• четврток, 04 декември 2025

Gashi: Qytetarët më 11 janar të dalin masivisht për të votuar në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë e Rostushë dhe Qendrën Zhupë

Gashi: Qytetarët më 11 janar të dalin masivisht për të votuar në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë e Rostushë dhe Qendrën Zhupë

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot e nënshkroi aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin zgjedhor dhe legjislacionin përkatës.

Në deklaratën me shkrim për zgjedhjet e prësëritura për kryetarë komunash në këto katër komuna, kryetari i Kuvendit Gashi thekson se me hyrjen në fuqi të këtij akti, institucionet kompetente fillojnë me zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore.

"U bëj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm. I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave europiane", tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit u drejtohet qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim.

Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional.

"Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional", tha Gashi.

Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj proceseve të rregullta demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të vendit.

Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë si dhe në Qendrën Zhupë zgjedhjet duhet të përsëriten sepse më 19 tetor, në votim nuk doli numër i mjaftueshëm i qytetarëve. ab/

ФОТО: Собрание

 

Остани поврзан