• недела, 05 јануари 2025

Ish futbollisti i Mançester Sitit, Mihail Kavellashvilli është zgjedhur president i Gjeorgjisë

Ish futbollisti i Mançester Sitit, Mihail Kavellashvilli është zgjedhur president i Gjeorgjisë

Tbilisi, 4 dhjetor 2024 (MIA) – Ish futbollisti Mihail Kavellashvilli sot është zgjedhur president i ri i Gjeorgjisë. Kavellashvilli i fitoi votat lehtë sepse partia në pushtet Ëndrra gjeorgjiane e kontrollon kolexhin 300-anëtarësh zgjedhor që i zëvendësoi zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2017. 

Kavellashvilli ishte sulmues i Mançester Sitit dhe disa klubeve nga Superliga zvicerane. Ai ishte zgjedhur deputet në parlamentin në vitin 2016 në listën e Ëndrrës gjeorgjiane, ndërsa në vitin 2022 ishte bashkëthemelues i lëvizjes politike “Fuqia e popullit”, e cila është në aleancë me Ëndrrën gjeorgjiane dhe u bë e njohur pas retorikës së fuqishme antiperëndimore. 

Ëndrra gjeorgjiane e ruajti kontrollin mbi parlament pas zgjedhjeve më 26 tetor për të cilat opozita thotë se ishin të kurdisura me ndihmën e Moskës. Presidentja gjeorgjiane në largim Salome Zurabishvilli dhe partitë kryesore properëndimore që atëherë e bojkotuan parlamentin dhe kërkuan përsëritjen e votimit. 

Ëndrra gjeorgjiane premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për anëtarësim në BE, por gjithashtu dëshiron t’i “rivendosë” lidhjet me Rusinë. Kritikët e akuzojnë Ëndrrën gjeorgjiane, të themeluar nga Bixhina Ivanishvilli, miliardere që është pasuruar në Rusi, se po bëhet gjithnjë e më shumë autoritar, akuzë të cilën partia në pushtet e mohon. 

Sallome Zurabishvilli është presidente nga viti 2018 dhe premtoi se do të mbetet në funksion edhe pas skadimit të mandatit të saj gjashtëvjeçar të hënën, duke e përshkruar veten si liderja e vetme legjitime deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. 

BE-ja, e cila ia ndau Gjeorgjisë statusin e kandidates në dhjetor të vitit 2023, nën kusht që vendi t’i përmbushë kriteret, e vendosi në pritje anëtarësimin e saj dhe e ndërpreu ndihmën financiare në qershor pas miratimit të ligjit për “ndikim të huaj”. 

Mijëra protestues po tubohen çdo natë para ndërtesës së parlamentit, pasi qeveria paralajmëroi ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësim në BE më 28 nëntor. fc/

Fotografia: Fejsbuku i Mihail Kavellashvilli

 

 

 

Остани поврзан