Aleksandar Trajanovski, propozim për nënkryetar të ri të LSDM-së
- Dr. Aleksandar Trajanovski do të propozohet për nënkryetar të ri të LSDM-së, bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp lideri i partisë Venko Filipçe.
Shkup, 13 nëntor 2025 (MIA) - Dr. Aleksandar Trajanovski do të propozohet për nënkryetar të ri të LSDM-së, bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp lideri i partisë Venko Filipçe.
Filipçe sot propozimin do ta shpallë në një seancë të Këshillit Ekzekutiv të partisë të caktuar për në orën 18. Propozimi që Trajanovski të jetë nënkryetar i ri i LSDM-së duhet të kalojë edhe nga anëtarët e Komitetit Qendror, por për momentin nuk është caktuar një seancë e këtij organi më të lartë të partisë opozitare.
"Sonte do të mbahet mbledhje e Këshillit Ekzekutiv në të cilën do të shpall disa nga këto plane. Siç thashë, po ecim me kujdes me këtë proces, kërkoj durim nga anëtarët dhe mbështetësit. Dua të paralajmëroj se do ta nominoj mjekun Aleksandar Trajanovskin, i cili aktualisht është anëtar i Këshillit Ekzekutiv, për pozicionin e nënkryetarit. Një person jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj partisë, i cili pati një fushatë të shkëlqyer, tërhoqi shumë vëmendje dhe besoj se kjo do të jetë një forcim i rëndësishëm kadrovik i partisë", deklaroi në konferencën për shtyp Filipçe.
Trajanovski, i cili ishte kandidat i LSDM-së për kryetar komune të Aerodromit, do të propozohet si nënkryetar i LSDM-së pas dorëheqjes së Ana Çupeskës, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Filipçe i përgënjeshtroi raportimet e mediave se ishte refuzuar nga një ish-kryetar komune, duke i quajtur ato një gënjeshtër absolute.
"Nuk ka person të tillë që ka refuzuar ndonjë ofertë. Nuk ka asnjë, tha kryetari i LSDM-së, duke shtuar se VMRO-DPMNE merret me çështje të tilla, në vend që t'u përgjigjet pyetjeve që lidhen me ekonominë.
Foto: Arkivi