• петок, 05 декември 2025

Irani paralajmëron se rezervuarët e ujit po thahen, evakuim i mundshëm i Teheranit

Irani paralajmëron se rezervuarët e ujit po thahen, evakuim i mundshëm i Teheranit

 Teheran, 9 nëntor 2025 (MIA) - Rezervuarët e ujit që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e dytë më të madh të Iranit, Mashhad, janë pothuajse plotësisht të thatë dhe kanë më pak se tre për qind të rezervave të tyre, raportuan sot mediat lokale.

 Irani këtë vit po përballet me thatësirën më të keqe në dekada, ndërsa në Teheran sasia e reshjeve, siç tha një funksionar lokal në tetor, është "praktikisht e pashembullt në njëqind vitet e fundit".

Nga 31 provincat e Iranit, 15 nuk kanë parë shi këtë vjeshtë, duke lënë rezervat e ujit të Mashhadit në më pak se tre për qind, deklaroi për agjencinë e lajmeve Isna,  kreu i kompanisë së ujit të qytetit, Hosein Esmailian. 

 Sipas mediave lokale, rezervuarët e furnizuar nga digat përreth Mashhadit përmbajnë vetëm rreth 40 milionë metra kub ujë, ndërsa në të njëjtën kohë vitin e kaluar shifra ishte rreth 189 milionë metra kub.

 Në Teheran, situata është veçanërisht kritike, pasi qyteti furnizohet me ujë nga pesë rezervuarë, njëri prej të cilëve është plotësisht i thatë, dhe të tjerët kanë vetëm rreth tetë për qind të rezervave të tyre, sipas të dhënave të autoriteteve.

 Qeveria dje tha je se do të vendosë ndërprerje periodike të furnizimit me ujë gjatë natës për të kursyer ujë.

Presidenti Masud Pezeshkian të enjten paralajmëroi se Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së shiut para fundit të vitit, pa shpjeguar se si do të kryhet një operacion i tillë. 

Në Irani për momentin ka 19 liqene të mëdha artificiale plotësisht të thata, që përfaqësojnë rreth 10 për qind të rezervave të përgjithshme të ujit të vendit, raportoi në tetor agjencia e lajmeve Mehr.

 Foto: EPA

 

Остани поврзан