
12:00/25 mars/2025
Shkup - Nga Komuna e Gazi Babës njoftojnë opinionin se Sektori për punë inspektuese pranë Komunës ka nisur një inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike dhe objektet e banimit që ndodhen në territorin e Gazi Babës. "Mbikëqyrja inspektuese do të realizohet në dy faza. Faza e parë do të përfshijë një inspektim të të gjitha objekteve hotelierike, pas së cilës do të përgatitet një analizë e statusit të përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe gatishmërisë së objekteve për kryerjen e aktiviteteve hotelierike. Për çdo objekt hoteliere ku konstatohet mospërmbushje e detyrimeve ligjore për veprim do të raportohet në institucionet kompetente. Për fazën e dytë është përgatitur plani për të vizituar të gjitha ndërtesat e banimit në territorin e komunës së Gazi Babës për të kontrolluar rrjetet hidrante, hyrjet dhe daljet nga objektet e banimit kolektiv", njoftojnë nga Komuna.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka njoftuar sot se nga spitalet e Shkupit për trajtim shtëpiak do të lirohen 12 pacientë nga gjithsej 39 pacientë që po trajtohen në vend pas ngjarjes tragjike në Koçan. Nga ata që po trajtohen jashtë vendit, një pacient pritet të kthehet sot nga Beogradi dhe të vazhdojë trajtimin në Shkup. Nga pacientët që trajtohen jashtë vendit, katër deri në pesë mbeten në gjendje kritike. "Fatkeqësisht katër-pesë pacientë janë në gjendje më të rëndë dhe në disa raste ka edhe përkeqësim, por kolegët tanë në spitalet ku po trajtohen këta pacientë po mundohen të bëjnë maksimumin për ta kaluar këtë periudhë të vështirë", tha Taravari në një konferencë për shtyp.
Shkup - Nëntëmbëdhjetëvjeçari Jovan Kostadinov i cili shpëtoi 21 persona në zjarrin në diskotekën në Koçan, u prit me duartrokitje në gjimnazin "Vanço Prqe" në Vinicë. Lajmin e kumtoi edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në faqen e tij në Fejsbuk. "Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, e ndaj lajmin me ju se Jovan Kostadinov, i riu i guximshëm i cili shpëtoi 21 jetë në tragjedinë me zjarrin në Koçan, përfundimisht u kthye në shtëpi. Ekzistojnë momente kur fjalët nuk mjaftojnë, dhe ky është një prej tyre. Si të përshkruhet shpirti aq i guximshëm dhe bujar, i cili në çaste paniku dhe rreziku nuk mendoi për veten, por vetëm për të tjerët?", shkroi taravari në Fejsbuk.
Shkup - Nëntëmbëdhjetëvjeçari Jovan Kostadinov, i cili shpëtoi 21 persona në zjarrin në diskotekën në Koçan, ishte pranuar në Klinikën për toksikologji për shkak të vështirësive në mushkëri, përkatësisht ekspozimit apo thithjes sl koncentrimeve të shtuara të dioksid karbonit. Ai dje u lëshua për mjekim shtëpiak. Drejtori i Klinikës për toksikologjo, Andon Çibishev sot deklaroi se Jovan është në gjendje të shkëlqyer. "Heroi ynë shkoi në shtëpi", tha Çibishev. Siç përmendi, është rekomanduar në shtatë ditët e ardhshme të bëjë edhe një kontroll, ndërsa në dy deri tre muajt e ardhshëm të gjithë pacientët të cilët janë lëshuar, përfshirë edhe Jovanin, do të jenë nën observim të Klinikës, në rast që të mos ketë asnjë lëshim.
Shkup - Në drejtim të arritjes së qëllimeve të definuara në Instrumentin plr reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor të Komisionit evropian (2024-2027), Ministria e Transformimit Digjital informon se janë prëgatitur katër projekt ligje. Me miratimin e këtyre ligjeve, për Maqedoninë zhbllokohen gjithsej mbi 19 milionë euro, prej të cilave si mbëdhtetje e drejtpërdrejtë buxhetore, mbi 5,7 milionë euro grant do të vihen në dispozicion të buxhetit të shtetit, informojnë nga Ministria. Tre prej tyre janë publikuar dhe kanë arritur në Regjistrin elektronik nacional të rregullave (ENER), ku, siç thonë nga Ministria e Transformimit Digjital, secila palë e interesuar edhe përkundër procesit konsultues deri më tani, mund të parashtrojë mendim, vërejtje dhe propozime lidhur me propozim ligjet e publikuar në afat prej 30 ditëve nga dita e publikimit.
