• недела, 24 ноември 2024

Kristof Le Rigoler: Maqedonia e Veriut është anëtare e besueshme e NATO-s, mund të llogarisni në mbështetjen franceze për modernizimin e Armatës

Kristof Le Rigoler: Maqedonia e Veriut është anëtare e besueshme e NATO-s, mund të llogarisni në mbështetjen franceze për modernizimin e Armatës

Shkup, 24 nëntor 2024 (MIA) - Megjithëse bashkëpunimi midis Parisit dhe Shkupit ekzistonte edhe para aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, anëtarësimi në Aleancë siguron kornizë shtesë për bashkëpunim dhe solidaritet në fushën e mbrojtjes, bën të ditur ambasadori i ri francez në vend, Kristof Le Rigoler, në intervistë për MIA-n.

"Maqedonia e Veriut, e cila tani duhet të përmbushë qëllimet e kapaciteteve që rrjedhin nga angazhimi i saj në NATO, mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Francën dhe ekspertizën e saj ushtarake për të modernizuar armatën e vet, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Mbrojtjes, të nënshkruar më 14 tetor të vitit 2022. Blerja e sistemeve "Mistral" është shembull konkret i lidhjeve të forta midis dy vendeve tona", shprehet Le Rigoleri.

Ai shton se aleanca e NATO-s është kornizë që ofron mundësinë për dialog të zgjeruar politik.

"Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO gjithashtu lejon dialog të zgjeruar politik mbi politikat e sigurisë, stabilitetin rajonal ose menaxhimin e krizave ndërkombëtare. Dëshiroj të përgëzoj zonjën Radmilla Shekerinska për emërimin e saj si Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, e cila ilustron besueshmërinë e Maqedonisë së Veriut si anëtare e Aleancës", shprehet mes tjerash ambasadori francez.

I pyetur për qëndrimin e Parisit për atë nëse kthimi i Trampit në Shtëpinë e Bardhë do të sillte ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Evropë dhe prioritetet e Brukselit, ai vuri në dukje fjalimin e Presidentit francez Emmanuel Makron në samitin e fundit të Bashkësësisë Politike Evropiane dhe mesazhin e tij se evropianët duhet të jenë në gjendje të mbrojnë vetë vlerat dhe interesat e tyre.

"Është koha të ndryshojmë qasjen tonë dhe ta bëjmë pyetjen në mënyrë tjetër. Duhet të ndalojmë së pozicionuari veten si partner më i vogël, shpresat ose frika e të cilit varen nga zhvillimi i politikës amerikane. Presidenti i Republikës, Emanuel Makron, përkujtoi për këtë më 7 nëntor në Budapest, gjatë samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Ne, evropianët, duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë interesat dhe vlerat tona, pa pritur që aktorët e tjerë ta bëjnë atë për ne. Kjo është arsyeja pse Franca dëshiron të zhvillojë autonomi të vërtetë strategjike evropiane. Nuk është çështja e vënies në pikëpyetje të aleancave tona, por e forcimit të shtyllës evropiane brenda aleancave tona. Në vend që të komentojmë mbi efektet e mundshme të zgjedhjeve amerikane, le ta përqendrojmë energjinë tonë në ndërtimin e fuqisë dhe unitetit strategjik të Evropës në lidhje me kërcënimet që po bëhen gjithnjë e më të shumta. Maqedonia e Veriut ka rolin e vet në këtë aventurë kolektive", shprehet ambasadori Le Rigoler.

Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe kthimit të Trampit në presidencë, nëse negociatat e paqes për t'i dhënë fund konfliktit janë në horizont, duke marrë parasysh kontekstin aktual gjeopolitik, ambasadori francez thekson se duke mbështetur Ukrainën, ne po punojmë në interes të paqes në kontinentin evropian dhe në botë.

