• вторник, 03 јуни 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Këshilli Gjyqësor: Gjykatësi Elvedin Ferati nuk ka mundur të shqiptojë dënim më të lartë për shoferin i cili e goditi Teodora Ristovskën

Këshilli Gjyqësor: Gjykatësi Elvedin Ferati nuk ka mundur të shqiptojë dënim më të lartë për shoferin i cili e goditi Teodora Ristovskën

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) – Këshilli Gjyqësor e publikoi gjetjen e grupit të punës lidhur me lëndën kundër Mensur Pajazitit, i cili ishte dënuar me dy vjet burg për shkeljen e 22-vjeçares Teodora Ristovska. Grupi i Punës konfirmoi se gjykatësi Elvedin Ferati nuk ka mundur të gjykojë dënim më të lartë për shkak të nenit 428 të Ligjit për Procedurë Penale, i cili ndalon ndryshimin e aktvendimit në më të keq nëse ankesa është deklaruar vetëm në interes të të akuzuarit. 

“Në bazë të nenit 428 nga LPP, nëse është deklaruar ankesë në interes të të akuzuarit aktgjykimi nuk guxon të ndryshohet në dëm të tij lidhur me vlerësimin juridik të veprës dhe të sanksionit penal”, qëndron në kumtesën e Këshillit Gjyqësor.

Në mbështetje të konkluzionit nga shqyrtimi i lëndës, Këshilli përmend një shqyrtim kronologjik të veprimeve të gjykatave, sipas të cilit, së pari, Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka ngritur aktakuzë për vepra të rënda kundër sigurisë në komunikacion, për të cilat është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet. Gjykata Themelore e Tetovës ka nxjerrë aktgjykim me burg prej tre vjet e gjashtë muaj. I akuzuari ka paraqitur ankesë dhe Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka vërtetuar pjesërisht, duke e ulur dënimin në dy vjet. Gjykata Supreme e shfuqizoi aktgjykimin dhe lënda u kthye në rigjykim. Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore e Tetovës sërish e dënoi të akuzuarin me dy vjet burg.

Dega e Shoqatës së Gjykatësve të RMV-së në Gjykatën Themelore të Tetovës sot doli me një kumtesë në të cilën e ka shpjeguar në detaje procedurën e deritanishme gjyqësore lidhur me vdekjen e të resë Teodora Ristovska, duke filluar nga gjykimi i parë, vendimi i Apelit dhe i Gjykatës Supreme e deri në gjykimin përfundimtar në të cilin të akuzuarit Enver Pajati i është shqiptuar dënimi me dy vjet burg. Sipas tyre, gjykatësi Elvedin Ferati, i cili e dha aktgjykimin në rigjykim, ndërsa edhe gjykatësja Verka Kostovska, e cila e gjykoi gjykimin e parë dhe e cila më pas është pensionuar, kanë vepruar ekskluzivisht në përputhje me normat e parapara ligjore.

Grupi i formuar vjen pasi aktvendimi shkaktoi reagime të fuqishme për gjithë procesin dhe dënimit shumë të “butë”. Kryeministri Hristian Mickoski i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor ta rishqyrtojë punën e gjykatësit. Reagim nga Këshilli Gjyqësor kërkoi edhe ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili e komentoi aktvendimin, duke theksuar se besimi i qytetarëve në gjyqësor është shumë i ulët. 

Familja e Teodorës reagoi për peshën e dënimit dhe kohëzgjatjen e gjithë procedurës. Ata sot përmes një letre të hapur shprehën mirënjohje për mbështetjen nga publiku, mediat dhe kryeministri dhe shfaqën shpresë se do të ketë reagim nga Këshilli Gjyqësor, pas dënimit të shqiptuar prej dy vjet burg për shoferin në aksidentin në të cilin vajza dhe motra e tyre e humbi jetën në vitin 2022. 

“Shpresojmë sinqerisht se Këshilli Gjyqësor do të reagojë në mënyrë adekuate lidhur me vendimin skandaloz dhe të turpshëm të gjykatësit nga Tetova, Elvedin Ferati dhe dyshojmë si familje se pas këtij aktgjykimi qëndron politika, ryshfeti dhe korrupsioni. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të luftojmë fuqishëm për drejtësi për Teodorën”, thuhet në letër nga familja Ristovski.

Gjykatësi Elvedin Ferati u kritikua edhe në publik për shkak të dyshimeve për integritetin e tij, me pretendimin se notat e tij në Universitetin e Tetovës i ka korrigjuar duke shkarravitur notat. Vitin e kaluar Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka konstatuar parregullsi në notat e tij, për të cilat Prokuroria Publike e Shkupit ka nisur hetimet paraprak, ku informacionet e fundit janë se kanë konstatuar se ai i ka rimarrë lëndët. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан