• среда, 29 јануари 2025

Kaja Kallas pas emërimit të Sorensenit: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është prioritet

Kaja Kallas pas emërimit të Sorensenit: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është prioritet

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas sot në Bruksel deklaroi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është prioritet i BE-së dhe e komentoi vendimin e Këshillit të BE-së për ta emëruar Piter Sorensenin për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Në Ballkanin Perëndimor ne vazhdojmë t'i japim prioritet stabilitetit. Dhe më vjen mirë që mund të publikoj se sot Këshilli e emëroi Piter Sorensenin për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit", tha Kallas në konferencë për shtyp në Bruksel, ku foli për një sërë çështjesh, të cilat ishin në rend të ditës, në takimin e sotëm të Këshillit të BE-së për punë të jashtme.

Ajo potencoi se në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së u bisedua për shumë çështje urgjente të sigurisë, duke filluar nga siguria në Ukrainë dhe potencoi se Ukrainës i nevojitet përkrahje shtesë.

Kallas tha se kanë biseduar edhe për përforcimin e sigurisë në vet Evropën, duke pohuar se aksionet hibride të Rusisë po rriten për nga frekuenca dhe intensiteti.

Përfaqësuesja e lartë evropiane tha se u bë fjalë edhe për marrëdhëniet BE-SHBA, me ç'rast theksoi se Evropa dhe Amerika Veriore së bashku janë më të fuqishme dhe më të sigurta. Ajo u shpreh se sot është arritur marrëveshje politike për fillim të lehtësimit të sanksiomeve ndaj Sirisë, por paralajmëroi se BE-ja është e gatshme ta ndryshojë kursin nëse situata në atë vend përkeqësohet.

Për Izraelin dhe Palestinën ajo tha se BE-ja e përkrah zbatimin e armëpushimit, duke përfshirë edhe risistemimin e misionit civil të BE-së në Rafah për ndjekjen e kontrolleve kufitare.

"Hapja e sërishme e vendkalimit kufitar do të mundësojë transportim të të lënduarve për mjekim nga Gaza", tha Kallas. bsh/

Foto: EPA

Остани поврзан