• сабота, 06 декември 2025
MIA Flesh

15:00/ 20 nëntor/ 2025

Shkup - Në seancën e sotme për rastin "Onkologjia 2" në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, dëshmoi një paciente e cila kishte marrë kimioterapi dhe imunoterapi duke e përshkruar se si një nga terapitë që i është dhënë jashtë procedurës standarde dhe pa u evidentuar në regjistër. Sipas dëshmisë së saj, herën e nëntë që kishte ardhur në klinikë, dr. Nino Vasev i kishte thënë se ilaçi është në mungesë dhe se kanë mbetur vetëm tre shishe, nga të cilat i është dhënë një pa u evidentuar në regjistër. "Herën e nëntë që erdha, pritëm në radhë për një ekzaminim si gjithmonë, më thirrën në ordinancë, dr. Nino dhe dy infermiere dhe bazuar në historinë time dr. Nino më shpjegoi se për momentin kishin mungesë të ilaçit, kishin tre shishe të mbetura dhe se meqenëse isha më e re, ilaçi është më efektiv te unë, 'do ta jap një’, por nuk do të evidentohet në regjistër", kujton dëshmitarja.

Shkup - Kryeprokurori publik, Ljupço Kocevski, sot kumtoi se gjatë ditës së djeshme dhe sot po zhvillohet procedurë parahetimore kundër personave të punësuar në DAP, ndërsa në njëfarë mënyre janë të lidhura me lëndën rreth rastit me zjarrin në diskotekën në Koçan. "Opinioni u njoftua se po zhvillohej procedurë parahetimore për persona të pujnësuar në Drejtorinë për të ardhura publike. Sot janë arestuar rreth dhjetë persona dhe për momentin por zhvillohen bastisje të personave të përfshirë me paraqitjet penale. Në këë moment vetëm mund të them se bëhet fjalë për të punësuar në DAP, ndërsa për vepra penale fillimisht do të shohim. Njohuritë e para janë se bëhet fjalë për veprat penale - keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit, si dhe marrje dhe dhënie të ryshfetit", tha Kocevski.

Shkup - Gjatë fushatës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale nuk janë konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor nga transmetuesit. Rezultatet e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale kanë treguar se televizionet kanë bërë përpjekje të sigurojnë informim më të detajuar të shikuesve si votues potencial për fushatën zgjedhore, ndërsa përmes lajmeve dhe emisioneve të veçanta informative ta paraqesin pasqyrën e gjerë për një ambient të përhershëm shoqëror-politik në të cilin është zhvilluar fushata zgjedhore. 

Shkup - Numri më i madh i rasteve të raportuara të diskriminimit janë në fushën e marrëdhënieve të punës. Këtu dorëzohen numri më i madh i parashtresave. Për më tepër, arsimi, aftësia e kufizuar, përkatësia etnike - janë mjaft të përfaqësuara, por numri më i madh janë në fushën e marrëdhënieve të punës, deklaroi për MIA-n kryetari i Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, Dushan Tomshiq, gjatë konferencës me titull "Pesë vjet parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi: Arritjet dhe kahet e ardhshme" që realizohet në Klubin e deputetëve në Shkup. Tomshiqi në pyetjen e MIA-s u përgjigj se numri i rasteve që raportohen është në rritje.

