Mickoski: Do të bëhen përpjekje që raportimet për shkeljet nga “Qyteti i Sigurt” të jenë në përputhje me Ligjin për gjuhët
- Kryeministri Hristian Mickoski thotë se do të bëhen përpjekje që raportimet për shkeljet nga projekti “Qyteti i Sigurt” të jenë në përputhje me Ligjin për gjuhët, në mënyrë që projekti të mos përdoret për të fituar pikë politike me nuanca nacionaliste.
Shkup, 29 janar 2026 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski thotë se do të bëhen përpjekje që raportimet për shkeljet nga projekti “Qyteti i Sigurt” të jenë në përputhje me Ligjin për gjuhët, në mënyrë që projekti të mos përdoret për të fituar pikë politike me nuanca nacionaliste.
“Që të mos e keqpërdorni këtë me nuanca nacionaliste, ju them menjëherë se do të bëj gjithçka me MPB-në që gjobat, paralajmërimet ose informacionet të jenë sipas Ligjit për gjuhët me MPB-në, në mënyrë që të mos keni një argument të tillë dhe të mos mendoni se dikush është kundër kësaj. Përkundrazi, çdo jetë është e shtrenjtë për ne. Ne nuk duam që njerëzit të humbin jetën, edhe pse mund të përballemi me reperkusione politike,” tha Mickoski në përgjigje të pyetjes nga deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët.
Ai thotë se, edhe pse gjatë parashtrimit të pyetjes ajo kishte më shumë konstatime, në thelb konkludimi, siç theksoi, është se ju nuk doni që projekti dhe ligji të zbatohet.
“Ky është thelbi i fjalimit tuaj. Unë mund ta konkludoj këtë, dhe mendoj se edhe opinioni i Maqedonisë mund ta bëjë këtë. Tani ju paraqisni disa dilema, përfshirë faktin se thoni se infrastruktura nuk qenka e përshtatur, pastaj duhej të përshtatej, dhe kështu me radhë. Më 27 janar, para dy ditësh, u kapën gjithsej 76 automjete të paregjistruara, çfarë lidhjeje ka infrastruktura me këtë? Të njëjtën ditë, shpejtësia më e madhe e matur ishte 196 kilometra në orë. Si formulë të vozisin, do të thotë ka infrastrukturë", tha kryeministri.
Lidhur me Ligjin për gjuhët, thotë se publikisht deklaron se mesazhet duhet të përshtaten në përputhje me këtë ligj.
“Nëse mendoni se kjo është pengesë, ju them menjëherë që të përshtatet dhe nuk ka asnjë problem. Nëse me këtë mund të shpëtoj një jetë në Tetovë, Shkup, Kumanovë, kudo në Maqedoni. Ju nuk doni që kjo të funksionojë dhe mendoni se duke dalë publikisht dhe duke luajtur me kartën e pasioneve të ulëta dhe me kartën se do të ndëshkohen të gjithë shkelësit e ligjit do të fitoni pikë politike, dhe kështu e reduktoni çështjen në përkatësi etnike, në nacionalizëm. Këtë as nuk dua ta komentoj,” theksoi Mickoski.
Ai thotë se projekti duhet të zbatohet në të gjithë territorin, por shumica e shkeljeve ndodhin pikërisht në Shkup.
“Më 27 janar janë regjistruar gjithsej rreth 8.000 shkelje, prej të cilave 75 për qind në Shkup, ndërsa në Kumanovë dhe Tetovë janë vetëm nga gjashtë e gjysmë për qind. Nga automjetet e paregjistruara, 56 janë nga Shkupi,” tha kryeministri i RMV-së.
Sipas tij, qëllimi nuk është të ndëshkohen njerëzit, por të ulet numri i shkeljeve.
“Para dy ditësh ishin 8.000, shumë janë, por në fillim ishin 108,000,” theksoi kryeministri Mickoski.
Deputetja Ilire Dauti theksoi se do t’i kërkojë presidentes Gordana Siljanovska-Davkova që të mos e nënshkruajë Ligjin me të cilin mundësohet funksionimi i këtij projekti, sepse për të nuk ka pasur debat publik dhe, në përputhje me këtë, nuk janë përfshirë të gjitha vërejtjet. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s