekjen dhe vendosmërinë që sollën lirinë dhe shtetin e pavarur. Me respekt dhe krenari, uroj që Kosova të vazhdojë të ecë përpara, të forcojë shtetin e saj dhe të ndërtojë një të ardhme të sigurt për qytetarët.
Shkup - Qytetarët e Kosovës sot shënojnë 18-vjetorin e themelimit të shtetit. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari dhe me Propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Shkup - Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot, duke filluar nga ora 11, do të mbajë protestë para Qeverisë, në bulevardet Ilinden dhe Shën Klimenti i Ohrit. Për shkak të protestës, nëse është e nevojshme, komunikacionit do të rikahëzohet në rrugët përreth, kumtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme. "Për këto arsye, Njësiti i Sigurisë në Qarkullimin Rrugor do të marrë masa për një regjim të posaçëm qarkullimi në rrugët përreth trasës së lartëpërmendur", theksojnë nga MPB dhe apelojnë qytetarët që të respektojnë urdhrat e nëpunësve policorë.
Shkup - Drejtoria e të Ardhurave Publike ka përfunduar regjistrimin dhe çregjistrimin vullnetar të tatimpaguesve për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Nga DAP sot informojnë se bazuar në kërkesat e parashtruara gjatë janarit, është përfunduar regjistrimi i 1.199 tatimpagues, për të cilët është marrë po aq numër vendimesh për regjistrim të detyrueshëm dhe vullnetar për TVSH-në.
Shkup - Në rajonin e Tetovës nuk ka njoftime të reja për derdhje të lumit Vardar në afërsi të fshatit Forinë, ku dje u regjistrua dalje e ujit nga shtrati dhe përmbytje, bën të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Në Rajonin e Manastirit, përmes numrit të vetëm të emergjencës 112 është marrë njoftim nga një banor i rrugës "Bukvski most" për një shtëpi të përmbytur. Rasti është paraqitur në NjTKZ për veprime të mëtejshme. Niveli i lumit Crna Reka në fshatin Novaci është 310 cm. Në SEL - Dollnen këtë mëngjes është realizuar kontakt dhe pritet ndërhyrje në rrugën nga fshati Slivje deri në fshatin Kostinc e cila është në gjendje të keqe. Aktivitetet do të kryhen me mekanizim nga NP "Rrugët e Maqedonisë".
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë kryesisht të lagështa, në vendet më të larta në pjesët perëndimore të vendit me mbetje të vogla të borës. Reshje të borës me intensitet të ndrysheshëm janë regjistruar në Kodrën e Diellit, në Mavrovë dhe në qafën malore Strazhë. Në qafën malore Bukovë, reshjet janë me shi dhe borë. Siç informoi NP "Rrugët e Maqedonisë", të gjitha akset rrugore në vend janë të kalueshme. Nga ora 7:50, për shkak të reshjeve të borës, hiqet ndalesa për qarkullimin e kamionëve në aksin rrugë Gostivar - Kërçovë përmes qafës malore Strazhë, nga ora 7:55 hiqet ndalesa për qarkullimin e kamionëve në rrugën Mavrovë - Dibër, dhe nga ora 9, për shkak të reshjeve të borës në aksin rrugor Tetovë - Kodra e Diellit, hiqet ndalesa për qarkullimin e autobusëve, ndërsa për llojet e tjera të automjeteve është i detyrueshëm përdorimi i pajisjeve dimërore.
Shkup - Më së shumti shi në 24 orët e fundit, deri në orën 7 në mëngjes, ka rënë në Pozharane, 23 litra për metër katror, kumtuan nga DPHM-ja. Pastaj 22 - Hanet e Mavrovës, 14 - Tetovë, 12 - Ohër, 8 - Kodrën e Diellit, 6 - Pretor, Lazaropole, 5 - Krushevë, 4 - Gjevgjeli, 2 - Berovë, Manastir, 1 - Shkup-Zajçev Rid, Prilep, Strumicë, Topolçan. Mëngjesin e sotëm më ftohtë ishte në Kodrën e Diellit me -3 gradë Celsius, ndërsa më ngrohtë në Gjevgjeli, 6 gradë.
Gjenevë - Para fillimit të negociatave në Gjenevë për ndërprerje të luftës në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se diplomacia do të jetë më efikase kur bazohet në drejtësi dhe forcë. "Fuqia e presionit mbi Federatën ruse - presion nga sanksionet dhe mbështetje e qëndrueshme dhe e shpejtë për armatën ukrainase dhe mbrojtjen tonë ajrore", shkroi ai në rrjetet sociale. Negociatorët rusë dhe ukrainas kanë arrit tashmë në Gjenevë, ku me ndërmjetësimin e një delegacioni amerikan do të zhvillojnë raund të ri negociatash për t'i dhënë fund luftës.
