KE-ja për propozimin e Putinit për administratë të përkohshme në Ukrainë: Nuk e komentojmë propagandën e tij
- Bashkimi Evropian nuk ka ndërmend t'i kushtojë vëmendje ose ta komentojë propagandën e presidentit rus, Vlladimir Putin, tha sot zëdhënësja e KE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anita Hiper.

Bruksel, 28 mars 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian nuk ka ndërmend t'i kushtojë vëmendje ose ta komentojë propagandën e presidentit rus, Vlladimir Putin, tha sot zëdhënësja e KE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anita Hiper.
E pyetur për koment të BE-së për propozimin e Putinit për vendosjen e Ukrainës nën administratë të përkohshme të KB-së, në mënyrë që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend, Hiper deklaroi se presidenti rus është kriminel me urdhër arrest ndërkombëtar dhe BE-ja nuk do t'i kushtojë vëmendje, e as nuk do të komentojë asnjë çështje që lidhet me propagandën e tij.
"Shikoni faktet. Fakti është se ne kemi një agresor, kemi Ukrainën, e cila nuk tregon gjë tjetër përveç vullnetit të mirë për paqe dhe ne jemi këtu me mbështetjen tonë për Ukrainën. Fokusi ynë është të sigurohemi se do të kemi paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Hiper.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, shtoi se presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe demokratike dhe se përderisa populli ukrainas nuk kërkon zgjedhje të reja, askush tjetër nuk mund të propozojë diçka të tillë.
Putin e parashtroi propozimin për vendosjen e Ukrainës nën administrimin e KB-së dje gjatë takimit me ushtarët në një nëndetëse bërthamore në bazën ruse në Arhangelsk.
"Praktika e tillë ekziston dhe në parim, natyrisht, mundësia e një administrate të përkohshme të KB-së mund të diskutohet me SHBA-në, vendet evropiane dhe, natyrisht, me partnerët dhe miqtë tanë", tha Putin.
Qëllimi i asaj administrate të përkohshme, sipas tij, do të ishte mbajtja e zgjedhjeve demokratike, pas të cilave "në pushtet do të vijë një qeveri e aftë për të punuar për një marrëveshje paqesore".
“Më pas do të fillojmë negociatat për një marrëveshje paqesore, do të nënshkruajmë dokumente legjitime që njihen në botë dhe janë të sigurta dhe të qëndrueshme”, tha Putin. bsh/
Foto: MIA arkiv