Mickoski: Ne mund të kritikojmë, por për drejtimet kyçe duhet të ndërtojmë kulturë të unitetit dhe konsensus
- Në takimin me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, biseduam për ndërtimin e konsensusit kombëtar për çështjet kyçe. Ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin në fusha ku duhet të ketë vend për kritikë, por kur bëhet fjalë për fushat kyçe, duhet të ndërtojmë një kulturë që nënkupton unitet dhe konsensus. Të njëjtën gjë pres që edhe partitë tjera politike të propozojnë nëse kërkojnë takim, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Shkup, 3 prill 2025 (MIA) - Në takimin me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, biseduam për ndërtimin e konsensusit kombëtar për çështjet kyçe. Ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin në fusha ku duhet të ketë vend për kritikë, por kur bëhet fjalë për fushat kyçe, duhet të ndërtojmë një kulturë që nënkupton unitet dhe konsensus. Të njëjtën gjë pres që edhe partitë tjera politike të propozojnë nëse kërkojnë takim, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Në takim u diskutua për përfshirjen e mundshme të përfaqësuesve të LSDM-së në procese të caktuara reformuese, të cilat janë pjesë e axhendës reformuese dhe planit të rritjes, si dhe për ndërtimin e një konsensusi kombëtar për çështje thelbësore.
Për përfshirjen e mundshme të përfaqësuesve të LSDM-së në disa procese reformuese, Mickoski sonte në një intervistë për emisionin "Pro ose kundër" në TV Alfa tha se në përgjithësi ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës.
U kërkua takim, unë menjëherë u përgjigja, nëse kishte ndonjë plan, për hir të së vërtetës, nuk kishte një të tillë, as ndonjë retorikë të tipit "ja ky është plani im, hapi një, dy ose tre". Por thjesht kërkuan përfshirje dhe një proces gjithëpërfshirës. Vlerësoj se, si politikan dhe si njeri, si më të mëdhenj, duhet të tërheqim njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë edhe intelektualë edhe organizata joqeveritare dhe parti politike që mund të ndihmojnë në disa procese të caktuara, tha kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski në intervistë për emisionin "Pro ose kundër" në TV Alfa.
Kryeministri Mickoski theksoi se, pavarësisht dallimeve që ka me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, është i nevojshëm uniteti dhe bashkimi për çështjet e rëndësishme për Maqedoninë.
"Unë vlerësova se me një takim të tillë do të dërgojmë një mesazh se ne, politikanët, kemi mësuar leksionin dhe se ndaj qytetarëve duhet të reflektojmë një mesazh bashkimi, uniteti, veçanërisht rreth çështjeve kyçe, themelore dhe t’i shohim gjërat nga një këndvështrim tjetër kur bëhet fjalë për këtë lloj çështjesh. Në të njëjtën kohë, në kushte zie dhe një gjendje emocionale të veçantë të popullsisë, të dërgojmë mesazhin se politikanët nuk janë ata që komunikojnë në bazë ditore me pasione të ulëta dhe përpiqen të përfitojnë ndonjë pikë politike përmes manovrave politike. Përkundrazi, mund të tregohet gjerësi dhe kjo gjerësi mund të reflektohet te opinioni, tha me vendosmëri Mickoski dhe shtoi se opinioni le të gjykojë nëse ka gabuar apo ka bërë një hap të duhur që ka realizuar takim liderësh me kryetarin e LSDM-së, Filipçe.
Opinioni le të gjykojë nëse kam gabuar apo kam bërë një hap të duhur, por në këtë moment, kjo është e nevojshme për Maqedoninë. mb/
Foto: Qeveri