• петок, 20 февруари 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/17 shkurt/2026

Shkup  - Këshilli i prokurorëve publikë sot dha mendim pozitiv për katër nga pesë kandidatët për prokuror publik shtetëror. Mendim pozitiv morën ushtruesja aktuale e detyrës së prokurores publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokurorja e Shkupit, Lidija Raiçeviq. Për kandidaturën e Vladimir Pançevskit, njëzëri u vendos se ai nuk i plotëson kushtet e parashikuara me ligj lidhur me stazhin e punës. Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, para mediave theksoi se anëtarët kanë vepruar ekskluzivisht në bazë të kritereve ligjore.

Shkup  - Gjykata Kushtetuese dhe Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik sot nënshkruan një memorandum për bashkëpunim, me të cilin do të avancohen bashkëpunimi institucional, shkëmbimi i njohurive dhe përvojave, si dhe përforcimi i kapaciteteve profesionale në fushën e të drejtës kushtetuese dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjvënies. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se me nënshkrimin e memorandumit presin të kenë bashkëpunim më dinamik sepse, siç tha, të dy institucionet do të kenë përfitim nga ky protokoll.

Shkup - Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale - Shkup sot refuzoi propozimin e mbrojtjes për heqjen e paraburgimit të të pandehurve Nino Vasev dhe Nehat Nuhi në rastin "Onkologjia 2", edhe pse u ofruan garanci pasurore me vlerë mbi 350.000 euro. Gjykata vlerësoi se rrethanat për zbatimin e masave më të buta nuk kanë ndryshuar, dhe njëkohësisht sqaroi se nuk ka kompetencë të vendosë për garanci në këtë fazë të procedurës. Në të njëjtën seancë dëgjimore u dëgjua edhe një përfaqësues i Entit Shtetëror të Revizionit, i cili shpjegoi në detaje revizionin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë për vitin 2021, duke theksuar dobësitë, parregullsitë dhe mospërputhjet me rregulloret ligjore dhe u përgjigj në një sërë pyetjesh nga Prokuroria, mbrojtja dhe vetë të pandehurit.

Shkup - Këshilli i prokurorëve publikë e filloi seancën në të cilën duhet t'i shqyrtojë aplikimet dhe të japë mendime për pesë kandidatët për prokuror të ri publik shtetëror.  Këshilli fillimisht e shqyrtoi kandidaturën e ish-kryetarit të Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, duke vendosur njëzëri se ai nuk e plotëson kushtin për stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokuror publik ose gjyqtar në fushën e së drejtës penale.  Në këtë moment, anëtarët e Këshillit po i shqyrtojnë katër kandidaturat e tjera nga u.d. prokurorja publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq. 

Shkup  - Ndryshimet në Ligjin për tokën ndërtimore do të vendosin rend në infrastrukturën lineare nëntokësore (kabllot optike, rrjeti telekomunikues, sistemet e ujit dhe kanalizimit, tubacionet e gazit, tubacionet e naftës etj.) dhe për herë të parë do të mundësojnë regjistrimin e tyre në kadastrin e ndërtesave të infrastrukturës në Agjencinë e Kadastrit së Patundshmërive, njoftoi sot Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me propozim të Ministrisë së Transportit, Qeveria miratoi ndryshimet në Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Tokën Ndërtimore, të cilat, sipas Ministrisë përkatëse, nxisin zhvillimin ekonomik të shtetit dhe komunave, mundësojnë shërbime më të mira dhe me cilësi më të lartë për qytetarët dhe mundësojnë përdorimin racional të të mirave publike.

 Shkup  - Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa. Reshje bore me intensitet më të dobët janë regjistruar në Ponikvë, e cila nuk mbetet në rrugë. Dukshmëria është e zvogëluar për shkak të mjegullës në qafën malore të Presekës deri në 150 metra, njoftojnë nga NP "Rrugët e Maqedonisë".  Të gjitha akset rrugore në vend janë të kalueshme. Në disa akse rrugore që kalojnë nëpër prerje dhe gryka, janë të mundshme rrëshqitje të vogla dheu. NP "Rrugët e Maqedonisë" apelon për drejtim të kujdesshëm me automjetet, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet e rrugës.

 Gjenevë  - Irani beson se pjesëmarrja e mundshme indirekte e presidentit amerikan Donald Tramp në bisedimet bërthamore është një çështje me rëndësi të brendshme për Uashingtonin, jo për Teheranin, raportoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA, duke cituar burime pranë ekipit negociator iranian. Korrespondenti i agjencisë nga Gjeneva sot raportoi se, sipas këtyre burimeve, Republika Islamike po hyn në negociata me qëllimin e qartë të heqjes së sanksioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje që do t'i sjellë përfitime të prekshme për popullin iranian.

Gjenevë - Negociatat trepalëshe midis Rusisë, ShBA-së dhe Ukrainës filluan sot në hotelin "Interkontinental" në Gjenevë, deklaroi një burim për mediat ruse. Takimet do të mbahen sot dhe nesër, më 18 shkurt. Delegacionin rus në Gjenevë e udhëhiq ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinski. I dërguari special i presidentit amerikan Donald Tramp, Steve Vitkof, dhe dhëndri i liderit amerikan Xhared Kushner, do të marrin pjesë në takimin për procesin e paqes për Ukrainën, ata kryesojnë delegacionin amerikan.

Gjenevë  - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, sot pas raundit të dytë të bisedave indirekte me SHBA-në në Gjenevë, tha se atmosfera ishte "më konstruktive se herën e kaluar". Ai tha se gjatë bisedave janë diskutuar tema më serioze dhe se u arritën marrëveshje konkrete për çështje të rëndësishme. "Pritjet tona janë se bisedat lëvizin drejt një zgjidhje konkrete, edhe pse ende nuk kemi arritur marrëveshje përfundimtare", tha Aragçi për gazetarët në Gjenevë.

Moskë  - Rusia po përgatitet plotësisht ta bllokojë aplikacionin e popullarizuar për mesazhe "Telegram" nga 1 prilli, raportoi kanali rus i Telegramit "Baza". Organi rus i censurës "Roskomnadzor" as nuk e konfirmoi as nuk e mohoi informacionin, shkruan "Drejtësia ukrainase". Duke i'u referuar burimeve të tij "Baza" citon se "Roskomnadzor" do të fillojë bllokimin e plotë të aplikacionit, ngjashëm me atë që e bëri me "Instagramin" dhe "Fejsbukun". Këto rrjete sociale në pronësi të "Meta"-s janë etiketuar si ekstremiste dhe të ndaluara në Rusi. Sipas burimeve të njejta duhet të ndalojë së funksionuari në të gjithë territorin e Rusisë dhe përmes internetit celular dhe përmes rrjeteve vaj-faj.

 

Остани поврзан