"Duhet të përkujtohemi në atë që është evidente. Ukraina është viktimë e agresionit rus, të motivuar nga një projekt imperialist dhe destabilizimi i kontinentit evropian. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën, ndërsa Franca është mirënjohëse për ndihmën e ofruar nga Maqedonia e Veriut. Interesi ynë, pavarësisht nga pozicioni i ardhshëm amerikan, është të mos lejojmë që Rusia të fitojë luftën, sepse kjo do të vinte në pikëpyetje kufijtë e shteteve sovrane nga një fuqi perandorake dhe ekspansioniste. Ne punojmë në interes të paqes në Evropë dhe stabilitetit në botë duke mbështetur Ukrainën", shprehet Le Rigoler.

Intervista e plotë me MIA nga Ambasadori Francez Kristof Le Rigoler:

Republika e Maqedonisë së Veriut mori raportin e 17-të me radhë nga KE-ja për përparimin e vendit në rrugën e tij evropiane. Pjesa më e madhe e rekomandimeve janë në fushën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Komenti juaj për Raportin?

"Këto rekomandime kanë të bëjnë me reformat fundamentale që janë të domosdoshme për integrimin evropian. Fakti që theksi është në këto çështje kryesore nuk është befasi. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit (pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) janë pjesë e këtyre reformave të nevojshme, rëndësia e të cilave theksohet vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij. Këto rekomandime janë ende aktuale dhe rrjedhin nga vlerësimi real i situatës, siç e përmendi së fundmi edhe ministri i Drejtësisë.

Këto tema janë gjithashtu ndër prioritetet e axhendës së reformave të paraqitura në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Për shkak të kësaj, Franca mori vendim, në mbështetjen e saj për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, të sigurojë tre ekspertë teknikë në ministritë e mjedisit jetësor, çështjeve evropiane dhe drejtësisë, në mënyrë që të mbështesë maksimalisht përpjekjet në këto administrata.

Franca nisi metodologjinë e re të negociatave me BE-në, e cila duhet të mundësojë integrimin gradual në Bashkimin të vendeve aspirante dhe tashmë negociatore. A i shihni efektet e kësaj dhe sa do të ndihmojë Plani i rritjes për BP-në, respektivisht, parimi i reformave për para, për të zbatuar Agjendën e Reformave në përputhje me KE-në dhe për të përshpejtuar integrimet evropiane?

Sigurisht, Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke siguruar udhërrëfyes konkret, do të lehtësojë zbatimin e reformave të nevojshme. Integrimi progresiv, i cili mundëson forcimin gradual të lidhjeve midis shteteve anëtare dhe vendeve kandidate para integrimit të plotë, është qasje që synon të demonstrojë përfitimet e procesit të integrimit. Për shembull, integrimi i Maqedonisë së Veriut në sistemin evropian të pagesave SEPA do t'u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të bëjnë transferta bankare falas në dhe nga vendet e BE-së.

Megjithatë, mbetet përgjegjësi e vendeve kandidate për të zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe reformave të administratës. Financimi mund të përdoret në mënyrë efektive vetëm nëse shtetet që e marrin janë në gjendje ta shpenzojnë atë. Prandaj është e nevojshme të forcohen kapacitetet administrative të Maqedonisë së Veriut. Në përgjithësi, përshpejtimi i procesit të integrimit varet kryesisht nga shpejtësia e zbatimit të reformave. Fundja, është e rëndësishme të përkujtojmë se reformat do të jenë të dobishme kryesisht për Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj.

Kushti që vendi të mbajë Konferencën e dytë ndërqeveritare dhe të hapë negociatat për kapitujt janë ndryshimet kushtetuese të përfshira në kornizën negociuese të bazuar në propozimin francez. A ka mundësi për ndërmjetësim francez në “propozimin francez plus”, për ndryshime kushtetuese me veprim të prolonguar deri në përfundim të negociatave?

"Në kuadër të Strategjisë së saj për Ballkanin Perëndimor, për Francën, integrimi i rajonit është prioritet. Prandaj, Franca mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë plotësisht procesin që çon në integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e saj për të tejkaluar bllokadat aktuale. Angazhimet e marra përsipër duhet të respektohen. Megjithatë, ne nuk jemi indiferentë ndaj ndjeshmërisë së temës.

