Janevska për MIA-n: Specializimi i mençur do të sjellë rritje në ekonominë e Maqedonisë dhe jetë më të mirë
- Zbatimi i planeve të përfshira me Strategjinë e specializimit të mençur do të sjellë rritje në ekonomi dhe jetë më të mirë në vend dhe do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve për hyrje në Bashkimin Evropian, deklaroi për MIA-n Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës e cila në Bruksel mori pjesë në Konferencën kushtuar strategjive të specializimit të mençur në procesin e zgjerimit të BE-së.
Bruksel, 3 dhjetor 2025 (MIA) – Zbatimi i planeve të përfshira me Strategjinë e specializimit të mençur do të sjellë rritje në ekonomi dhe jetë më të mirë në vend dhe do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve për hyrje në Bashkimin Evropian, deklaroi për MIA-n Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës e cila në Bruksel mori pjesë në Konferencën kushtuar strategjive të specializimit të mençur në procesin e zgjerimit të BE-së.
"Kam përshtypjen se të gjithë qytetarëve u ësht[ e qartë se çfarë është në të vërtetë specializimi i mençur dhe sa është ai element i rëndësishëm në vendin tonë. Strategjia e specializimit të mençur me ndihmën e Qendrës së përbashkët hulumtuese të Komisionit Evropian (JRC) janë përcaktuar pjesët më të forta ekonomike të vendit që duhet të zhvillohen në mënyrë që të përmirësojnë ekonominë. Pra, ekonomia dhe rritja e ekonomisë në Maqedoni lidhet me zbatimin e specializimit të mençur", tha Janevska, e cila gjithashtu paralajmëroi formimin e Zyrës së parë për specializim të mençur në kuadër të MASH-it.
Ajo thekson se në Strategjinë e specializimit të mençur janë përcaktuar katër elemente të rëndësishme, të cilat quhen shtyllat e ekonomisë maqedonase dhe përfshijnë sektorin e teknologjisë informatike-komunikuese, bujqësinë e mençur, industrinë e elektromakinave ose industrinë 4.0 dhe materialet e qëndrueshme dhe objektet e mençura, të cilat ndërlidhen dhe dy elementë mbështetës horizontalë, përkatësisht energjia e së ardhmes dhe turizmi.
"Vlerësohet se zhvillimi i këtyre gjashtë fushave de fakto do të sjellë rritje në ekonomi dhe jetë më të mirë në Maqedoni. Prandaj, implementimi i këtij specializimi të mençur është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përparimin e Maqedonisë, ndërsa gjithashtu për arritjen e standardeve për hyrjen në Bashkimin Evropian, respektivisht për përfshirjen e shtetit tonë në BE", theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Janevska në Konferencën iu drejtua panelit “Proceset e specializimit të mençur në Ballkanin Perëndimor: arritjet dhe përvojat kryesore”, me ç'rast informoi për përparimin e rëndësishëm që ka arritur vendi në vitin e fundit dhe gjysma në fushën e specializimit të mençur.
"Procesi i specializimit të mençur është zhbllokuar. Paraprakisht, për rreth pesë vjet nuk ndodhte asgjë në këtë pjesë, ndërsa tani si shtet me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe fondeve IPA, investojmë seriozisht në specializimin e mençur dhe fillojmë të ndiejmë efektet", shprehet Janevska.

Ajo shtoi se konkluzioni nga ajo që mund të dëgjonte nga bashkëpjesëmarrësit e saj në Konferencë nga vendet e tjera të rajonit ishte se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë kuptuar seriozisht punën dhe po përpiqen t'i plotësojnë kushtet që i kërkon BE-ja për realizimin e specializimit të mençur.
"Nuk mund të them se jemi të parët, por nuk jemi as të fundit, jemi diku në mes me realizimin e Planit të parë të veprimit dhe fillimin e të dytit. Maqedonia, në periudhën e fundit prej një viti e gjysmë, ka investuar shumë, jo vetëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por edhe në ministritë e transformimit digjital dhe ekonomisë dhe gjithsesi në universitetet. Specializimi i mençur në fakt kërkon bashkimin e shkencës, respektivisht universiteteve, industrisë, respektivisht sektorit privat, shtetit dhe shoqërisë civile, që të gjithë duhet të komunikojnë bashkërisht me njëri-tjetrin, të punojnë në përmirësimin e produktivitetit dhe, me ndihmën e shkencës, të përmirësojnë inovacionin në vend", shprehet ministrja Janevska.
Sipas saj, risia nuk do të thotë shpikje të diçkaje të re ose disa patentave të reja, por përmirësimi i të gjitha proceseve dhe digjitalizimi dhe lëvizja e tyre në drejtim të agjendës së gjelbër dhe transformimit digjital, në mënyrë që të mund të përfshihemi në proceset e Bashkimit Evropian.
Ajo thekson se në të gjitha këto procese vendin e ndihmon ndjeshëm Qendra e Përbashkët Hulumtuese të Komisionit Evropian (JRC), që në fakt është qendër shkencore, përmes së cilës Bashkimi Evropian ndërton të gjitha politikat e tjera.
"Ne nuk do të përfshihemi në BE derisa të arrijmë të punojmë në të njëjtin parim si Bashkimi", shtoi Janevska.
