• сабота, 27 јули 2024
MIA Flesh

18:00/21 shkurt/2024 

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, sot realizoi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler. Në takim morën pjesë edhe Dominik Keberling, shef i Departamentit të Kulturës dhe Bursave në Ambasadën Gjermane dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të RMV-së, Cvetanka Ivanova.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zëvendësministri Nazim Bushi dhe zëvendësministri plotësues Mitko Bojmacaliev realizuan takim me ambasadorin e Republikës së Polonisë, Kshishtof Gzhelçik. Siç informoi MPB, ministri Toshkovski e njoftoi ambasadorin Gzhelçik për funksionimin e MPB-së në Qeverinë teknike, e cila ka përgjegjësi të madhe në realizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Udhëheqja aktuale në MPB bën përpjekje të përbashkëta dhe mundohet që këto zgjedhje të jenë evropiane, të drejta dhe demokratike.

Shkup - Ministrja e Kulturës, Bisera Kostandinovska-Stojçevska sot në pyetjen e gazetarëve në lidhje me ndërtimin e ndërtesës shumëkatëshe pranë "Spitalit ushtarak" në Shkup tha se e ka marrë Raportin nga grupi punues i Ministrisë dhe se ka vepruar sipas saj. "Në raport thuhet se vendimi i lëshuar për konservim nuk është në përputhje me Rregulloren ekzistuese sipas Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe prandaj lëndën e kthejmë prapa te organi i shkallës së parë, më saktësisht Qendrës për konservim – Shkup dhe presim që ai miratim të anulohet sot", tha Kostadinovska-Stojçevska gjatë inspektimit të aktiviteteve ndërtimore të Sallës universale. 

Shkup - Edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE theksojnë se do t'i respektojnë rekomandimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të cilat kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse do të udhëheqin fushatë më 24 prill në zgjedhjet presidenciale, sepse sipas KSHZ-së nuk do të ketë heshtje për zgjedhjet parlamentare në këtë ditë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski theksoi se do t'i respektojnë rekomandimet e KSHZ-së edhe nëse në ato dy ditë  duhet të ketë heshtje për kandidatin për president, këtë do ta respektojnë. 

Shkup - Këshilli Gjyqësor konkludoi se procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë për kryetar të gjykatës ose gjyqtar dhe procedurat për zgjedhje të kryetarit të gjykatës ose gjyqtarit të pezullohen sipas Vendimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare sipas të cilës nuk mund të fillojë procedura për punësimin e personave të rinj ose procedura për ndërprerje të marrëdhënies së punës në institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa procedurat e filluara pezullohen, përveç në rastet e çështjeve urgjente ose të domosdoshme.

Shkup - Vitin e kaluar si Qeveria edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kemi përkrahë një iniciativë lokale të popullatës në Haraçinë, lidhur me përmirësimin e procesit arsimor për fëmijët e kësaj komune. Ishte kërkesë për ngritjen e shkollës së re fillore me qëllim që të lehtësohet puna e shkollës fillore ekzistuese dhe njërës nga më të mëdhatë në vend – “Gjerg Kastrioti Skënderbeu" e cila kishte rreth 2000 nxënës. Dhe ideja u realizua, gjegjësisht nga viti shkollor 2023-2024 filloi punën subjekti i ri juridik - shkolla fillore, e cila funksionon në një nga objektet ekzistuese, në të cilën aktualisht po zhvillohen aktivitete rindërtimi.

Shkup - Grupi parlamentar i LSDM-së kërkon që të zhbllokohet procedura për ligjin e shitjeve të banesave në pronësi shtetërore që është duke e përpiluar kryetari i Komisionit parlamentar për financim dhe buxhet Bojan Stojanovski, ndërsa e bëri të ditur në konferencën për media deputetja Daniela Markovska.  Markovska theksoi se ligji është lëshuar në procedurë parlamentare tashmë më 6 korrik të vitit 2021, por deputeti i VMRO-DPMNE-së Stojanoski e ka bllokuar procedurën në Komisionin për financim dhe buxhet.

Shkup - Me autobus në tremujorin e katërt të vitit të kaluar janë transportuar 11.166.000 udhëtarë, që është një ulje  prej 12.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikës. Sipas llojit të transportit, numri i pasagjerëve të transportuar është rritur vetëm në transportin mes qyteteve për  2.9 për qind, ndërsa në transportin urban është ulur me 16.1 për qind, në atë periferik për 9.9 për qind dhe për 14.6 për qind në transportin ndërkombëtar. 

Kumanovë - Vëllai ka vrarë motrën dhe djalin e saj sot në fshatin Gabresh të Kumanovës, kumtoi policia. Dy të vrarë dhe një i lënduar është madje epilogu i çështjeve të pazgjidhura juridiko -pronësore, informojnë nga SPB Kumanovë. Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar, banor i fshatit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motrës dhe dy djemve të saj, duke vrarë motrën dhe njërin nga djemtë e saj i dyti, sipas të dhënave të policisë është dërguar në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës.