Napoli - Një zjarr shpërtheu sot në qendër të Napolit, i cili e përfshiu teatrin "Sanacaro", me ç'rast disa persona janë lënduar më lehtë, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA. Kupola e teatrit u shemb, kurse flakët përfshinë edhe ndërtesat fqinje. Zjarrfikësit ndërhynë shpejt, ndërsa disa persona që thithën tym u dërguan në spital.
Kopenhagë - Bashkimi Evropian duhet urgjentisht të përshpejtojë përgatitjet e tij për rreziqet në rritje që lidhen me ndryshimet klimatike, theksuan klimatologët në një raport të publikuar sot, duke paralajmëruar se përpjekjet në të gjithë bllokun duhet të koordinohen më mirë, publikoi DPA. "Ngjarjet ekstreme të motit dhe klimës tashmë po shkaktojnë humbje të mëdha në të gjithë Evropën", tha Otmar Edenhofer, kryetar i Bordit këshillimor shkencor evropian për ndryshimet klimatike, i cili publikoi raportin. "Vetëm nxehtësia ekstreme ka çuar në dhjetëra mijëra vdekje të parakohshme vitet e fundit". Përveç dëmeve në ekosisteme, fatkeqësitë klimatike shkaktojnë humbje ekonomike, të cilat mesatarisht arrijnë në rreth 45 miliardë euro në vit", shtoi Edenhofer.
Islamabad - Të paktën 11 ushtarë pakistanezë janë vrarë në veriperëndim të Pakistanit, në afërsi të kufirit me Afganistanin, në kushte të rritjes së dhunës. Ushtarët u vranë në një sulm në qarkun Baxhaur të Hajber Pahtunhva, ku terroristët e lëvizjes talebane pakistaneze sulmuan një pikë kontrolli sigurie me një automjet të mbushur me eksploziv. Shpërthimi dëmtoi ndërtesa banimi në zonë, duke vrarë një vajzë. Shtatë persona të tjerë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, u lënduan, kumtoi armata.
Sidnei - Një person u vra, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë mbrëmë në një sulm me thikë në Sidnei, publikou DPA, duke iu referuar një kumtese të policisë. Shërbimet e emergjencës u thirrën në një periferi në perëndim të Sidneit rreth orës 10 të mëngjesit sipas kohës lokale për shkak të raportimeve se një burrë kishte goditur me thikë disa persona dhe më pas kishte ikur, kumtoi policia e Uellsit të Ri Jugor. Sulmi ndodhi në një rrugë të ngarkuar. Mjeket u ofruan ndihmë tre personave me lëndime të rënda, përfshirë një burrë të moshës midis 30 dhe 40 vjeç, i cili vdiq në vendngjarje, deklaroi Komisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Sajmon Glaser.
Nju Delhi - Çmimet e naftës kanë rënë në tregtinë aziatike sot, përderisa investitorët vlerësuan rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit pasi Irani zhvilloi ushtrime detare në Ngushticën e Hormuzit pak përpara bisedimeve të planifikuara me SHBA-në për programin bërthamor më vonë gjatë ditës, transmetojnë agjencitë botërore. Fjuçersat për llojin Brent, i cili është referent për Evropë, ranë për 0,47 për qind, ose 32 cent, në 68,33 dollarë për fuçi këtë mëngjes, pasi dje u rritën për 1,33 për qind.
Nju Delhi – Presidenti i Francës, Emanuel Makron mbërriti mbrëmë në një vizitë zyrtare katërditore në Indi. Makron shoqërohet nga katër ministra, përfshirë Katrin Votren për Forcat e Armatosura dhe Rolan Leskjur për Ekonominë, si dhe një numër i madh biznesmenësh. Është planifikuar që gjatë vizitës të nënshkruhet një marrëveshje për shitjen e 114 aeroplanëve luftarakë francezë Rafal në Indi, me vlerë 30 milionë euro. Shumica e aeroplanëve do të prodhohen në Indi.
Uashington - SHBA-ja po sistemon forca ajrore dhe detare në Lindjen e Afërt me dy qëllime - frikësimin e Teheranit dhe të sigurojë opsion për sulm eventual ndaj Iranit nëse dështojnë negociatat për programin bërtamor të Teheranit, deklaruan burime anonime për Si-En-En-in. Sipas tyre, aeroplanë ushtarakë amerikanë, të stacionuara në Britaninë e Madhe, duke përfshirë edhe tankerë për mbushjen e derivateve, po i afrohen Lindjes së Afërt. Po ashtu, SHBA-ja vazhdon të vendos sisteme për mbrojtje kundërajrore në rajon. Sipas të dhënave për ndjekjen e fluturimeve, 250 aeroplanë ushtarakë transportues amerikanë gjatë javëve të kaluara kanë transportuar pajisje nga SHBA-ja për në Jordani, Bahrein dhe Arabinë Saudite.