
12:00/21 mars/2025
Shkup- Gjykata Themelore në Koçan mori vendim me të cilin përcaktohet paraburgim 30-ditor për 13 persona të përfshirë në rastin me zjarrin në diskotekën “Puls”, në mesin e të cilëve edhe për ish ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Për edhe gjashtë të dyshuar, të cilëve paraprakisht gjithashtu u ishte përcaktuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orëve, gjykata do të vendosë gjatë ditës. Deri më tani në Gjykatën Themelore në Koçan nuk ka mbërritur kërkesë për ish kryetarët e komunave të arrestuar dje të Koçanit, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski dhe kryetarit në dorëheqje Lupço Papazov.
Shkup- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, deklaroi se mjekimi i pacientëve nga zjarri në Koçan në shtetet e tjera është në përgjithësi falas. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me spekulimet se po grumbullohen para për mjekimin, ai u përgjigj se nuk ka nevojë për të pavërteta. “Në përgjithësi në 99 për qind mjekimi është falas dhe nuk ka nevojë askush të grumbullojë para. Kështu që, nuk ka nevojë për spekulime dhe të pavërteta. Kjo është e vërteta që është publikuar para tre-katër ditëve, nuk është prej tani. Ndoshta në ndonjë shtet, megjithatë, në përgjithësi 99 për qind e mjekimit në të gjitha shtetet është falas”, tha ai.
Shkup- Ambasada e Suedisë në faqen e saj në Fejsbuk njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit edhe tre të lënduar në zjarrin në Koçan janë transportuar në spitalin Karolinska në Suedi. “Mbrëmë në orën 03:30, fluturimi për evakuim mjekësor nga ekipi i Klinikës Universitare Karolinska u nis nga Shkupi, duke bartur edhe dy pacientë në Stokholm për trajtim mjekësor. Suedia solidarizohet me Maqedoninë e Veriut pas zjarrit tragjik të fundjavës. Mendjet tona mbetem me të gjithë të prekurit”, qëndron në njoftimin e Ambasadës së Suedisë.
Shkup- Drejtoria e policisë financiare sot informoi se është përfshirë aktivisht në operacionin e gjerë për inspektimin e punës së objekteve që funksionojnë si kabare, diskoteka dhe klube nate në mbarë vendin dhe se vepron konform kompetencave të saja ligjore. Siç theksojnë, në dispozicion janë vënë të gjitha kapacitetet e Drejtorisë së policisë financiare për nevojat e këtij aksioni që për qëllim ka zbardhjen e parregullsive dhe aktiviteteve të paligjshme në funksionimin e këtyre objekteve.
Shkup- Prokuroria Themelore Publike e Koçanit gjatë natës ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër 27 personave fizik dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin katastrofik në Koçan, informojnë nga Prokuroria Publike e RMV-së. Detajet për hetimin, të dyshuarit dhe masat e propozuara për siguri, siç është paralajmëruar do të kumtohen sot pasdite në një konferencë për media para ndërtesës së PTHP Koçan.
Shkup- Ekipi për intervenime në kriza i Odës së Psikologëve sot do të mbajë takim me zjarrfikësit në Koçan të cilët morën pjesë në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e fëmijëve. Deri më tani, siç informojnë nga oda, janë angazhuar 32 psikologë për aktivitete lidhur me pasojat nga zjarri në diskotekën në Koçan. Ekipi për intervenime në kriza në bashkëpunim me Qendrën për Shëndet Mendor, nga orët e hershme të mëngjesit më 16 mars ishin të pranishëm në pikat para spitaleve 8 Shtatori, Qendra Urgjente, Spitali i Qytetit ku ishin të pranishëm një numër i madh i familjeve fëmijët e të cilëve ishin sjellë në mjekim. Ishin angazhuar 12 psikologë në tre ndërrime, të cilët jepnin ndihmën e parë psikologjike.
Beograd- Sistemi shëndetësor ushtarak dhe AMU janë në dispozicion për akomodim shtesë të të lënduarve nga zjarri në Koçan deri sa të ketë nevojë, njofton korrespodenti i MIA-s nga Beogradi. "Edhe për këtë detyrë që e kryem, të gjithë kolegët e mi janë paraqitur vullnetarisht, morën pjesë vullnetarisht në transport i cili është një nga format e komplikuara të transportit të pacientëve të tillë, kështu që nëse ka nevojë, jemi në dispozicion dhe jemi këtu për të ndihmuar sërish popullin e Maqedonisë së Veriut", deklaroi për RTS nënkoloneli Goran Rondoviq, anesteziolog nga Klinika për anestezion dhe kujdes intensiv në AMU.
