Tajlanda nis një operacion të madh në kufirin me Kamboxhian
- Armata e Tajlandës sot ndërmori një operacion të madh për shkak të përshkallëzimit të përleshjeve në kufirin me Kamboxhian, njoftoi Shtabi i Forcave të mbrojtjes kufitare në provincën Trat.
Bangkok, 10 dhjetor 2025 (MIA) – Armata e Tajlandës sot ndërmori një operacion të madh për shkak të përshkallëzimit të përleshjeve në kufirin me Kamboxhian, njoftoi Shtabi i Forcave të mbrojtjes kufitare në provincën Trat.
"Më 10 dhjetor, marina mbretërore tajlandeze mori kompetenca të zgjeruara operacionale në sektorin e saj për shkak të përshkallëzimit të armiqësive me Kamboxhian", thuhet në komunikatë.
Operacioni quhet "Trat po shtyp armikun", ndërsa anija luftarake HTMS Tepa (HTMS Thepa) është vendosur në zonën për të kryer patrullime dhe zbulime 24-orëshe.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, deklaroi se për shkak të përleshjeve të vazhdueshme kufitare me Kamboxhën më shumë se 400.000 banorë në shtatë provinca janë evakuuar.
Komanda e Armatës së dytë të Tajlandës në rrjetet sociale publikoi se që nga mëngjesi i sotëm ka pasur shkëmbime zjarri në disa zona përgjatë kufirit, në provincat Buriram, Surin, Sisaket dhe Ubon Ratçatani. Megjithatë, nuk ka informacione për viktima të mundshme.
Sipas mediave tajlandeze, për shkak të përplasjeve të reja kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhës më shumë se 800 shkolla dhe disa spitale janë mbyllur përkohësisht në provincat kufitare të Tajlandës.
Luftimet në zonat kufitare midis dy vendeve u përshkallëzuan gjatë fundjavës. Të dy vendet akuzojnë njëra- tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe vazhdojnë me sulmet.
Sipas paralajmërimeve të fundit, më shumë se 54.500 njerëz kanë lëshuar shtëpitë e tyre në Kamboxhia.
Foto: EPA