• понеделник, 13 јануари 2025

Ekipet dhe makineritë e NP “Rrugët e Maqedonisë” pastrojnë borën dhe i mbajnë rrugët të kalueshme

Ekipet dhe makineritë e NP “Rrugët e Maqedonisë” pastrojnë borën dhe i mbajnë rrugët të kalueshme

Shkup, 12 janar 2025 (MIA) - NP "Rrugët e Maqedonisë" informojnë se gjatë gjithë ditës po pastrohet bora në rrugët shtetërore me të gjitha resurset teknike dhe njerëzore dhe mbahen të kalueshme të gjitha drejtimet rrugore.

"Pas ndërhyrjes së ekipeve të kujdestarisë së NP 'Rrugët e Maqedonisë', qarkullimi zhvillohet në kushte dimërore nëpër rrugë të lagështa me mbetje të borës në rrugë. Gjithashtu, në pastrimin e rrugëve magjistrale dhe rajonale janë angazhuar edhe kompani që bashkëpunojnë me NP 'Rrugët e Maqedonisë' me qëllim të ballafaqimit me kohë me reshjet e borës", informojnë nga Ndërmarrja publike.

Prej atje apelojnë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore për drejtimin e automjeteve në kushte dimërore dhe të kenë pajisje dimërore për automjetet e tyre, të vozisin me kujdes, të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të respektojnë rekomandimet e shërbimeve të komunikacionit, veçanërisht në rrugët përmes luginave, luginat e lumenjve dhe gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje të dheut.

"Ju informojmë se qarkullimi në të gjitha rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore dhe për këtë arsye rekomandimet janë që të ndiqen kushtet e motit, veçanërisht ata qytetarë që planifikojnë të udhëtojnë, të informohen me kohë nga shërbimet e komunikacionit për kushtet në rrugë. Të gjitha informatat e detajuara shfrytëzuesit mund t'i marrin nga shërbimet e kujdestarisë pranë NP 'Rrugët e Maqedonisë' në numrin e telefonit 02 25 61 502", informojnë nga Ndërmarrja publike.

Gjatë ditës së sotme në disa kahe rrugore dhe qafa malore vendosen ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda.

Nga ora 14:30 është vendosur ndalesë për qarkullim për automjete të rënda në drejtimin rrugor Strugë - V.K. Qafë Thanë, informon NP "Rrugët e Maqedonisë". Ndërmarrja publike paraprakisht njoftoi se është vendosur ndalesë për kamionë për shkaqe parandaluese në drejtimet rrugore Gostivar - Mavrovë - Dibër, Gostivar - Strazhë - Kërçovë, në qafat malore Presekë, Pletvar, Gjavatë, në rrugën Makedonski Brod - Prilep përmes qafës malore Barbaros dhe nga Dellçeva deri në V.K. Dellçevë.

NP "Rrugët e Maqedonisë" paraprakisht informoi se është hapur për qarkullim për automjetet transportuese rruga Deve Bair - Kriva Pallankë. 

Po ashtu, pasditen e sotme është hequr ndalesa për qarkullim për automjete të rënda transportuese mbi 7.5 tonë në vendkalimin kufitar Dellçevë drejt Bullgarisë, ndërsa nga ora 15 është hequr edhe ndalesa për kamionë në drejtimin rrugor Dellçevë - V.K. Dellçevë.

Foto: NP "Rrugët e Maqedonisë"

 

 

 

Остани поврзан