Dimitrieska-Koçoska: Qasja jonë është e qartë dhe e dyanshme – mbështetje e fortë për sektorin privat dhe përmbushje në kohë e detyrimeve
- Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, thotë se Qeveria ka trashëguar një gjendje financiare jashtëzakonisht të vështirë dhe alarmante, me arkën shtetërore pothuajse tërësisht të zbrazur dhe me mbi 70 për qind të deficitit buxhetor të shpenzuar që para ndryshimit të pushtetit. Por, siç thekson ministrja, ajo që ishte thelbësisht e rëndësishme për të si ministre e Financave dhe për Qeverinë ishte se çështjet i kanë parë në dy drejtime të qarta.
Shkup, 29 janar 2026 (MIA) – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, thotë se Qeveria ka trashëguar një gjendje financiare jashtëzakonisht të vështirë dhe alarmante, me arkën shtetërore pothuajse tërësisht të zbrazur dhe me mbi 70 për qind të deficitit buxhetor të shpenzuar që para ndryshimit të pushtetit. Por, siç thekson ministrja, ajo që ishte thelbësisht e rëndësishme për të si ministre e Financave dhe për Qeverinë ishte se çështjet i kanë parë në dy drejtime të qarta.
“Qasja jonë është e qartë dhe e dyanshme – mbështetje e fortë për sektorin privat si nxitës i rritjes ekonomike dhe disiplinë e rreptë në menaxhimin e financave publike. Prioritet për ne është shërbimi në kohë i detyrimeve, financa publike të qëndrueshme dhe një ekonomi që krijon vlerë të shtuar. Roli i shtetit është në plan të dytë – sa më i mirë të jetë organizimi dhe sa më shumë të mbështetet sektori privat, aq më të mira janë rezultatet,” theksoi Dimitrieska-Koçoska duke iu përgjigjur një pyetjeje deputetësh sot në Kuvend.
Ajo theksoi se rezultatet ekonomike në periudhën e fundit janë përmirësuar ndjeshëm. Rritja e PBB-së sipas tremujorëve në vitin 2025 arriti 2,9 për qind në tremujorin e parë, 3,5 për qind në të dytin dhe 3,8 për qind në tremujorin e tretë, ndërsa rritja nominale e tejkaloi 10 për qind. Këto trende, siç theksoi ajo, krijojnë kushte për ulje të mëtejshme të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik si përqindje e PBB-së.
Gjatë vitit 2025, siç theksoi Dimitrieska-Koçoska, për mbështetjen e sektorit privat nga buxheti janë paguar 16,9 miliardë denarë përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë edhe Bankën Zhvillimore, mjete që tashmë po japin rezultate konkrete në ekonomi.
Sa i përket financave publike, ministrja theksoi se konsolidimi fiskal nuk është deklarativ, por real dhe i matshëm. Deficiti buxhetor është ulur nga pothuajse 8 për qind të PBB-së në vitin 2020, në 4,4 për qind në vitin 2024, 4 për qind në vitin 2025, me projeksion për ulje shtesë në 3,5 për qind në vitin 2026.
Ministrja vuri theks të veçantë te emetimi i suksesshëm i euroobligacionit në fillim të vitit 2026, i cili, sipas saj, është realizuar në momentin e duhur dhe me kushtet më të favorshme historikisht – marzhi më i ulët mbi EURIBOR-in dhe kostot më të ulëta deri më tani.
“Interesi i investitorëve arriti në 4,3 miliardë euro për shumën e kërkuar prej një miliard eurosh, gjë që është një tregues i qartë i besimit në politikat ekonomike dhe stabilitetin institucional të shtetit. Euroobligacioni nuk është qëllim në vetvete, por një masë e besimit dhe e perceptimit për të ardhmen e ekonomisë. Për herë të parë kemi pjesëmarrje të konsiderueshme të investitorëve institucionalë afatgjatë, përfshirë edhe fondin më të madh pensional nga SHBA-ja,” theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska. ls/
Foto: Printskrin