Tetovë - Zëvendësministrja e Shëndetësisë në Qeverinë teknike Maja Manoleva tha se Klinika Universitare për mjekësi fizikale dhe rehabilitim nga vjen ajo ka mundësi për rehabilitimi robotik që u mundëson pacientëve të palëvizshëm të rikthejnë procesin e ecjes. Kjo ishte përgjigja e saj në pyetjen e gazetarëve se në cilat institucione në vend mund të trajtohet i riu Leonid Indov i cili për shkak të plagëve të rënda dhjetë ditë më parë me një helikopter të policisë u transferua për mjekim në Vjenë, Austri. Pastaj familja e Leonidit ishte informuar institucionalisht se trajtimi nuk mund të paguhet nga Fondi i Sigurimit shëndetësor me arsyetimin se ekziston mundësia për rehabilitim në vend.

Prishtinë - Ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Kosovë shkuan pasdite në Qeverinë e Kosovës në takim me kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me, siç publikuan mediat e Kosovës, zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb si mjet pagesor në vend, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Ambasadori gjerman, Jorn Rode, ai francez Olivie Guero dhe ai italian Antonelo De Riu pritet ta përsërisin kërkesën e komunitetit ndërkombëtar, gjegjësisht të vendeve aleate të Kosovës, duke përfshirë SHBA-në, për të shtyrë zbatimin e rregullores së re të BQK-së, me të cilën parashikohet që euro të jetë mjeti i vetëm pagesor në të gjithë territorin e vendit.

Tiranë - Shefi i shtetit shqiptar Bajram Begaj, me dekret e emëroi Denion Meidanin si ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.  Begaj dekretin e nënshkroi sot dhe hyn në fuqi menjëherë. Këto ditë ai mori mbështetjen e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, pasi e prezantoi platformën e re duke vlerësuar se "marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona janë shembull në rajon", dhe ka premtuar se do të përpiqet për përparimin e këtyre marrëdhënieve dhe bashkëpunimit.

Tiranë - Krahu më i shumtë i Partisë Demokratike të opozitës shqiptare – "Rilindja e PD"-së ka thirrur Lulzim Bashën, kreun zyrtar të partisë, që t’i dorëzojë vulën për të ndryshuar emrin e kryetarit të partisë në gjykatë. Duke përcjellë qëndrimin e "Rilindjes së PD-së", Floriana Garo, tha se Basha duhet ta bëjë urgjentisht, pasi prania masive e protestës së mbrëmshme konfirmon mbështetjen më të madhe për ta, si nga anëtarësia ashtu edhe nga qytetarët.

Athinë - Vitin e kaluar Greqinë e vizituan 32,7 milionë turistë, për 17,6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2022, me çka janë rritur edhe të ardhurat për shtetin nga turizmi dhe arritën 20,5 miliardë euro, në pajtim me të dhënat nga Banka e Greqisë, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Të ardhurat për një vit janë rritur për 15,7 për qind, që i referohet edhe rritjes së numrit të turistëve, por edhe rritjes për 11,5 për qind të të ardhurave nga banorët e vendeve nga Bashkimi Evropian dhe për 18,5 për qind e të ardhurave nga turistët nga vendet jashtë BE-së.

Vjenë - Mbajtja e zgjedhjeve evropiane në Austri zyrtarisht është caktuar më 9 qershor, transmetoi agjencia austriake APA. Qeveria federale sot do ta finalizojë propozimin adekuat të ministrit të Punëve të Brendshme Gerhard Karner. Ministri para takimit të qeverisë theksoi se Austria këtë herë do të ketë 20 në vend të 19 mandateve të eurodeputetëve.

Bruksel - Gjeorgjia duhet të vazhdojë me reformat dhe t'i përforcojë vlerat demokratike. Do të doja që vendi të lëvizë në drejtim të mirë, drejt demokracisë dhe përparimit më të madh dhe drejt anëtarësimit të plotë në familjen euroatlantike, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit të tij me kryeministrin gjeorgjian Irakli Kobahixhe në selinë e Aleancës në Bruksel. "Gjeorgjia është partnere e NATO-s dhe ne tërësisht e mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. NATO sërish i bën thirrje Rusisë ta rishqyrtojë njohjen e vendeve gjeorgjiane si 'shtete të pavarura'. Çdo kërcënim nga Rusia për aneksim të këtyre vendeve të robëruara është i papranuesh[m", shtoi Stoltenberg.