Ministrja, në deklaratën e saj për MIA-n, theksoi se në margjinat e Konferencës ka pasur edhe takime me drejtorin e përgjithshëm të Qendrës së Përbashkët Hulumtuese të KE-së, Bernard Magenhan, dhe me drejtoreshën e Strategjisë dhe Politikave të JRC-së, Sabine Hencler, e cila ka ofruar mbështetje për vendin në katër drejtime të rëndësishme, edhe atë mbikëqyrje dhe monitorim, ndërtimin e parkut të parë shkencor dhe teknologjik, mbështetje teknike për hapjen e Zyrës për Specializim të Mençur dhe Agjencisë Kombëtare për Inovacion dhe Sipërmarrësi – INNOVA për vlerësim në zbatimin e projekteve të specializimit të mençur dhe ndihmë për hapjen e qendrës digjitale bujqësore, që tashmë ekziston si laborator në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit në UKM dhe tani do të transformohet në qendër të përsosmërisë.
"Mjetet që duhet të sigurojmë për specializimin e mençur vijnë nga buxheti i vendit dhe nga ekonomia. Nga BE-ja shprehën vërejtje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor se ne në përgjithësi japim mjete publike, e se specializimi i mençur funksionon kur është më i përfshirë dhe kur investon sektori privat. Por, për ta arritur këtë sektori privat duhet të ketë besim tek shteti. Prandaj nevojitet legjislacion i mirë", tha Janevska.
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Ministrinë e Transformimit Digjital tashmë kishin miratuar Ligjin për Inovacione, Zhvillim Teknologjik dhe Sipërmarrësi. Sipas saj, në të gjitha këto procese, është veçanërisht e rëndësishme të përfshihen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilave shteti u ofron mbështetje, jo vetëm përmes INOVA-s, por edhe përmes projekteve shtetërore, si dhe sektorit civil, për të cilin ajo thotë se është relativisht mirë i përfshirë, por që ka hapësirë për përfshirje më të madhe të tij.

"Jemi në rrugë të mbarë. Kemi nota të mira gojore. Ne morëm mbështetje për katër elementët e rëndësishëm, gjë që tregon se duhet të jemi të kënaqur si shtet, e veçanërisht Ministria me gjithë atë që e ka bërë", theksoi Janevska.
Lidhur me raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit në rrugën evropiane të publikuar në fillim të muajit të kaluar, Janevska theksoi se në të vërejtjet më të mëdha ka në fushën e gjyqësorit dhe luftës kundër krimit dhe Qeveria po punon për përmbushjen e disa prej treguesve të caktuar deri në fund të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
"Në fushën e arsimit dhe shkencës kemi marrë nota relativisht të mira, sidomos për shkencën. Për arsimin nuk morëm notat e dëshiruara, por megjithatë relativisht të mira. Si ministër, që është detyrimi im, i kam bërë kundërtim në Komisionin Evropian se disa elemente nuk janë vlerësuar. Unë e kuptoj se, për shkak se raporti përgatitet diku në maj, e deri në publikimin e tij, ne në mënyrë plotësuese kemi përmbushur tashmë tregues të tjerë", theksoi Janevska.
Ajo theksoi se MASH-i përmbushi të gjitha detyrimet e përcaktuara me Agjendën reformuese për këtë vit, ndërsa para kohe ka përmbushur edhe një tregues tjetër. Në të njëjtën kohë, zbatoi edhe shumë reforma me miratimin e ligjeve të reja për arsimin fillor dhe të mesëm dhe implementimin e tyre, ndërsa tani po përgatit edhe ligj të ri për arsimin e lartë, që planifikohet të miratohet në tremujorin e parë të vitit 2026, si dhe një ligj të ri për veprimtari hulumtuese shkencore.
Janevska theksoi se MASH punon jo vetëm në atë që parashikohet me Agjendën Reformuese dhe çfarë pret BE-ja nga ne, por edhe në përmbushjen e standardeve të nevojshme për të bërë përparim në vend, kështu që së bashku me Ministrinë e Transformimit Digјital, punohet në digjitalizimin në shumë fusha, në bashkëpunim me universitetet, janë hapur qendra hulumtuese shkencore dhe përshpejtues dhe janë bërë investime në krijimin e qendrës së parë të inteligjencës artificiale, e cila bën hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të hulumtimit dhe inovacioneve.
"E gjithë kjo do të përmirësojë ekonominë. I gjithë specializimi i mençur dhe ajo që bëjmë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lidhet me ekonominë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të na ndodhë. Përveç kësaj, është e drejtë të thuhet edhe se Ministria e Ekonomisë ka pasur nëntë projekte hulumtuese dhe shkencore, ndërsa MASH-i prej 45 projekteve shkencore, 15 ia kushtoi specializimit të mençur", theksoi Janevska.
Sipas saj, për të arritur rezultate të prekshme në këtë fushë, është thelbësore të vendoset koordinimi midis ministrive, sektorit privat, shtetit dhe sektorit civil, që do të jetë detyra e Zyrës së parë të specializimit të mençur që do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Ajo thekson se JRC për momentin ka një konkurs të hapur për bursa për shkencëtarë, në të cilin, sipas njohurive të saj, kanë aplikuar tashmë nëntë hulumtues tanë.
"Bëj thirrje që të aplikojnë edhe të tjerë. Përveç kësaj, vitin e ardhshëm planifikojmë të shpallim konkurs për financimin e shkencëtarëve që do të punojnë në JRC dhe që do të
kthehen në vend dhe do të ndihmojnë në inovacionin e proceseve që do të duhej të përmirësojnë ekonominë", theksoi Janevska për MIA-n. sp/vg/
Foto: MIA