Murtezani: Jemi të përkushtuar maksimalisht që VLEN të mbijetojë
- Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani i cili është kuadër i Alternativës, deklaroi se brenda koalicionit VLEN janë të përkushtuar maksimalisht që ajo të mbijetojë.

Shkup, 11 prill 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani i cili është kuadër i Alternativës, deklaroi se brenda koalicionit VLEN janë të përkushtuar maksimalisht që ajo të mbijetojë.
"Nga ajo që kanë deklaruar liderët, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të gjithë partnerët t'i mbajmë brenda VLEN-it. Ne absolutisht jemi të hapur, nuk e shohim procesin e bashkëpunimit si një operacion statistikor apo përqindje kush sa merr, por si një shpresë që duhet artikuluar në mënyrë që ndryshimi të vazhdojë. Pritshmëritë tona janë të larta si dhe gatishmëria jonë për të vazhduar edhe më tej së bashku”, tha Murtezani i pyetur sot nga gazetarët lidhur me atë se çfarë pret nga takimi i sontëm i VLEN-it, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez, Janosh Boka.
Kryetarët e katër partive që janë pjesë e koalicionit “VLEN” sonte do të mbajnë takim për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm të koalicionit, deklaroi më herët në Gostivar, lideri i Aleancës për Shqiptarët dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Taravari pas vizitës së punës në spitalin e përgjithshëm “Ferid Murad” në Gostivar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve theksoi se kryetarët e Besës, Bilall Kasami, Alternativës, Zeqirija Ibrahimi dhe Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai si kryetar i ASH-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me veprimin e mëtejshëm politik dhe shprehu shpresën se do të gjendet zgjidhja më e mirë politike që do të jetë në interesin e të gjithëve.
"Në VLEN vazhdojmë me bisedat. Kemi takim sonte, të katër kryetarët e partive, kemi komunikim të vazhdueshëm, shpresoj që grupet punuese të vazhdojnë të punojnë dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme e cila nuk do të jetë frustruese apo demotivuese për partitë që janë pjesë e VLEN-it”, theksoi ai.
Foto: arkivi i MIA-s