• вторник, 16 декември 2025

Sijarto: Elita politike evropiane nuk është e interesuar për paqe në Ukrainë

Sijarto: Elita politike evropiane nuk është e interesuar për paqe në Ukrainë

Budapest,16 dhjetor 2025 (MIA) - Elita politike evropiane duket kategorikisht e painteresuar për paqen në Ukrainë dhe duhet të bëhet çdo gjë e mundur që të mos dëmtohet një zgjidhje diplomatike, deklaroi shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto, në podkastin "Ora e së vërtetës".

Ai theksoi se politikanët liberalë evropianë janë kapluar nga fanatizmi ushtarak.

Sijarto pretendon se në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, shtetet e Evropës Perëndimore, Veriore dhe Baltike, diskutuan për përgatitje për marrëdhënie armiqësore me Rusinë, edhe nëse arrihet paqja.

Ai theksoi se është i shqetësuar nga përpjekjet e shteteve evropiane për të ndërhyrë në përpjekjet diplomatike midis SHBA-së dhe Rusisë.

"Shpresoj që bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë të jenë më të forta se përpjekjet evropiane për t’i minuar të njejtat. Nga kjo varet paqja", theksoi Sijarto.

Ai shtoi se në takimin e djeshëm të ministrave të jashtëm të BE-së u bë e qartë se disa politikanë janë të gatshëm të shkelin rregullat e BE-së duke përdorur fondet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën.

Sijarto theksoi se veprime të tilla janë kundër interesave të Hungarisë dhe se vendi i tij nuk është i gatshëm të shpenzojë paratë e qytetarëve hungarezë për Ukrainën.

Sipas tij, "një nga gënjeshtrat më të paturpshme në historinë politike evropiane" është pretendimi se Ukraina po lufton për Evropën.

Ai theksoi se 58 për qind e importit të gazit në Ukrainë dhe 44 për qind e importit të energjisë elektrike kalojnë përmes territorit të Hungarisë. qa/

Foto: EPA

 

Остани поврзан