09:00/7 nëntor/2025
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski do të inspektojë punimet ndërtimore lidhur me projektin e trenit të qytetit, informojnë nga Qeveria. Një marrëveshje është nënshkruar tashmë për linjën 1 Zelenikovë – Draçevë – Lisiçe – Kisella Vodë – Aerodrom – Stacioni Hekurudhor i Shkupit. Vlera e marrëveshjes është 360 milionë denarë. Sipas projektit, do të kryhet një rindërtim dhe përmirësim i plotë i rrugës ekzistuese.
Shkup - Komisioni kuvendor për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit sot do të mbajë seancë. Në rend dite të seancës është Raporti i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për punët e ndërmarra sipas nenit 153 dhe 153-a të Kodit Zgjedhor, për pranimin e pjesës së mbetur të mandatit për deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të herëpashershme lokale shiu, veçanërisht në pjesët veriperëndimore dhe veriore. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga jugu, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 5 deri në 11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijnë nga 12 deri në 17 gradë. Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të përkohshme të shiut. Do të fryjë erë e dobët juglindore. Temperatura minimale do të bie në 9 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 15 gradë.
Tiranë - Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për barazinë gjinore mbrëmë vonë me 77 vota "pro", 36 "kundër" dhe asnjë "abstenim". Sipas arsyetimit, Ligji synon të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave. "Ligji i ri synon të përmirësojë kuadrin ligjor ekzistues për të siguruar mundësi të barabarta në punësim, arsim, përfaqësim në procesin e vendimmarrjes dhe mbrojtje nga çdo formë diskriminimi bazuar në gjini", shtohet në arsyetim.
Seul - Koreja e Veriut ka lëshuar sërish një raketë balistike në Detin Japonez, njoftoi këtë mëngjes armata e Koresë së Jugut. Edhe Qeveria japoneze konfirmoi gjithashtu se Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike, e cila ra jashtë zonës ekonomike. Kryeministrja japoneze Sanae Takaiçi deklaroi se nuk ka informacione për ndonjë dëm material.
Nju Jork - Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara mbrëmë i hoqi sanksionet kundër presidentit të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al Shara, vetëm disa ditë para vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë. Rezoluta e përgatitur nga SHBA-ja u miratua me 14 vota "për" dhe një "të përmbajtur”. Sanksionet janë hequr edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme siriane, Anas Hatab. Kundër al-Sharas dhe Hatab ishin vendosur sanksione për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetin Islamik dhe Al Kaedën dhe u ishte ndaluar udhëtimi, u ishte ngrirë pasuria dhe kishin embargo të armëve.
Uashington - Disa persona ishin dërguar në spital pasi një pako e dyshimt ishte vendosur në bazën ushtarake amerikane, Baza e përbashkët Endrus në Merilend. Dy burime të njohura me hetimin konfirmuan se paketa përmbante një pluhur të bardhë të panjohur, raportoi Si-En-En. Në një njoftim zyrtar nga baza, e cila ndodhet në afërsi të Uashingtonit, thuhet se ndërtesa u evakua pasi një person "hapi një paketë të dyshimtë".
Uashington - Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) u ka urdhëruar linjave ajrore të ulin fluturimet e brendshme me katër për qind duke filluar nga sot në 40 aeroporte kryesore amerikane. Kufizimet hyjnë në fuqi në orën 6 të mëngjesit sipas kohës lindore. FAA përmendi shqetësim në lidhje me sigurinë ajrore për shkak të mbylljes së Qeverisë.
Uashington - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, njoftoi në Platformën Iks se tre persona u vranë në sulmin e mbrëmshëm amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për transportimin e drogës në Detin e Karaibeve. Hegset shtoi se anija operohej nga "një organizatë e përcaktuar si terroriste", por nuk dha detaje të mëtejshme.