• четврток, 25 декември 2025
MIA Flesh

18:00 / 19 dhjetor / 2025

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti Abdulla Eren, kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim - TIKA dhe bashkëpuntorët e tij. "Duke akceptuar bashkëpunimin e frytshëm dydekadësh, presidentja theksoi se TIKA gëzon respekt të merituar jo vetëm nga institucionet shtetërore dhe publike, por edhe nga qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe fetare. Në fakt, nuk është rastësi që TIKA-s iu dha një nga dekoratat më të larta shtetërore, Karta e Republikës. Në prag të kremtimit të festës së madhe, 21 dhjetorit - Ditës së Mësimit të Gjuhës Turke, kryetari i TIKA-s kujtoi se TIKA në 20 vitet e fundit ka realizuar më shumë se 1.300 projekte të lidhura me arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, restaurimin e përmendoreve kultutore, ndërtimin e shkollave, rikonstruimin e institucioneve shëndetësore dhe donacionin e pajisjeve spitalore", kumtoi kabineti i Siljanovska-Davkovës. 

Shkup – Laborator të ri mikrobiologjik me kapacitet për kryerje të mbi 20 000 analizave, hapi sot fabrika “Alkaloid” SHA Shkup. Siç bëri të ditur drejtori i përgjithshëm Zhivko Mukaetov, bëhet fjalë për investim në vlerë 3,1 milionë euro. Në hapje mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski.  "Mund të shihnim diçka që është e pranishme në kompanitë farmaceutike më moderne në botë dhe jemi krenarë që kjo është maqedonase. Më shumë se 3.000 punonjës po ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu dhe në përfaqësueset e ‘Alkaloid’, dhe pjesa më e madhe e dosjes së kësaj kompanie, ose mbi dy të tretat, është eksport, i cili ndikon në rritjen e PBB-së dhe prodhimit industrial", deklaroi Mickoski. Qeveria, theksoi kryeministri, gjithnjë do të mbështesë rrëfime të tilla të suksesshme. 

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler, si dhe me përfaqësuesit e Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe mbështetjen permanente cilën Gjermania dhe GIZ-i e ofrojnë në procesin e integrimit evropian të shtetit, me theks të veçantë në përforcimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë për Çështje Evropiane.

Shkup - Delegacioni qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Nikolloski dhe Vllado Misajllovski, sot janë në vizitë pune në Hungari. Siç bëri të ditur shërbimi për informim i Qeverisë, gjatë vizitës, ministrat Misajllovski dhe Nikolloski zhvilluan takime me këshilltarin kryesor për siguri kombëtare, Marcel Biro, si dhe me Mate Loga, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, për zhvillim ekonomik dhe shërbime financiare kombëtare.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar parashtresën e paraqitur nga LSDM për Rezolutën e votuar që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm, theksoi se nuk do t'i komentojë dhe se do ia lë Gjykatës Kushtetuese të marrë vendim për këtë iniciativë. "Nuk kam koment. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese është këtu. Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të marrë vendim për iniciativën e LSDM-së. Më vjen shumë keq që LSDM nuk ishte brenda Kuvendit për të votuar Rezolutën me të cilën do të angazhoheshim bashkërisht se çdo Qeveri që do të jetë në Maqedoni nuk do të lejojmë ndërtimin e kampeve të emigrantëve, se nuk do lejojmë pranimin e asnjë lloj emigrantësh ose aplikimeve të pasuksesshme për azil që janë rezultat i çdo marrëveshje dhe çdo politike. Ata vendosën të kalkulojnë dhe lëshuan sallën. Shpreh keqardhje, sepse më parë ata zhvilluan një fushatë të rreme se jemi pajtuar për diçka për të cilën nuk kishim rënë dakord. Ja, le të vendosë Gjykata Kushtetuese. Unë nuk komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E kam thënë këtë shumë herë në të kaluarën", ka thënë Mickoski pasi vizitoi fabrikën e Alkaloidit SHA Shkup.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka zhvilluar një takim zyrtar me kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ku u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, ndërsa u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit institucional. Gashi ka shprehur mirënjohje të lartë për veprimtarinë 20-vjeçare të TIKA-s në Maqedoninë e Veriut, gjatë së cilës janë realizuar mbi 1.300 projekte në fusha jetike si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura. Gjatë takimit u vu theks i veçantë në miqësinë e fuqishme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë i cili bashkëpunim, siç theksohet ka vënë dinamikë të re me vizita të ndërsjella në nivele të ndryshme institucionale.