Bruksel- Pas urdhërarrestit të lëshuar nga ana e Prokurorisë publike federale të Belgjikës, autoritetet italiane kanë arrestuar Lusija Simeonen, asistente e eurodeputetit Fulvio Martusielo, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. Sipas informacioneve nga Prokuroria, Simeone akuzohet për "shoqërim kriminal", "larje parash" dhe "korrupsion" dhe pritet të merret në pyetje nesër.
Londër- Zjarri që sot mbylli aeroportin Hitrou të Londrës tani është vënë nën kontroll, kumtoi Brigada kundër zjarreve në Londër. Në publikimin në X shërbimi shtoi se do të fillojë hetim për rastin. Zjarri shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në një numër të madh të shtëpive dhe bizneseve lokale. Zjarrfikësit evakuuan 29 persona nga pronat fqinje dhe u krijua një kordon prej 200 metra si masë paraprake, pas çka u evakuuan 150 persona. Për shkak të tymit të madh, banorët janë këshilluar të mbajnë dritaret dhe dyert të mbyllura.
Uashington- Marrëveshja për mineralet e rralla me Kievin do të nënshkruhet së shpejti, ndërsa përpjekjet e SHBA-së për të arritur marrëveshje paqësore për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë po shkojnë "mjaftë mirë", tha presidenti amerikan Donald Tramp pas bisedimeve të tij këtë javë me liderët ukrainas dhe rusë. Tramp e bëri këtë koment në ngjarjen e Shtëpisë së Bardhë pasi nënshkroi urdhër ekzekutiv për të rritur furnizimin me minerale të rralla.
Uashington- Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë nënshkroi dekret ekzekutiv me qëllim që të mbyllet Ministria e Arsimit. “Do ta heqim”, deklaroi presidenti amerikan pak para se ta nënshkruajë dokumentin në Shtëpinë e Bardhë. “Do ta mbyllim sa më shpejtë që është e mundur”, shtoi ai. Ky hap përfaqëson përmbushje të premtimit të tij parazgjedhor për “eliminimin” e këtij institucioni, i cili një kohë të gjatë ishte shënjestër e konservatorëve.
Gazë- Së paku 200 fëmijë janë vrarë në Gazë që kur Izraeli ka rifilluar luftën kundër enklavës këtë javë, deklaroi zëdhënësja e UNICEF-it në Gazë, Rosalia Paulin. Zyrtarë mjekësor kumtuan se deri tani janë vrarë më shumë se 590 palestinezë, ndërsa numri i të viktimave vazhdon të rritet siç intensifikohen sulmet ajrore dhe tokësore izraelite.
Teheran- Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Hamnei thotë se kërcënimet amerikane “nuk do t’i qojnë askund kur do të përballen me Iranin”, pasi presidenti Donald Tramp paralajmëroi për aksion të mundshëm ushtarak kundër vendit. “Ajo (SHBA) dhe të tjerët duhet ta dinë se nëse i bëjnë diçka të keqe kombit iranian, do të marrin shuplakë të rëndë”, tha ajatollahu Hamnei gjatë fjalimit i cili i emetua drejtpërdrejt në televizion.
Brazilia- Reprezentacioni i Brazilit ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Kupën e Botës që do të luhet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duke mposhtur në shtëpi Kolumbinë me rezultat 2-1 (1-1) mbrëmë në xhiron e 13-të të zonës kualifikuese të Amerikës së Jugut për Botërorin 2026. Brazili deri te fitorja erdhi pas një përfundimi dramatik me golin e Viniciusit (90+9) në minutën e nëntë të kohës shtesë.
Londër- Sulmuesi i Çellsit, Kol Palmer do të mungojë sot në ndeshjen kualifikuese të Anglisë kundër Shqipërisë për Kupën e botës për shkak të lëndimit, ka publikuar selektori i Anglisë, Tomas Tuhel. Palmer u përfshi në listën e Tuhelit për kualifikimet e Botërorit ku pritej të ishte startues. Por, klubi i tij e tërhoqi nga kampi i reprezentacionit për t'iu nënshtruar ekzaminimit të plotë.