• вторник, 16 декември 2025

IRC: Sudani është kriza më e rëndë humanitare në botë

IRC: Sudani është kriza më e rëndë humanitare në botë

Nju Jork, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Sudani, i shkatërruar nga lufta dhe i përfshirë në krizën më të keqe të refugjatëve në botë, është përsëri në krye të listës së vendeve të rrezikuara nga përkeqësimi i mëtejshëm i situatës humanitare në vitin 2026, njoftoi sot Komiteti Ndërkombëtar për Shpëtim (IRC).

Renditja e IRC-së përfshin 20 vende që janë më të rrezikuarat në vitin 2026, ndërsa Sudani është në vendin e parë për herë të tretë radhazi. Në vendin e dytë janë Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor, ndërsa në vendin e tretë - Sudani i Jugut.

Siç thekson IRC, lufta civile në Sudan, e cila shpërtheu në prill të vitit 2023, nuk tregon shenja qetësimi. Qytete të tëra janë nën rrethim, çka bën të pamundur dorëzimin e ndihmave humanitare, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm i përleshjeve mes forcave paramilitare të Shërbimit të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe ushtrisë sudaneze rrezikon përhapjen e dhunës në pjesë të tjera të Sudanit.

Në raportin e IRC-së me titull "Rend i ri botëror" theksohet gjithashtu se miliona njerëz në Sudan janë viktima të dhunës, urisë dhe sëmundjeve.

"Lista e këtij viti është një dëshmi e vuajtjeve njerëzore, por edhe një paralajmërim: pa veprime urgjente nga ata që kanë fuqinë për të ndryshuar gjërat, viti 2026 mund të bëhet më i rrezikshmi deri tani", deklaroi kryetari i IRC-së, Dejvid Miliband.

Kombet e Bashkuara konfliktin në Sudan e përshkruajnë si krizën më të madhe humanitare në botë. Rreth 12 milion njerëz janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të përleshjeve, ndërsa një në dy banorë është në rrezik nga kequshqyerja.

Që nga prilli i vitit 2023, në shtetin e tretë më të madh afrikan po zhvillohen përleshje për pushtet mes armatës sudaneze dhe RSF-së. Përleshjet shpërthyen pas një propozimi për rivendosjen e qeverisjes civile në Sudan. 

RSF është nën komandën e nënpresidentit të Këshillit, gjeneralit Mohamed Hamdan Dagal, ndërsa armatën e udhëheq gjenerali Abdel Fatah al Burhan, i cili është kryetar i Këshillit sovran. Sipas propozimit për tranzicion drejt një qeverie civile, RSF do të integrohet në armatën sudaneze. RSF kërkoi që tranzicioni të shtyhet për 10 vjet, por armata nuk u pajtua.

RSF përbëhet nga anëtarë të policisë Xhanxhavid, të akuzuar për krime gjatë luftës së gjatë dhe vdekjeprurëse që nisi në vitin 2003 në Darfur, në perëndim të Sudanit, gjithashtu është akuzuar për përfshirje në shtypjen e kryengritjes kundër diktatorit Omar al Bashir në fund të vitit 2018, e cila kulmoi me rrëzimin e tij nga pushteti në prill të vitit 2019. qa/

Foto: EPA

Остани поврзан