9:00/ 14 nëntor/ 2025
Shkup - Në Komisionin e Kuvendit për financim dhe buxhet sot duhet të fillojë debati i amandamenteve për Propozim-buxhetin për vitin 2026. Sipas informatave të publikuara në ueb faqen e Kuvendit, janë parashtruar mbi 100 amandamente. Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë euro, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska më 28 tetor, në pres konferencë në Qeveri, kur e prezantoi Propozim-buxhetin, tha se me të janë përfshirë të gjitha politikat kyçe që do të zbatohen në periudhën e ardhshme, me qëllim të qartë që të përshpejtohet rritja ekonomike dhe të arrihet konsolidimi gradual fiskal.
Shkup- Në Qeveri sot është caktuar konferencë për shtyp ku paraqitje do të kenë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe anëtarët e Komisionit intern për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale. Komisioni u formua pasi kardiologu Sashko Kadev në një intervistë për Kanal 77 tha se në disa spitale private po kryhen ndërhyrje të panevojshme me qëllime fitimi, duke përfshirë vendosjen e stenteve dhe operacioneve të panevojshme. Më 4 nëntor, ministri i Shëndetësisë, informoi se nga rreth 25 ankesa të arritura, shtatë të tjera mbeten për t'u shqyrtuar.
Shkup - Fondi për sigurim shëndetësor (FSSH) sot do të shënojë 25 vjet pavarësi dhe funksionim të vazhdueshëm. Në këtë ngjarje siç është paralajmëruar, fjalim do të mbajë kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të Fondit, ndërsa do të prezantohen sukseset kryesore, reformat dhe rezultatet e arritura në 25 vitet e fundit. Ceremonia do të mbahet në Filarmoninë nacionale.
Shkup - Ministria e Financave sot duhet të kryej pagesën e obligacioneve dhe interesit për vitin e dytë të obligacionit qytetar të lëshuar për herë të dytë. Nga Ministria thonë se mjetet në vlerë prej 17,6 milionë eurosh dhe interesi në vlerë prej 880 mijë eurosh do të paguhen në llogaritë e qytetarëve. Obligacionin e dytë qytetar, Ministria e Financave e lëshoi më 7 nëntor të vitit 2023, me afat të mbërritjes prej 2 vitesh dhe normë interesi prej 5 për qind në vit. Interesi nga ky obligacion qytetar për vitin e parë u pagua vitin e kaluar në nëntor, me ç’rast u pagua një shumë prej 54.274.000 denarësh ose 880 mijë euro.
Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore sot në mëngjes zhvillohet pandërprerë, në rrugë kryesisht të thata, informon Lidhja Auto-Mote e Maqedonisë. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Nga LAMM përkujtojnë se prej 15 nëntor në fuqi hyn detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pa marrë parasysh gjendjen momentale të motit
Shkup – Moti sot në mëngjes do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, ndërsa gjatë ditës kryesisht me diell me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -3 deri 4, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 15 deri 20 gradë. Në Shkup, mot me diell me vranësira të vogla deri mesatare dhe me erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të bie deri në 1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 17 gradë.
Londër - Bi-Bi-Si-ja britanike i ka kërkuar falje Donald Trampit mbrëmë për montimin e një fjalimi ku shihet sikur angazhohet për dhunën, duke u përpjekur të eliminojë kërcënimin e veprimeve ligjore, por tha se nuk kishte bazë për një pretendim për shpifje. Bi-Bi-Si tha se drejtori Samir Shah i ka dërguar një letër Shtëpisë së Bardhë ku i kërkon falje qartë Trampit në emër të kompanisë për montimin, duke shtuar se transmetuesi nuk kishte plane për të publikuar dokumentarin Panorama në ndonjë nga platformat e tij. "Ndërsa Bi-Bi-Si shpreh keqardhje të sinqertë për mënyrën se si u montua klipi, ne besojmë fuqimisht se nuk ka bazë për shpifje", kumtoi Bi-Bi-Si.
Varshavë - Shefi i diplomacisë polake, Radosllav Shikorski, mbrëmë e paralajmrëoi Ukrainën se mënyra më e shpejtë për ta humbur përkrahjen e Perëndimit është tolerimi i korrupsionit. "Nëse Ukraina e toleron korrupsionin, atëherë nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian. BE-ja kërkon ndershmëri dhe respektim të rregullave", deklaroi ministri polak i Punëve të Jashtme për televizionin Polsat. Shikorski tha se pikërisht për këtë e ka paralajmëruar zëvendës kryeministrin ukrainas, Taras Kaçka pas skandalit më të ri korruptiv. "Ai ka dëgjuar nga unë, disa herë, se mënyra më e lehtë që Ukraina të humb mbështetjen nga Perëndimi është të tolerojë korrupsionin", tha Shikorski.
Bruksel – Këshilli për Çështje Ekonomike dhe Financiare të BE-së planifikon ndryshimin e Rregullores për dogana, me të cilën do të hiqej rregulli i tanishëm për lirimin nga taksat doganore gjatë importit të mallrave nga vende të treta në Union, vlera e të cilave është deri 150 euro. Sipas propozimit të ministrave të Financave të vendeve anëtare të BE-së, vendimi i tillë do të duhej të miratohej “sa më shpejtë që është e mundur” që të mund të hyjë në fuqi që në vitin 2026. Kjo në praktikë do të nënkuptojë se pas miratimit të ndryshimeve banorët e BE-së për çdo porosi nga sajtet kineze për tregti elektronike Temu, Shein dhe AliEkspres do të duhet të paguajnë dogana sipas të taksave të konfirmuara doganore që vlejnë për të gjitha mallrat që importohen në Union.
Ramallah - Autoriteti palestinez mbrëmë njoftoi se dy 15 vjeçarë janë vrarë nga zjarri izraelit në afërsi të Hebronit, në Bregun Perëndimor, ku armata izraelite më herët ka njoftuar se "ka eleminuar dy terrorist". Ministria e Shëndetësisë palestineze pa dhënë detaje shtesë publikoi emrat e dy 15-vjeçarëve të vrarë dhe deklaroi se ata u vranë nga "plumba okupues (izraelitë)" pasdite pranë Beit Omarit, në veri të Hebronit. Armata izraelite më herët njoftoi se ushtarët të cilët ishin në operacion në sektorin Karmei Cur, një vendbanim izraelit pranë fshatit palestinez Beit Omar, disa kilometra në veri të Hebronit, "eliminuan dy terroristë që po përgatitnin një sulm".
Uashington - SHBA-ja ka shpallur katër grupe në Gjermani, Itali dhe Greqi si terroristë globalë, duke i akuzuar se janë "antifa të dhunshëm". Sekretari i shtetit Marko Rubio deklaroi se i ka shpallur anëtarët e grupeve Antifa Ost, Federatën Informale Anarkiste/Frontin Ndërkombëtar Revolucionar (FAI/FRI), Mbrojtjen revolucionare të klasës dhe Drejtësinë e armatosur proletare si "Terroristë globalë të përcaktuar special", duke vazhduar politikën e Trampit për "kundërshtimin e fushatës së dhunës politike të Antifas". Rubio theksoi se ka qëllim t’i shpallë këto grupe si "organizata terroriste të huaja" nga 20 nëntori dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të synojë edhe grupe të tjera në mbarë botën, raporton Hina.