Fon der Lajen nga Parisi paralajmëroi 200 miliardë euro investime për inteligjencën artificiale
- Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Lajen sot në Samitin për të ardhmen e inteligjencës artificiale në Paris ka paralajmëruar nismë të re të BE-së të quajtur "InvestAI" e cila synon të mobilizojë 200 miliardë euro investime në zhvillimin e inteligjencës artificiale, si dhe fond të ri evropian në vlerë 20 miliardë euro për të mbështetur këtë sektor industrial.
![Fon der Lajen nga Parisi paralajmëroi 200 miliardë euro investime për inteligjencën artificiale](https://mia.mk/images/20250211122239_big_730x400_25.webp )
Bruksel, 11 shkurt 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Lajen sot në Samitin për të ardhmen e inteligjencës artificiale në Paris ka paralajmëruar nismë të re të BE-së të quajtur "InvestAI" e cila synon të mobilizojë 200 miliardë euro investime në zhvillimin e inteligjencës artificiale, si dhe fond të ri evropian në vlerë 20 miliardë euro për të mbështetur këtë sektor industrial.
Sipas saj, krijimi i një infrastrukture në shkallë të gjerë për inteligjencën artificiale nevojitet për të mundësuar zhvillimin e hapur të përbashkët të modeleve të saj më komplekse dhe që Evropa të bëhet një "kontinent me inteligjencë artificiale".
"Inteligjenca artificiale do ta përmirësojë kujdesin tonë shëndetësor, do të nxisë kërkimin dhe inovacionin tonë dhe do të forcojë konkurrencën tonë. Duam që inteligjenca artificiale të jetë një forcë për të mirë dhe për rritje”, tha Fon der Lajeni.
Ajo tha se për këtë qëllim BE-ja përdor qasjen e saj evropiane, bazuar në trsnaprencë, bashkëpunim dhe shfrytëzim të talentëve e cila ende duhet të plotësohet.
"Prandaj, së bashku me shtetet tona anëtare dhe partnerët tanë do të mobilizojmë kapital të paprecedentë përmes 'InvestAI' për fabrikat evropiane të inteligjencës artificiale. Ky partneritet unik publik-privat për inteligjencën artificiale i ngjashëm me CERN-in do t'u mundësojë të gjithë shkencëtarëve dhe kompanive tona, jo vetëm atyre të mëdha- të zhvillojnë modelet më të mëdha dhe të avancuara të nevojshme që Evropa të bëhet një "kontinent me inteligjencë artificiale", thekson Fon der Lajen.
Mbështetje për nismën paralajmëroi edhe kryetarja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Nadia Kalvinjo e cila tha se inteligjenca artificiale është një shtytës kryesor i inovacionit dhe produktivitetit.
"Së bashku me Komisionin e BE-së, Grupacionin BEI po rrit mbështetjen për inteligjencën artificiale, si një shtytës kryesor të inovacionit dhe produktivitetit në Evropë", ka thënë Kalvinjo.
BE-ja deri më tani ka ndarë 10 miliardë euro në mbështetje për fabrikat e inteligjencës artificiale e cila paraqet investimin më të madh publik në inteligjencën artificiale në botë dhe tashmë ofron qasje për kompanitë dhe industrinë në superkompjuterë.
Foto: arkivi i MIA-s