Nikolloski për dy kilometrat e ndërtuara të autostradës Shkup–Bllacë që përfundojnë në humnerë: Pres që prokurori i ri të nisë hetim
- Dy kilometrat e ndërtuara të autostradës Shkup–Bllacë nuk fillojnë nga askund dhe nuk përfundojnë askund, prandaj nuk mund të lëshohen për përdorim dhe në to të ketë qarkullim të sigurt, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, i cili sot nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Ilir Hasanit nga Fronti Evropian. Nikolloski theksoi se këta dy kilometra përfundojnë në një humnerë dhe prandaj nuk mund të lëshohen për përdorim.
Shkup, 29 janar 2026 (MIA) – Dy kilometrat e ndërtuara të autostradës Shkup–Bllacë nuk fillojnë nga askund dhe nuk përfundojnë askund, prandaj nuk mund të lëshohen për përdorim dhe në to të ketë qarkullim të sigurt, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, i cili sot nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Ilir Hasanit nga Fronti Evropian. Nikolloski theksoi se këta dy kilometra përfundojnë në një humnerë dhe prandaj nuk mund të lëshohen për përdorim.
“Por, këta dy kilometra, supozoj shpesh udhëtoni drejt Kosovës dhe e dini se nuk fillojnë askund, nuk përfundojnë askund, përkatësisht opinioni duhet të dijë se nëse e konsiderojmë këtë si fillim të autostradës, këta dy kilometra nuk fillojnë në vendkalimin kufitar, por nëse udhëtoni nga Shkupi për në Prishtinë, ata fillojnë në të djathtë ose në lindje të vendkalimit kufitar dhe nuk lidhen me vendkalimin kufitar. Ky është problemi i parë, ndërsa Kosova nga ana e tyre ka ndërtuar autostradën deri te vendkalimi kufitar, që do të thotë se jo që vetëm është gabuar rruga, por komplet është gabuar. Kjo është arsyeja e parë, më pas do të tregoj pse është gabuar,” tha Nikolloski.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nikolloski, theksoi se problemi është tejkaluar me ndihmën e shtëpive konsulente profesionale dhe aktualisht tenderi për zgjedhjen e kontraktorit është në fazën përfundimtare.
“Ndërmarrja publike për rrugët shtetërore e ka përfunduar punën e saj. Është zgjedhur një kontraktues potencial, për të cilin Ndërmarrja Publike konsideron se është më i miri. Përndryshe, kishte 11 oferta dhe tani vendimi është dërguar në Londër, në selinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), nga ku duhet të konfirmohet kjo zgjedhje, duke pasur parasysh se mjetet financiare sigurohen nga BERZH dhe një pjesë e tyre janë grant, dhe kështu janë rregullat e BERZH-it: kur përdorni mjetet e tyre, duhet të ndiqni sistemin e tyre të prokurimit publik, dhe pavarësisht vendimit që merrni në fund, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim duhet ta konfirmojë atë. Do të doja të bëja apel te BERZH që të marrin vendim sa më shpejt, duke pasur parasysh se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka përfunduar punën që në muajin dhjetor dhe që atëherë po presim përgjigje,” tha Nikolloski.
“Supozoj që e dini, nëse nuk e dini pyetni ish-drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, nga partia juaj politike ishte, se këta dy kilometra u tenderuan për 14 milion euro, por në fund u paguan 28 milion euro. Sipas Ligjit tonë për prokurimet publike, dmth këto janë punuar sipas Ligjit të RMV-së për prokurime publike dhe jo mbi bazën e marrëveshjeve me ndonjë institucion tjetër financiar, maksimumi që mund të merrni me një aneks është 20%, ndërsa këtu shkoi aneksi 100%, përkatësisht shuma prej 14 milion euro u bë 28 milion euro, që e bën bindshëm autostradën më të shtrenjtë nga të gjitha që po ndërtohen aktualisht në vend,” tha Nikolloski.
"Tani ndoshta një nga arsyet është se kaq shumë u pagua një kompani, e cila quhet Euro kom lajtning dhe e cila rastësisht pikërisht në të njëjtin periudhë kur nënshkruhet aneksi i kontratës për ndërtimin e këtyre dy kilometrave Shkup–Bllacë, blen një hotel në Kodrën e Diellit për 55.000 euro, me 55.000 euro në Shkup nuk mund të blini as një garsonierë, por ata kanë blerë një hotel në Kodrën e Diellit. Dhe rastësisht, mendoj se e dini, pronari i kësaj kompanie quhet Suat Alija, anëtar i partisë tuaj, mik, kryetar shumëvjeçar i KF “Shkupi”. Pra, ai është njeriu që rastësisht blen hotelin në Kodrën e Diellit pikërisht në të njëjtin moment kur nënshkruhet kontratë e dyfishtë për ndërtimin e këtyre dy kilometrave,” tha Nikolloski.
Ai shpreson se shumë shpejt do të ketë një prokuror të ri dhe se të gjitha dokumentet janë dorëzuar në Prokurori.
“Por, për fat të keq, ai i mëparshmi punoi, siç punoi, dhe për të mos i kërkuar nga arkiva, përsëri do t’ia ridërgojmë që të mund të punojë menjëherë,” tha Nikolloski.
Nikolloski theksoi se në një seancë të mëparshme të pyetjeve të deputetëve, ka përmendur katër kompani që rastësisht kanë blerë tokë nga persona privatë përgjatë trasës së autostradës Shkup–Bllacë dhe, siç tha, këto kompani ishin të afërta me partinë BDI, gjatë kohës kur ishte në pushtet. Ai shtoi se pikërisht në këtë trasë, edhe Gjykata Administrative, kryetari i së cilës është nga partia politike e deputetit Hasani, ka vendosur se pikërisht aty duhet të ndërtohet një pompë benzine. ls/
Foto: MIA