• понеделник, 14 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Taravari: Ka një mospërputhje në funksionimin e VLEN-it

Taravari: Ka një mospërputhje në funksionimin e VLEN-it

Shkup, 1 prill 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët në koalicionin VLEN, Arben Taravaari mbrëmë në intervistë për "360 gradë" në RTMV ka shprehur kritika publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Sipas tij, koalicioni VLEN po funksionon “plogët” dhe duhet gjetur një model për sinkronizim më të mirë. Një mendim i tillë, siç thotë ai, nuk ka qenë vetëm i tij personal, por ai e ka bazuar edhe në anketat e kryera kryesisht te shqiptarët në vend.

“Mendoj se kemi shumë mangësi. Nuk varet aq nga kryeministri Mickoski, sa nga ne. Ka një mospërputhje që shihet nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Përshtypja e njerëzve, që është më e keqja për ne, është se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Unë sapo kam bërë tre anketa, te shqiptare kryesisht të anktetuar, Përshtypja e rreth 70 për qind të popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon mirë, nuk është i kënaqshëm përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri”, tha Taravari.

Ai ka sqaruar se kur flet për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri nuk e ka parasysh sasinë, por cilësinë.

“Nëse e merr në mënyrë sasiore, domethënë numrin e ministrave, numrin e drejtorëve, përfaqësimi i VLEN-it në Qeveri është në rregull. Megjithatë, nëse e merr në mënyrë cilësore, nuk është ashtu siç duhet, nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo është përshtypja e përgjithshme e shumicës, e kam fjalën për shqiptarët”, shton Taravari.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nëse VLEN do të garojë me lista të përbashkëta për këshilltarë dhe kandidatë për kryetar bashkie, ai thotë se kjo çështje ka qenë e hapur që nga viti i kaluar, kur lindi ideja që VLEN të shndërrohet nga koalicion në një parti të vetme.

“Konstatimi ynë i përbashkët në korrik apo gusht të vitit të kaluar ishte se është më mirë të shkojmë me katër parti deri në zgjedhjet lokale dhe pas zgjedhjeve lokale të përpiqemi të jemi një parti. Megjithatë, atëherë, pikërisht në atë takim, thashë – nëse shkojmë me katër parti, atëherë do të ishte mirë që listat e këshilltarëve t’i kishim për vete. Sepse unë e di, në vitin 2021, me Alternativën, ishim bashkë në zgjedhjet lokale dhe sa shumë mundime kishim për të rënë dakord dy parti për të njëjtën listë këshilltarësh. Dhe imagjinoni, tani do të vijmë në situatën e katër partive për një listë këshilltarësh”, thotë Taravari.

I pyetur se si e parashikon që VLEN të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme, ai u përgjigj se uron të gjendet një formulë për të dalë së bashku, por siç theksoi, "intuita i thotë se qëndrueshmëria e VLEN-it edhe pas zgjedhjeve të jetë një partë, është pothuajse një mision i pamundur". 

"Ndoshta e kam gabim, do ta tregojë koha”, tha Taravari.

Për takimin e fundit në Prishtinë të liderëve të VLEN-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai e përsëriti atë që u tha më herët se Kurti është shok dhe i këshillon dhe se ndryshe nga shkrimet në media, takimi ka kaluar në një atmosferë korrekte.

I pyetur nëse hapat e tij janë frymëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të shqetësimeve për statusin e shqiptarëve në vend, Taravari është përgjigjur – jo. Gjithashtu, ai vlerësoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kritikoi jokompetencën e zgjidhjeve kadrovike të VLEN-it.

“Mendoj se statusi i shqiptarëve nuk është i keq në Maqedoni. Nuk ka ndodhur kurrë që të ketë një marrëdhënie kaq korrekte mes kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit. Kjo është super korrekte, të jem plotësisht i sinqertë. Megjithatë, drejtorët, zëvendësdrejtorët, zëvendësministrat, nuk mendoj se funksionon tamam ashtu siç duhet… Megjithatë, në përgjithësi, më lejoni të them përsëri, ai raport, ajo marrëdhënie me kryeministrin është plotësisht korrekt dhe këtë e kam thënë kudo – nga Prishtina, në Tiranë dhe kudo që shkoj. Mirëpo, më poshtë, neve na duhet, për shembull, ja do të marr tabelat që janë vendosur në rrugë, nga tregjuhëshe – dygjuhëshe dhe duhet të merremi me media me nga tre ditë, dy ditë, me konferenca për shtyp të BDI-së, pastaj VLEN-in, për gjëra që janë vërtet banale. Mirëpo, fatmirësisht në këtë periudhë nuk ka pasur as raste të sajuara, as arrestime me urdhër, as skandale të bëra nga përfaqësuesit e Qeverisë. Dhe në këtë kontekst, mendoj se është okej funksionimi. Megjithatë, kur shkojmë më poshtë, nuk është përshtypja ime, është një përshtypje e përgjithshme, se nuk është ashtu siç duhet, ndërsa mund të jetë shumë më mirë”, tha Taravari. ls/

Foto: 360 gradë

 

 

Остани поврзан