Shkup - Një kompani turke dhe një gjermane konfirmuan se do të investojnë në Maqedoni, kumtoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Bëhet fjalë për kompanitë që punojnë në fushën e teknologjisë së lartë, të cilat do të investojnë gjithsej rreth 80 milionë euro dhe do të hapin rreth 1.000 vende pune. Siç tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në "Alkaloid", deri në fund të vitit priten të paktën edhe tre konfirmime për investime në vend. "Negociojmë me shumë kompani të huaja që do të investojnë në Maqedoni. Mund të konfirmoj se tashmë kemi konfirmim nga dy prej tyre, një turke dhe një gjermane, të cilat do të investojnë gjithsej rreth 80 milionë euro, ndërsa eksportet që të dyja do të bëjnë së bashku do të jenë mbi 200 milionë euro. Gjithsej të dy kompanitë duhet të punësojnë rreth 1.000 persona. Të dyja nuk janë në industrinë e automobilave, por në një industri të teknologjisë së lartë që na bën veçanërisht krenarë", deklaroi kryeministri.

Shkup – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski informon se ka filluar aksioni gjithëpërfshirës dhe vendimtar për pastrimin e objekteve të ndërtuara dhe uzurpuara jashtëligjshëm me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe sigurimin e shfrytëzimit të lirë, të sigurt dhe dinjitoz të hapësirave publike. Sipas Gjorgjievskit, aksioni zbatohet pa kurrfarë lëshime, me porosi të qartë se hapësira publike u takon qytetarëve dhe duhet të jetë në dispozicion për të gjithë nën kushte të njëjta. “Nuk ka tolerancë kur bëhet fjalë për uzurpimin e hapësirës publike. Kemi filluar fushatë të madhe për pastrimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe nuk do të ketë lëshime. Hapësirat publike u përkasin qytetarëve. Trotuaret, shtigjet për këmbësorë dhe hapësirat publike nuk duhet të jenë pengje të interesit personal të askujt. Nuk ka më kompromis kur bëhet fjalë për uzurpimet që prishin jetën, lëvizjen dhe sigurinë e bashkëqytetarëve tanë”, shkroi Gjorgjievski në profilin e tij në Fejsbuk.

Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski në pyetjen e gazetarëve për reagimet nga Greqia për deklaratën e tij për përdorimin e emrit të shtetit theksoi se për të emri Maqedonia është emër i shenjtë dhe se ka të drejtë të lirisë së shprehjes të thotë atë që mendon. “Në parim nuk jam njeri që dëshiron censurime ose kërcënime, kështu që për mua emri Maqedonia është emër i shenjtë dhe e drejta ime e shprehjes së lirë është të them atë që mendoj”, tha Mickoski, në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në fabrikën “Alkaloid”. Mickoski paralajmëroi se Propozim – ligji për përfaqësim të drejtë ndërsa i cili ka mendim nga Komisioni i Venecias do të duhej të gjendej në Parlament shumë shpjet. 

Shkup – Mbi 155.000 copë mjete piroteknike janë zbuluar këtë vit, që është tre herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar 2024, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në trajnimin demonstrues në qendër të Shkupit, organizuar nga MPB në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe nxënësit nga ShMQSH "Vllado Tasevski", ku përmes simulimit real është zhvilluar trajnim mbi lëndimet nga përdorimi i papërshtatshëm i mjeteve piroteknike, si pjesë e fushatës "Argëtim për një moment, fatale për jetën". "Kjo është mirë në aspektin e aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por keq në aspektin e sasisë së mjeteve të tilla në përdorim. Vetëm këtë muaj janë zbuluar edhe 30.000 copë të tjera, gjë që tregon se masat e intensifikuara po japin rezultate", tha Toshkovski.