Shkup - Me aparat të ri për rezonancë magnetike prej 1,5 Tesla, dy kolona laparoskopike, instumentarium, gjegjësisht aparaturë për shfrytëzim në sallat e traumatologjisë u pajis Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit". Vlera e përgjithshme e pajisjes, të cilën Klinika e mori me ndihmën e Qeverisë, është rreth 90 milionë denarë (1,5 milionë euro). Në promovimin e pajisjes së re në Klinikë sot morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se është e pranueshme përqindja prej 0,35 për qind e PBV-së të ndahet për gjyqtarët dhe prokurorët. Thotë se si shtet për sistemin juridik kemi ndarë më shumë se 75 për qind e vendeve-anëtare të BE-së. "Jam duke e studiouar detajisht këtë periudhë këtë rast, duke përfsirë pjesën me buxhetin që ndahet për gjyqësor dhe për Prokurori. Madje edhe Komisioni i Venecies ka vërejtje për atë nen ku përcaktohet buxheti gjyqësor, praktikisht. Para disa ditëve kam dhënë analizë më gjithpërfshirëse për gjendjen në pjesën e financimit të sistemit juridik në Evropë. Dhe nga kjo analizë, e bërë dhe e financuar nga institucioni evropian - ai është Këshilli i Evropës, për të dhënat nga viti 2022, i publikuar në vitin 2024, kemi ardhur deri në konskluzionin se ne si shtet ndajmë para nga buxheti për sistemin gjyqësor më shumë se 75 për qind e vendeve-anëtare të BE-së. Ne ndajmë 0,39 për qind nga BPV-ja jonë që në vitin 2022, tani imagjinoni në vitin 2023 dhe 20224 BPV-ja është rritur më shumë sesa në vitin 2022. Franca është 0,2 për qind, ndërsa Gjermania 0,3 nga BPV-ja e tyre. Mesatarja evropiane mesatarisht është 0,3", tha Mickoski.

Shkup - Ligji për Këshillin Gjyqësor e ka kaluar të gjithë procedurën qeveritare dhe në seancën e fundit të Qeverisë është miratuar, megjithatë si pretendent për anëtarësim në BE, kemi obligim dhe me konkluzion të Qeverisë është ngarkuar Ministria për Çështje Evropiane ta dorëzojë ligjin për mendim deri te Komisioni Evropian, lidhur me zbatimin e rekomandimeve që i kemi marrë nga Misioni vlerësues, deklaroi zëvendësministri i drejtësisë, Alen Dereban. Ligji, siç theksoi zëvendësministri Dereban, është pjesë e paketës së reformave ligjore në sistemin gjyqësor me afat deri në qershor të këtij viti, ndërsa për të cilën kemi marrë edhe një periudhë shtesë njëvjeçare për shkak të arsyeve objektive.

Shkup - Qeveria nuk mendon për partner të ri të koalicionit dhe pret mbështetje nga të gjithë në Parlament për ligjet reformuese, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas vizitës në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" në Shkup. Ai nuk sheh arsye që deputetët në Parlament të mos mbështesin ligje reformuese dhe konsideron se nuk duhet të ketë shantazh dhe politikëbërie.

Shkup- Pas konstatimeve se studentët e regjistruar në studime master (pasuniversitare) kanë arritur të paraqiten për ndarje të vauçerëve prej 15.300 denarë për blerje të pajisjeve elektronike, edhe pse projekti qeveritar dedikohet për studentë të regjistruar në ciklin e parë të studimeve, ministrja Vesna Janevska sot tha se ligji është i qartë dhe i përket studentëve të studimeve universitare. "Edhe një herë do të rikujtoj se ky është aksion i Sekretariatit të përgjithshëm (të Qeverisë). Ne jemi ndërmjetës në realizimin e të drejtave të studentëve. Ligji thotë se të drejtë për vauçerë kanë studentët e studimeve universitare dhe të studimeve të integruara deri në 29 vjeç. Ky është ligji edhe sipas tij studentët do t'i marrin vauçerët", tha Janevska duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas promovimit të fushatës kundër diskriminimit në futboll.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse qytetarët mund të presin një gjykim të drejtë për tragjedinë e Koçanit, u përgjigj se përjashton çdo ndërhyrje politike nga Qeveria në këtë proces. "Nuk e di nëse ndonjëherë në Maqedoninë demokratike ka ndodhur që prokurorët dhe gjyqtarët së bashku të sulmojnë një kryetar të qeverisë për një fjalë të thënë në një shtet demokratik. Unë këtë e kam përjetuar. Kështu që nuk e di se si mund të ketë ndërhyrje politike nga Qeveria. E përjashtoj këtë", theksoi Mickoski. Sipas kryeministrit, ka ndërhyrje politike dhe presion nga opozita.

Shkup - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) mbrëmë shpalli fituesit e edicionit të 16-të të TOP 100™ 2025, ngjarje e cila këtë vit u kurorëzua me 20-vjetorin e themelimit të Odës. Me mbi 400 të pranishëm, mes tyre Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministra, ambasadorë, drejtues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë, dhe mbi të gjitha me prezencë të jashtëzakonshme të  kompanive tona, OEMVP edhe njëherë dëshmoi relevancën e saj ekonomike dhe të komunitetit të biznesit si dhe rolin e saj në zhvillimin e vendit.

