• недела, 30 март 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Pesë pacientë kthehen sot nga mjekimi jashtë vendit, te katër pacientët kritikë situata nuk ka ndryshuar

Pesë pacientë kthehen sot nga mjekimi jashtë vendit, te katër pacientët kritikë situata nuk ka ndryshuar

Shkup, 26 mars 2025 (MIA) – Numri i pacientëve të cilët po mjekohen jashtë vendit për momentin është 113, ndërsa pritet që gjatë ditës të kthehen edhe pesë pacientë të cilët ishin lënduar në zjarrin në diskotekën në Koçan – katër nga Spanja dhe një nga Greqia, informoi sot në konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. 

 "Për ata që janë duke u mjekuar jashtë shtetit kemi lajme të mira. Sot numri nuk është më 115, por 113 që po trajtohen. Dje një pacient është kthyer nga Serbia dhe një paciente është kthyer nga Bullgaria. Pesë pacientë po kthehen sot, katër nga Spanja dhe një nga Greqia", tha Taravari në konferencë për media.

Ai shtoi se janë paralajmëruar edhe katër pacientë për kthim, por për këtë nesër do të informohen përsëri. 

Pacientët të cilët kthehen sot do të jenë minimum nën mbikëqyrje 24 orëshe sipas protokollit. Nëse këshilli i mjekëve vendos se duhet të lëshohen në shtëpi, do të lëshohen në mjekim shtëpiak ose do të mbeten në mjekim në ndonjërën prej klinikave. 

Në qendrat shëndetësore në shtet ai tha se për momentin po mjekohen 23 pacientë, të cilët janë lënduar në zjarrin në Koçan, ndërsa më shumë se 20 janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Në Qendrën Klinike janë vetëm katër, dy në Klinikën për Kirurgji Plastike, dy në Toksikologji, nëntë pacientë janë në Spitalin e Përgjithshëm "8 Shtatori", njëri prej të cilëve do të lirohet dhe në Sistinë mjekohen katër pacientë. Të gjithë këta pacientë janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë. 

Taravari tha se pacientët të cilët janë të shtrirë në spitale vendore në ditët në vijim do të informojnë kur do të lëshohen në shtëpi. Pret që më shumë se gjysma e tyre gjatë 5-6 ditëve të ardhshme të lëshohen në shtëpi, ndërsa ata të cilët janë operuar do të duhet një periudhë të gjatë të mbahen në spital. 

Në pyetjen e gazetarëve Taravari tha se pjesa më e madhe e pacientëve të cilët kthehen sot janë me djegie. Konfirmoi se te katër pacientët në gjendje kritike të cilët gjendet në mjekim jashtë vendit, situata edhe më tutje është shumë e rëndë, por e qëndrueshme. 

Pacientët të cilët do të mbërrijnë nga jashtë, për momentin theksoi ministri, do të pranohen në klinika. 

“Ndërkohë, tashmë kemi oferta nga vende të caktuara për ata që janë pacientë më të sëmurë dhe që kanë nevojë për rehabilitim për një periudhë më të gjatë kohore, mundësisht për të qëndruar për një kohë më të gjatë jashtë vendit. Por edhe këtu kemi në plan të krijojmë një qendër në brendësi për pacientët që do të kenë nevojë për rehabilitim më të gjatë. Për momentin nuk kemi ende një qendër specifike, por po shqyrtojmë 2-3 opsione të mundshme. Do t'ju informojmë sapo të marrim një vendim si shtab krize”, tha ministri i Shëndetësisë Taravari. fc/

Foto: MIA

 

Остани поврзан