Shkup – Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar, ndërsa kundër 33 personave është ngritur hetim për krim ekonomik – financiar dhe shoqërim kriminal, njoftoi sot Prokuroria Publike. Në një aksion të koordinuar të zbatuar natën ndërmjet 17 dhe 18 dhjetorit dhe dje, nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nëpunës policorë nga Departamenti për Krim të Organizuar dhe Serioz zbatuan aksion të koordinuar në disa lokacione në Shkup dhe rrethinë, si dhe në Kumanovë, Negotinë, Veles, Pehçevë, Probishtip dhe Koçan, nga liria janë privuar 11 persona. 

Shkup - Qyteti i Shkupit ka dhënë rekomandime dhe masa për mbrojtjen e ajrit ambiental pasi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informoi sot në mëngjes se është tejkaluar pragu i alarmit për grimca të suspenduara me madhësi deri në 10 mikrometra në pikat matëse në Shkup - Qendër, Gazi Babë, Karposh, Lisiçe dhe Rektorat.

Shkup – Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZEL BS (D-E V) nga mesnata ulet për 2,00 denarë për një litër, njoftoi Komisioni Rregullator për Energjetikë. Çmimi i ri për një litër EURODIZEL BS (D-E V) do të jetë 64,50 denarë. Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98, si dhe i Vajit ekstra të lehtë për amvisëri të (EL-1) dhe i Mazutit M-1 NS nuk ndryshojnë.

Tiranë - Qeveria shqiptare ka marrë një vendim me të cilin duke filluar nga janari, paga minimale do të rritet në 50.000 lekë, rreth 510 euro ose 100 euro më shumë se ajo e deritanishme, e cila ishte më e ulëta në rajon. "Me këtë vendim do të përfitojnë rreth 307.850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat dhe ka për qëllim mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare", publikoi Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacioneve. 

Vjenë - Nga 1 janari, Drejtorinë austriake për sigurinë dhe inteligjencën shtetërore (DSI) do ta udhëheq Silvija Majer, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme. Majer do të jetë pasardhëse e Omar Hajavi-Pirhner dhe do të jetë gruaja e parë që do të drejtojë DSI-në. Aktualisht ajo është zëvendësdrejtoreshë e Drejtorisë. Majer punoi në Ministrinë e Punëve të Brendshme që nga viti 2006, ndërsa në vitin 2012 nga policia në Linc u transferua atëherë në Zyrën federale për mbrojtjen e Kushtetutës dhe luftën kundër terrorizmit.  

Gaza - Më shumë se 1.000 pacientë kanë vdekur në Gaza nga korriku i vitit 2024 deri në fund të nëntorit të këtij viti, përderisa prisnin për evakuim mjekësor, publikoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). "Nga korriku i vitit 2024 deri më 28 nëntor të vitit 2025, 1.092 pacientë kanë vdekur përderisa prisnin për evakuim mjekësor", deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus, në rrjetin social "Iks". Ai shtoi se numri i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë së Gazës sipas të gjitha gjasave është më e ulët se numri real i pacientëve të cilët kanë vdekur, publikoi "Le Figaro".

Tel Aviv - Uria në Gazë për momentin është parandaluar, por situata është ende kritike, kumtoi sot inciativa për klasifikimin dhe sigurinë e ushqimit të IPC-së. Në raportin e ri të IPC-së thuhet se ka pasur "përmirësime të konsiderueshme" në sigurinë e ushqimit që nga armëpushimi i tetorit dhe se nuk është zbuluar asnjë rast urie. Megjithatë, IPC paralajmëroi se situata mbetet "shumë e brishtë" dhe se i gjithë Rripi i Gazës është në rrezik nga uria. Në rastin më të keq, duke përfshirë dhe vazhdimin e armiqësive dhe ndërprerjen e ndihmës humanitare, i gjithë Rripi i Gazës do të përballet me urinë.