Shkup - Jehonë jashtëzakonisht e mirë për thirrjen për vauçerë për studentët për pajisje elektronike, tha kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, pas vizitës në Klinikën universitare për sëmundje kuirurgjike në "Shën Naumi i Ohrit" në Shkup. "Deri dje, 27.000 studentë i kanë marrë vauçerët në vlerë prej 15.300 denarësh. Si do t’i shfrytëzojnë ato, e lëmë në ndërgjegjen e atyre që i përdorin. Ne si Qeveri e kemi premtuar këtë projekt dhe po e realizojmë", theksoi Mickoski. Sa i përket spekulimeve se disa nga studentët po i shesin vauçerët, Mickoski theksoi se edhe nëse disa studentë i rishesin, ato nuk mund të përdoren sepse përmbajnë të dhëna personale.

Shkup- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi realizoi takim me Delegacionin e Institutit Demokratik Nacional (NDI) të udhëhequr nga drejtori rajonal i NDI-së për Evropën dhe Euroazinë, Skot Bejts, njofton Pres shërbimi i Kuvendit. Në përbërje të delegacionit ishin Nada Mazukina, zëvendësdrejtore rajonale e NDI-së për Evropën dhe Euroazinë; Robert Skot Hejzlet, drejtor i NDI-së për Maqedoninë e Veriut dhe Dejvid Sip, udhëheqës i ekipit të Projektit të NDI-së “Komunitete me integritet”.

Shkup - Në disa fronte në shëndetësi po punohet dhe investohet, ndërsa duhet të investohet edhe shumë herë më tepër se kjo tani që po bëhet, pasi, për fat të keq, shumë pak u punua në të kaluarën, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai potencoi se së bashku me ministrin, në periudhën që vijon do të kenë një takim më të gjatë, ku do t'i përcaktojnë hapat për më tej.

Shkup - Ministritë e Arsimit dhe Shkencës dhe të Sportit, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe UNICEF-i, në Ditën Botërore të Fëmijëve – 20 Nëntor, fillojnë fushatë kundër diskriminimit në futboll, të titulluar “Një ekip për çdo fëmijë – zero diskriminim”. “Dita Botërore e Fëmijës është simbol i të drejtave, shpresave dhe të ardhmes së çdo fëmije. Dhe këto shpresa askush nuk duhet t’i shkatërrojë. Prandaj, për të gjithë ne këtu është obligim  i përbashkët të sigurojmë që çdo fëmijë të ketë të drejtën të mësojë, të luajë dhe të jetë i pranuar”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në promovimin e fushatës.

Shkup - Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Onkologjia 2”, punonjësit e Klinikës së Onkologjisë dëshmuan për metodën e blerjes dhe ruajtjes së terapisë, si dhe për përpjekjet për të vjedhur ilaçet. Një infermiere nga një spital ditor shpjegoi se atje ndodhen terapia citostatike dhe materialet harxhuese, por, siç tha, ilaçet speciale mbahen ekskluzivisht në farmacinë klinike. Ajo shtoi se çdo terapi kërkohet individualisht për secilin pacient me emër, mbiemër dhe numër dosjeje. Lidhur me vjedhjet e vitit 2020, deklaroi se një kolege e saj ka pasur dy përpjekje për të vjedhur terapi. E para është parandaluar dhe raportuar, ndërsa e dyta ka përfunduar me ndërhyrje të policisë dhe gjetjen e ampulave në automobil.

Prishtinë - Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës. Veprimi i Osmanit vjen pasi mandatari i dytë, Glauk Konjufca dështoi ta formojë qeverinë e Kosovës. Vendi hyri në krizë politike pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, pasi asnjëra nga partitë nuk fitoi shumicën prej 61 votash në Parlamentin me 120 anëtarë.