Është e nevojshme të jemi realistë dhe të kuptojmë se nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit, i cili për nga natyra e tij është kompleks, sepse kërkon pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare. Megjithatë, Franca është e gatshme të punojë dhe të përdorë fuqinë e saj të bindjes për të siguruar rrjedhën e procesit të integrimit, për të mirën e Bashkimit Evropian dhe të gjithë rajonit të Evropës Juglindore.

A do të sjellë kthimi i Trampit në Shtëpinë e Bardhë një ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Evropë dhe prioritetet e Brukselit?

"Është koha të ndryshojmë qasjen tonë dhe ta bëjmë pyetjen në mënyrë tjetër. Duhet të ndalojmë së pozicionuari veten si partner më i vogël, shpresat ose frika e të cilit varen nga zhvillimi i politikës amerikane. Presidenti i Republikës, Emanuel Makron, përkujtoi për këtë më 7 nëntor në Budapest, gjatë samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Ne, evropianët, duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë interesat dhe vlerat tona, pa pritur që aktorët e tjerë ta bëjnë atë për ne. Kjo është arsyeja pse Franca dëshiron të zhvillojë autonomi të vërtetë strategjike evropiane. Nuk është çështja e vënies në pikëpyetje të aleancave tona, por e forcimit të shtyllës evropiane brenda aleancave tona. Në vend që të komentojmë mbi efektet e mundshme të zgjedhjeve amerikane, le ta përqendrojmë energjinë tonë në ndërtimin e fuqisë dhe unitetit strategjik të Evropës në lidhje me kërcënimet që po bëhen gjithnjë e më të shumta. Maqedonia e Veriut ka një rol për të luajtur në këtë aventurë kolektive.

Në pritje të komisionerëve të rinj të BE-së dhe reformave të paralajmëruara të BE-së, a shqyrtohet ndonjë ndryshim në parimin e konsensusit në vendimmarrjen e Bashkimit, ka disa paralajmërime se ekziston mundësia e vendimmarrjes sipas parimit 27-1?

"Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian kanë qenë gjithmonë shumë kreativ kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes për të tejkaluar situatat e bllokadës. Megjithatë, nuk ekziston mekanizëm formal "27 minus 1", dhe për këtë arsye nuk mund të jetë zgjidhje e institucionalizuar për bllokadën momentale. Vendimet e zgjerimit të Bashkimit Evropian rregullohen nga parimi i njëzëshmërisë.

Garancia më e mirë për Maqedoninë e Veriut është pa dyshim të vazhdojë të punojë me përkushtim në reformat e saj, në mënyrë që të forcojë kandidaturën e saj, cilësia e së cilës do të njihet nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare.

Budapesti këtë muaj ishte nikoqir i Bashkësisë Politike Evropiane si forumi më i gjerë ndërqeveritar për diskutime politike dhe strategjike mbi të ardhmen e Evropës, dhe midis tyre në qendër të këtij Samiti, Orban vuri luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

 - Bashkësia politike evropian është kornizë e përshtatshme për të diskutuar sfidat që i kemi të përbashkëta, pavarësisht nëse jemi apo jo anëtarë të Bashkimit Evropian. Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kontinenti evropian përballet me sfidën e agresionit ushtarak. Kërcënimet që ngrihen sot mbi Evropën dhe vlerat tona kanë burime dhe forma të ndryshme. Në këtë kontekst të pasigurisë dhe rritjes së rreziqeve, evropianët kanë përgjegjësi për t'u përballur me këto sfida në mënyrë kolektive. Ky është thelbi i ekzistencës së kësaj Bashkësia politike evropiane, e cila në të ardhmen mund të trajtojë edhe tema të reja.

Lufta kundër rrjeteve të paligjshme të emigrantëve është pjesë e këtyre sfidave, dhe është e rëndësishme të diskutohet kjo, pasi ne e dimë se këto çështje komplekse kërkojnë reflektim të përbashkët dhe menaxhim të koordinuar.

Si e vlerësoni bashkëpunimin dypalësh pas vendosjes së aktiviteteve të Agjencisë franceze për zhvillimin e vendit?

- Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFZH) filloi të punojë me Maqedoninë e Veriut në vitin 2019, kur mori mandat për të mbështetur afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian. Politika e AFSZH-së bazohet në tri shtylla kryesore për të mbështetur Maqedoninë e Veriut: procesi i harmonizimit evropian, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, veçanërisht në sektorin energjetik, digjitalizimin dhe mjedisin jetësor.

Aktivitetet e AFZH-së kontribuojnë gjithashtu në promovimin e ekspertizës publike dhe private franceze në vendin tuaj. Linja e parë kreditore prej 50 milionë eurosh u miratua në vitin 2023 nga Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut, ndërsa për momentin po shqyrtohen projekte të tjera, veçanërisht për të mbështetur politikat prioritare të Qeverisë maqedonase.

Ky investim i AFZH-së në Maqedoninë e Veriut është pjesë e një strategjie më të gjerë për të riangazhuar Francën në Ballkan. Dinamika aktuale e marrëdhënieve francezo-maqedonase e tregon këtë, dhe projektet e AFZH-së janë në përputhje me interesin e kompanive franceze në Maqedoninë e Veriut.

Franca dhe Maqedonia e Veriut janë gjithashtu aleatë të NATO-s. Sa kontribuon kjo në forcimin e lidhjeve në relacionin Paris - Shkup?

- Megjithëse bashkëpunimi midis Parisit dhe Shkupit ekzistonte edhe para se Maqedonia e Veriut të anëtarësohej në NATO, anëtarësimi në Aleancë siguron kornizë shtesë për bashkëpunim dhe solidaritet në fushën e mbrojtjes.

Maqedonia e Veriut, e cila tani duhet të përmbushë qëllimet e kapaciteteve që rrjedhin nga angazhimi i saj në NATO, mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Francën dhe ekspertizën e saj ushtarake për të modernizuar armatën e vet, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Mbrojtjes, të nënshkruar më 14 tetor të vitit 2022. Blerja e sistemeve "Mistral" është shembull konkret i lidhjeve të forta midis dy vendeve tona.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO gjithashtu lejon dialog të zgjeruar politik mbi politikat e sigurisë, stabilitetin rajonal ose menaxhimin e krizave ndërkombëtare. Dëshiroj të përgëzoj zonjën Radmilla Shekerinska për emërimin e saj si Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, e cila ilustron besueshmërinë e Maqedonisë së Veriut si anëtare e Aleancës.

Nga pikëpamja operative, anëtarësimi në NATO u lejon dy vendeve tona të bashkëpunojnë në kuadër të operacioneve ose stërvitjeve ushtarake, duke forcuar kështu ndërveprimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Është gjithashtu e rëndësishme të përkujtojmë se NATO-ja është themeluar mbi një doktrinë mbrojtëse, në shërbim të të gjithë aleatëve. Në këtë kontekst, stërvitja e trajnimit në zonën e Balltikut, nga 18 nëntori deri më 15 dhjetor, në të cilën Franca merr pjesë në mënyrë aktive, është e rëndësishme. Kjo tregon vendosmërinë, kohezionin e fortë dhe ndërveprimin e forcave të NATO-s.

Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe kthimit të Trampit në presidencë, a janë negociatat e paqes për t'i dhënë fund konfliktit në funksion të kontekstit aktual gjeopolitik?

- Duhet të përkujtohemi në atë që është evidente. Ukraina është viktimë e agresionit rus, të motivuar nga një projekt imperialist dhe destabilizimi i kontinentit evropian. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën, ndërsa Franca është mirënjohëse për ndihmën e ofruar nga Maqedonia e Veriut. Interesi ynë, pavarësisht nga pozicioni i ardhshëm amerikan, është të mos lejojmë që Rusia të fitojë luftën, sepse kjo do të vinte në pikëpyetje kufijtë e shteteve sovrane nga një fuqi perandorake dhe ekspansioniste. Ne punojmë në interes të paqes në Evropë dhe stabilitetit në botë duke mbështetur Ukrainën.

Violeta Gerov

Foto: Frosina Naskoviq

Тагови

Остани поврзан