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajeni sot në Bruksel deklaroi se nëse sërish zgjidhet në atë funksion, do të jetë mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në një konferencë për shtyp në Bruksel, ajo tha se ka qenë gjithmonë një "mbështetëse e fortë e zgjerimit" si dhe se ajo "e kishte bërë shumë të qartë se ky është një proces i bazuar në merita". "Edhe më tej insistoj në këtë, por është mirë të shihet si Ballkani Perëndimor, por edhe për shembull Ukraina dhe Moldavia, bëjnë gjithçka që është e mundur për t'i zbatuar reformat e nevojshme dhe të përparojnë drejt Bashkimit Evropian. Pra, kuptohet, në mandatin e ardhshëm potencial do të më gjeni si një mbështetës të fortë për zgjerim të Ballkanit Perëndimor", tha Fon der Lajeni.

Madrid - Karvani prej rreth 500 traktorëve sot kanë hyrë në qendër të Madridit, ku bujqit spanjollë po mundohen të arrijnë deri te ndërtesa e Ministrisë së Bujqësisë, të pakënaqur nga burokracia e BE-së dhe niveli aktual i ndihmës shtetërore.  Dhjetëra traktorë ndodhen në sheshin në qendër të qytetit, ndërsa qindra protestues të zemëruar me flamuj spanjollë dhe rajonalë ndodhen jashtë kordonit të policisë. Protestuesit me xhaketa të verdha , me ofendime drejtuar kryeministrit socialist Pedro Sançez, po mundohen të arrijnë deri te ndërtesa e Ministrisë e cila ndodhet në afërsi të stacionit të trenit Atoça. 

Londër - Irani i ka dorëzuar Rusisë një numër të madhë të raketave balistike të tipit tokë-tokë, njoftuan sot mediat britanike, duke cituar burime të paidentifikuara. Tre burime iraniane deklaruan se Irani i ka dërguar Rusisë rreth 400 raketa balistike me rreze të shkurtër, siç është "Zolfagar", raketa që mund të godasë objektivat në një distancë prej 300 deri në 700 kilometra. Dërgesat filluan në fillim të janarit, pas takimeve në fund të vitit të kaluar midis zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë iraniane dhe ruse të mbajtura në Teheran dhe Moskë, thuhet në një nga burimet iraniane.

Shën Peterburg - Disa burra të cilët u arrestuan në mitingje me rastin e vdekjes së liderit të opozitës ruse Aleksej Navalni ditët e fundit, kanë marrë thirrje për shërbimin ushtarak në Shën Peterburg, njofton Moska tajms duke cituar mediat lokale. Policia ka arrestuar disa qindra persona në gjithë Rusinë të cilët kanë lënë lule në vendin përkujtimor të Navalnit pasi ai vdiq në koloninë penale në pjesën veriore të Uralit.  Të paktën gjashtë persona kanë marrë thirrje për luftë pasi ishin lëshuar nga arresti, njoftoi Kanali informativ Telegram Rotonda.

Kiev - Në Ukrainë jetohen më shumë se 60 raste të korrupsionit të mundshëm në sektorin e mbrojtjes, deklaroi sot drejtori i Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU), Semen Krivonos.  Ai tha se agjencia e tij i ka dhënë përparësi rasteve që përfshijnë prokurim gjatë dy viteve të fundit dhe ka kërkuar ndihmë nga partnerët e huaj në hetimet e saj. "Vjedhja në armatë për momentin  është një krim jashtëzakonisht i tmerrshëm, ndërsa  hetimet në këtë sferë janë një nga prioritetet më të rëndësishme të Byrosë Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit", tha Krivonosi. 

Varshavë - Pankartat anti-ukrainase dhe pro Putinit   të cilat bujqit  polakë i kanë mbajtur gjatë protestave ndoshta kanë qenë nën ndikim të "agjentëve rusë", bëri të ditur sot Ministria polake  e Punëve të Jashtme. "Besojmë se është një përpjekje që të vendoset kontroll mbi lëvizjen e protestës së bujqve nga ana e grupeve ekstremiste dhe të papërgjegjshme që mund të jenë nën ndikim të agjentëve rusë", theksohet në kumtesën e Ministrisë.  

Brazilia - Sekretari amerikan i Shtteit, Entoni Blinken u takua me presidentin brazilian, Luis Inasio Lula da Silva në periudhë të skandalit diplomatik pasi që lideri brazilian e krahasoi luftën e Izraelit në Rripin e Gazës me gjenocidin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.Në një koment të shkurtë para mediumeve, në takimin në pallatin presidencial në Brazil, Lula foli për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, në nëntor.

Gazë - Të paktën 67 palestinezë janë vrarë  gjatë natës në sulmet izraelite në Gazë, përfshirë edhe zonat ku civilët kanë kërkuar strehim, raportojnë mediat amerikane.Spitali "Shuhada al-Aksa" në Deir al-Balah raportoi se  në të janë sjllur 44 trupa  pas disa sulmeve në qendër të Gazës, ndërsa  gazetarët i kanë parë auto ambulancat dhe automjete private që mbanin trupat e të vrarëve. 

