Aeroplanë ushtarakë tajlandezë kryen sulme mbi Kamboxhia
- – Aeroplanë ushtarakë tajlandezë sot sulmuan caqe në Kamboxhia, njoftuan mediat lokale.
Pnom Pen, 10 dhjetor 2025 (MIA) – Aeroplanë ushtarakë tajlandezë sot sulmuan caqe në Kamboxhia, njoftuan mediat lokale.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias njoftoi se aeroplanë tajlandezë F-16 hodhën dy bomba mbi fshatra në provincën Minçi, në kufirin me Tajlandën. Për momentin nuk ka informacione për viktima eventuale.
Paraprakisht, Armata e Tajlandës njoftoi se ka ndërmarrë një operacion të madh për shkak të përshkallëzimit të konflikteve në kufirin me Kamboxhian.
"Më 10 dhjetor, marina mbretërore tajlandeze mori kompetenca të zgjeruara operacionale në sektorin e saj për shkak të përshkallëzimit të armiqësive me Kamboxhian", thuhet në komunikatë.
Operacioni quhet "Trat po shtyp armikun", ndërsa anija luftarake HTMS Tepa (HTMS Thepa) është vendosur në zonën për të kryer patrullime dhe zbulime 24-orëshe.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, deklaroi se për shkak të përleshjeve të vazhdueshme kufitare me Kamboxhian më shumë se 400.000 banorë në shtatë provinca janë evakuuar.
Sipas mediave tajlandeze, për shkak të përplasjeve të reja kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias më shumë se 800 shkolla dhe disa spitale janë mbyllur përkohësisht në provincat kufitare të Tajlandës.
Luftimet në zonat kufitare midis dy vendeve u përshkallëzuan gjatë fundjavës. Të dy vendet akuzojnë njëra- tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe vazhdojnë me sulmet.
Sipas raporteve të fundit, më shumë se 54.500 njerëz kanë lëshuar shtëpitë e tyre në Kamboxhia.
Rreth gjashtë javë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje, Tajlanda dhe Kamboxhia dje kumtuan për luftime të ashpra përgjatë kufirit të tyre prej 800 kilometra. Më shumë se 500.000 njerëz janë evakuuar nga zonat kufitare në Tajlandë dhe Kamboxhia pas përleshjeve të ripërtërira.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për vazhdimin e armiqësive, në të cilat, sipas të dhënave të fundit zyrtare, kanë vdekur të paktën 11 persona. Shtatë civilë kamboxhianë dhe katër ushtarë tajlandezë.
“Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, mbrëmë deklaroi se planifikon të ndërhyjë për shkak të përleshjeve të ripërtërira në kufirin midis Tajlandës dhe Kamboxhias.
Ai theksoi se ka mundësi të fliste në telefon me liderët e të dy vendeve.
"Pak njerëz mund të bëjnë një telefonatë dhe të parandalojnë luftën midis dy vendeve shumë të fuqishme, Tajlandës dhe Kamboxhias", theksoi Trampi mbrëmë gjatë një vizite në shtetin federal amerikan Pensilvania. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s