18:00 / 12 shkurt / 2026
Shkup - Ministria e Transformimit Dixhital sot nëshkroi një Memorandum për bashkëpunim me Visa-n, e cila pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt një administrate publike më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të orientuar për përdoruesit në një mjedis dixhital. Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, dhe Ana Drashkoviq, nënkryetare dhe drejtoreshë e përgjithshme e Visa për Evropën Juglindore.
Shkup - Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik kryesor i vendit, ndërsa Qeveria është plotësisht e përkushtuar për harmonizimin me standardet evropiane, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, tha sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, në takim me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në vend, Ozlem Xhanel, në të cilin u diskutua procesi i integrimit evropian, aktivitetet reformuese dhe bashkëpunimi dypalësh. Në takim, siç kumtoi Kabineti i ministrit, u diskutua për për amendamentet kushtetuese si parakusht për hapjen e klasterëve negociues, si dhe për progresin në kuadër të Klasterit “Vlerat themelore”. Sali informoi se kërkesa e tretë për pagesë të mjeteve në kuadër të Planit të Rritjes është dorëzuar brenda afatit, me progres konkret në zbatimin e hapave reformues.
Shkup – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi sot disa takime pune me partnerë ndërkombëtarë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin energjetik dhe të minierave. Në takim me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në vend, Ola Sollstrom, u zhvilluan diskutime mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e minierave, duke përfshirë shkëmbimin e praktikave të mira nga ekspertët suedezë dhe bashkëpunimin me universitetet e Maqedonisë për të përmirësuar kapacitetet teknike dhe shkencore. U diskutuan edhe tema që lidhen me zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe projektet për përmirësimin e cilësisë së ajrit ambiental si pjesë e përpjekjeve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe tranzicion të gjelbër, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Tiranë - Kuvendi i Shqipërisë me 92 vota "për" miratoi deklaratën "për pafajësinë e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës" për të cilët Gjykata e Posaçme në Hagë ka kërkuar 45 vjet burg, ku theksohet konkretisht se "lufta e tyre ishte e drejtë". Deklaratë, e cila u propozua nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Bashkëhartuesit e kësaj deklarate ishin ish-ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, dhe deputeti demokrat Tritan Shehu.
Bruksel - Ekonomia e Bashkimit Evropian (BE) është në gjendje të tmerrshme dhe katastrofike për shkak të klimës qesharake dhe qëllimeve ideologjike, deklaroi kryeministri sllovak Robert Fico, përderisa shkonte për në një samit joformal të konkurrencës në kështjellën, Alden Bizen në Belgjikë, publikuan mediat belge. Liderët e BE-së sot do të takohen për bisedime të thirrura nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, për të ndikuar në drejtimin e politikës ekonomike të bllokut, mes presionit në rritje mbi konkurrueshmërinë dhe sfidave për unionin për shkak të varësisë strategjike nga lëndët e para kritike nga vendet e treta.
Bruksel - Policia belge kreu bastisje në disa hapësira të Komisionit Evropian në Bruksel, si pjesë e një hetimi për parregullsi të mundshme gjatë shitjes së patundshme në pronësi të BE-së në vitin 2024, publikoi "Fajneshëll tajms". Sipas kërkimeve të burimeve të njohura me operacionin, bastisjet u kryen sot në disa vende, duke përfshirë departamentin përgjegjës për buxhetin. Hetimi ka të bëjë me shitjen e disa ndërtesave të BE-së të kryera gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit Evropian, kur politikani austriak Johanes Han ishte përgjegjës për buxhetin.
Uashington - Një anije luftarake amerikane dhe një anije furnizimi e marinës dje u përplasën gjatë furnizimit me karburant, kumtoi sot komanda Jugore të SHBA-së, por nuk është përcaktuar lokacioni i saktë. Shkatërruesi me raketa të telekomanduara i klasit "Arli Burk", "USS Trukstun", dhe anija mbështetëse e luftimeve të shpejta "USNS Suplaj" u përplasën gjatë një operacioni furnizimi me karburant. Dy anëtarë të ekuipazhit raportuan lëndime të lehta dhe janë në gjendje të qëndrueshme, theksohet në kumtesë.
Katrum - Të paktën 21 persona humbën jetën në një anije të përmbytur në Sudan. Anija, që lundronte në Nil dhe transportonte 30 udhëtarë, mbrëmë u fundos për shkak të valëve të larta. Misioni i shpëtimit është ende në vazhdim dhe supozohet se numri i viktimave mund të jetë më i lartë. Përmbytjes i shpëtuan gjashtë persona.
Karakas - Ushtruesja e detyrës presidente e Venezuelës, Delsi Rodrigez, deklaroi se ka marrë ftesë për ta vizituar SHBA-në, por theksoi se udhëtimi do të zhvillohej vetëm nëse krijohen kushte për bashkëpunim konkret. Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan En-Bi-Si, Rodrigezi konfirmoi se është ftuar nga Uashingtoni.