Tiranë - Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJPKO) vendosi sot dy masa sigurie për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku: "pezullim nga kryerja e detyrës dhe funksionit" dhe "ndalim të daljes nga vendi" si pjesë e hetimeve për shkelje të barazisë në tendera. "Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti akuzë kundër Ballukut më 31 tetor, për veprën penale të "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike". Akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit për "Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë", pjesë e segmentit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën Vlorë-Sarandë, raportuan mediat.

Novi Sad - Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) shpalli të mërkurën mbrëma fituesit e Çmimeve të edicionit të 4-t të Inovacionit Butterfly në një ceremoni të mbajtur dje në Novi Sad duke festuar disa nga idetë më origjinale, me ndikim dhe vizion afatgjate nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Duke hapur ceremoninë, Sekretari i përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq theksoi se inovacioni nuk është vetëm teknologji, por imagjinatë, guxim dhe aftësia për të parë botën ashtu siç mund të jetë. “Inovacioni transformon komunitetet, industritë dhe jetët tona. Çdo akt inovacioni, i madh apo i vogël, na çon më afër një të ardhmeje më të mirë,” tha Kapetanoviq, duke shtuar se gati 600 aplikime janë dorëzuar që nga nisja e çmimit katër vjet më parë, përfshirë mbi 130 vetëm këtë vit.

Pragë - Në një aksident të një treni të shpejtë dhe transportues në pjesën jugore të Çekisë janë lënduar 57 njerëz, nga të cilët pesë kanë marrë lëndime të rënda. Fatkeqësia ka ndodhur kur treni i shpejtë është aksidentuar me një tren tjetër udhëtues që ka qarkulluar në drejtim të kundërt, në afërsi të qytetit Çeshke Budejovice, që gjendet rreth 50 kilometra nga kufiri gjermano-austriak. Ende nuk dihet arsyeja e aksidentit mes dy trenave transportues në hekurudhën Çeshke Budejovice-Pëlzen. Komunikacioni hekurudhor është në ndërprerje, ndërsa në vendin e aksidentit janë dërguar ekipet e ndihmës së shpejtë me 11 automjete ambulatore dhe një helikopter. "Në spital janë pranuar pesë persona me lëndime të rënda", deklaroi zëdhënësja e spitalit në Çeshke Budejovice.

Bruksel - Çështjet e pazgjidhura bilaterale mes anëtareve të BE-së dhe vendeve të cilat nuk janë anëtare të Unionit duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale dhe ato nuk guxojnë të shfrytëzohen si levë për bllokim të procesit të inkuadrimit të vendeve kandidate për anëtarësim, ceket në Propozim-raportin për Strategjinë e BE-së për zgjerimin e Parlamentit evropian, në të cilin potencohet se disa nga shtetet të cilat synojnë t'i bashkangjiten bllokut tashmë me vite kanë status të kandidatëve për anëtarësim. "Zgjerimi është një prej vegglave më të fuqishme të BE-së në politikën e jashtme dhe gjeopolitikë dhe mbetet forcë shtytëse kryesore e sigurisë afatgjate, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Evropë në bazë të vlerave të përbashkëta demokratike dhe paraqet mundësi historike me përparësi të rëndësishme socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë edhe për BE-në edhe për vendet e përfshira me procesin e zgjerimit", ceket në Raport.

Antananarivo - Presidenti i përkohshëm i Madagaskarit, Majkëll Randrijarina, i cili mori pushtetin në këtë ishull të Oqeanit Indian muajin e kaluar, njoftoi publikun se një gur i çmuar i errët me peshë 300 kilogramë ishte gjetur në Pallatin Presidencial.  "Smeraldi në një Matricë", i zbukuruar me kristale të gjelbra vezulluese, u ekspozua dje në mbrëmje në Pallatin Shtetëror “Ambohikorohitra” në kryeqytetin Antananarivo. Një vlerësim nga ekspertët është duke u zhvilluar për të përcaktuar madhësinë dhe cilësinë e thesarit të çmuar, raporton "Politika". “Kjo është pasuri kombëtare. Ka mundësi të shitet, ndërsa ministri duhet t’i sqarojë procedurat të cilat do të vijojnë që të rriten të ardhurat shtetërore... Për këtë do të ketë transparencë të plotë”, deklaroi Randijanirina. 

Остани поврзан