Ankara - Policia turke kundër terrorizmit në dy javët e fundit ka arrestuar gjithsej 170 të dyshuar në lidhje me organizatën terroriste Shteti Islamik, informoi ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Jerlikaja. Ai në rrjetet sociale informoi se të dyshuarit janë arrestuar për aktivitete të mëparshme në kuadër të Shtetit Islamik, si dhe për financim të asaj organizate. Jerlikaja deklaroi se operacioni dhe arrestimet u kryen në 32 provinca, në koordinim me prokurorinë publike, Drejtorinë e përgjithshme të inteligjencës dhe Agjencinë kombëtare të inteligjencës, bën të ditur Anadollu.

Moskë - Putini reagoi ashpër ndaj sulmit të Ukrainës ndaj një cistere në Detin Mesdhe, duke paralajmëruar për pasoja të rënda. Putin tha se nëse sulmi nuk do të kërcënonte rezervat, Moska nuk do të mbetej kurrë pa një përgjigje ndaj lëvizjeve të tilla. Kjo ishte hera e parë që dronët ukrainas sulmuan një cisternë ruse në Detin Mesdhe, më shumë se 1.600 kilometra nga Ukraina. Putin theksoi se një veprim i tillë vetëm sa do të "krijonte kërcënime shtesë".

Pekin - Kompania kineze dhe pronar i platformës TikTok, "BajtDens", publikoi se do t'ia dorëzoj kontrollin e operacioneve të saj një grupi investitorësh nga SHBA-ja në mënyrë që të shmangë ndalimin e përdorimit të saj në vend. TikTok në SHBA deri më tani disa herë është ndaluar pa sukses, ndërsa me përpjekjen e parë që u bë nga presidenti Donald Tramp, në fund të mandatit të tij të parë në vitin 2020, me arsyetimin se paraqiste një kërcënim për sigurinë kombëtare. Trampi ka shtyrë deri më 20 janar të vitit të ardhshëm zbatimin e ligjit që ndalon TikTok në SHBA, përveç nëse pronarët e tij kinezë e shesin platformën. 

Tajpej - Të paktën nëntë persona u lënduan në një sulm me thikë në Tajpej. Përpara sulmit, i dyshuari hodhi bomba tymi në një stacion metroje në afërsi të stacionin hekurudhor kryesor të qytetit. Në videot e mediave lokale treguan të dyshuarin duke zbritur në stacionin tjetër të metrosë dhe duke hedhur më shumë bomba tymi në rrugë përpara se të nxirrte një thikë dhe të godiste kalimtarët. Kryeministri tajvanez Ço Çung-te nuk dha detaje të mëtejshme, ndërsa motivi i sulmit mbetet i paqartë.

Tetovë – Kampioni i Maqedonisë së Veriut në futboll, Shkëndija edhe krahas humbjes në xhiron e fundit të Ligës së Konferencës nga AEK Larnaka (1:0) siguroi vend në fazën nokaut gjegjësisht do të kenë “pranverë futbolli”. Kënaqësia dhe rezultati janë të mëdha, ndërsa tetovarët fituan shtatë pikë të cilat mundësuan kualifikimin në fazën e ardhshme. “Fillimisht ëndërronim të hynim në Ligën e Konferencës, pastaj të kalonim fazën e grupeve. Tani që e bëmë këtë, do të ëndërrojmë të kalojmë një fazë tjetër. Është normale të kemi emocione pozitive. Jam i bindur se Shkëndija ka treguar qëndrueshmëri në këto gjashtë ndeshje. Me pak më shumë fat dhe përvojë, mendoj se e meritonim të fitonim disa pikë më shumë”, theksoi Jeton Beqiri, trajneri i Shkëndijës.

Остани поврзан