Jerusalem - Parlamenti izraelit (Kneseti) sot vendosi të mos e njohë formimin e shtetit palestinez. Për vendimin votuan 99 deputetë, përderisa kundër ishin nëntë, transmeton "Jeruslem Post". "Izraeli do të vazhdojë ta kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Njohja e tillë pas masakrës së 7 tetorit do të jetë çmim i madh për terrorizmin që ishte precedent dhe do të paraqesë pengesë për çdo marrëveshje të ardhshme paqësore", ceket në kumtesë.

Islamabad - Në raportin e KB-së që u publikua sot thuhet se për rikuperimin dhe rindërtimin e Afganistanit nga tërmeti shkatërrues që goditi vendin në tetor dhe në të cilin humbën jetën mbi 2.000 persona do të jenë të nevojshme më shumë se 400 milionë dollarë (370 milionë euro). Tërmeti prej 6.3 ballë sipas shkallës së Rihterit që goditi provincën Herat në Afganistanin perëndimor me 7 tetor të vitit 2023 ka rrafshuar të gjithë fshatrat, duke lënë mijëra të lënduar dhe shumë të pastrehë.

Hagë - SHBA-ja sot njoftoi se gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara nuk duhet të japë opinion këshillues për "tërheqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar" të Izraelit nga territoret në të cilat palestinezët duan të krijojnë shtetin e tyre. U.d. këshilltari ligjor i Departamentit të shtetit, Riçard Visek tha se 15-të anëtarë të komisionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nuk duhet të mundohet të zgjidhë konfliktin izraelito-palestinez prej dekadash duke dhënë një opinion këshillues për veprimet e vetëm njërës palë.

Los Anxhelos - Hyrja e shumëpritur e "Epëll" (Apple) në teknologjinë e unazave inteligjente, me sa duket, është afër fundit, domethënë gjiganti i teknologjisë thuhet se po përgatitet të kalojë fazën e patentave. Sipas "Elektronic tajms" (Electronic Times), produkti është gati për në treg. Interesi i "Epëll" për teknologjinë e unazave inteligjente daton disa vite më parë. Në vitin 2015, "Blumberg" prezantoi një patentë që përshkruante një unazë të pajisur me një ekran me prekje. Në vitet në vijim, u shfaqën akuza shtesë që parashikonin menaxhim të fundit në distancë të një numri të madh pajisjesh të lidhura në shtëpi, raporton "Mirror Pro"

Uashington - Shtabi zgjedhor i ish-presidentit amerikan, Donald Tramp kumtoi se kanë mbledhur 8,8 milionë dollarë në janar, ndërsa kanë shpenzuar mbi 11 milionë dollarë. "Donald Tramp financiarisht ngecë prapa Xho Bajdenit, sepse ka shpenzuar më shumë për reklama dhe shpenzime të tjera se sa që ka grumbulluar nga donatorët", tregojnë dokumentet e publikuara të martën.

Uashington - Administrata e presidentit amerikan Xho Bajden sot filloi debat publik për atë nëse sistemet e inteligjencës artificiale (IA) duhet të kenë kod të hapur ose të mbyllur për akses. Shtëpia e Bardhë kumtoi se dëshiron diskutime publike rreth rreziqeve dhe përfitimeve nga ajo nëse komponentet kyçe të inteligjencës artificiale do të jenë publikisht të arritshme për përdorim dhe modifikim. Kjo është një pjesë e dekretit presidencial më të gjerë të nënshkruar në tetor, që synon të krijojë udhëzime për përdorim të teknologjive të tilla.

Mynih - Trajneri i Bajern Mynih, Tomas Tuhel, e ka komentuar largimin e tij nga klubi në fund të sezonit 2023/24. "Kemi rënë dakord që ta ndërpresim marrëdhënien e punës në fund të këtij sezoni. Deri në atë moment, sigurisht, do të vazhdojë të bëjë gjithçka është e mundur së bashku me shtabin  tim të trajnimit  për të arritur suksesin maksimal", deklaroi Tuhel në ueb faqen e klubit. 

Londër - Jirgen Klop do të ishte një seleksionues ideal i Gjermanisë, sepse i "simbolizon të gjitha qëndrimet gjermane" dhe "njerëzve kjo do t'u pëlqejë", deklaroi sot ish-kapiteni i ekipit kombëtar, 47-vjeçari Mihael Balak. Klop muajin e kaluar paralajmëroi largim nga detyra e trajnerit në Liverpul në fund të këtij sezoni dhe porositi se planifikon të pushojë para një angazhimit të mundshëm të ri.

Остани поврзан