Shkup - Për shkak të mbajtjes së ndeshjes së futbollit për kualifikimet ndërmjet Maqedonisë dhe Uellsit në arenën "Todor Proeski" në Shkup, sot do të ketë një regjim të veçantë të trafikut. "SPB Shkupi i njofton qytetarët se sot duke filluar nga ora 20:45, për shkak të zhvillimit të ndeshjes së futbollit për kualifikimet ndërkombëtare në arenën “Todor Proeski” në Shkup, Njësia për siguri në komunikacionin rrugor do të ndëmarrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit", informojnë nga MPB-ja.
Shkup - Sot në mëngjes më ftohtë është në Kodër të Diellit, 4 gradë, ndërsa maksimalisht 13 gradë janë matur në Shtip dhe Demir Kapi. Gjashtë gradë në Krushevë, 7 në Hanet e Mavrovës, 8 në Prilep, Ohër dhe Pretor, 9 në Tetovë dhe Berovë, 10 në Shkup-Zajçev Rid, Manastir, Kriva Pallankë, Kavadar dhe Strumicë, 11 në Shkup-Petrovec dhe Vinicë, si dhe 12 gradë në Veles dhe Gjevgjeli. Sipas DPHM, në 24 orët e fundit më së shumti reshje të shiut ka pasur në Hanet e Mavrovës, 31 litra në metër katror. Shtresa e ujit është 25 litra nënjësi sipërfaqe në Pozharan, 22 në Kodër të Diellit, 16 në Tetovë, 13 në Ohër, 10 në Krushevë dhe Pretor, 6 në Shkup-Zajçev Rid dhe Prilep, 3 në Shkup-Petrovec, Topollçan, Pozhar-Radovish, 2 në Kriva Pallankë, Manastir, Vinicë dhe Kavadar, si dhe 1 në Veles, Demir Kapi, Strumicë, Gjevgjeli dhe Berovë.
Stamboll - Policia ka arrestuar 43 protestues në qendër të Stambollit, ka bër të ditur ministri turk i Punëve të Brendshëm, Ali Jerlikaja në rrjetet sociale. Mbrëmjen e djeshme opozita ka zhvilluar një tjetër tubim në sheshin Saraçane afër komunës, ku morën pjesë disa mijëra persona. Grupe më të vogla protestuesish u përpoqën të mbanin demonstrata edhe në pjesë të tjera të Stambollit. Një numër i madh protestuesish kanë bllokuar mbrëmë rrugët e Stambollit, në kuadër të natës së gjashtë të protestave në Turqi, raporton BBC.
Vjenë - Një burrë është arrestuar pasi me një furgon ka bllokuar rrugën para selisë së televizionit shtetëror austriak ORF në Vjenë dhe ka pohuar se ka vendosur bombë në makinë, kumtoi sot policia austriake. Automjeti është duke u bastisur, njofton policia në rrjetin social Iks. Shërbimet e urgjencës kanë evakuuar ndërtesat në zonë. Prezantuesi i ORF-së, programi i të cilit u anulua për shkak të kërcënimit, në transmetim tha se personi në fjalë kishte kërcënuar se do të kryejë sulm me bombë para selisë së televizionit.
Kiev - Petro Poroshenko, ish-presidenti i Ukrainës dhe lider i partisë më të madhe opozitare, në një intervistë për "Gardian" ka deklaruar se "presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nuk është diktator, por ai po e çon vendin drejt diktaturës”. Ai kritikoi takimin mes Zelenski dhe presidentit amerikan Donald Tramp në Zyrën Ovale muajin e kaluar, duke e quajtur atë "gabim katastrofik të Zelenskit". Ai nuk e ka kritikuar Zelenskin që nga shpërthimi i pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, por thotë se sanksionet e fundit të vendosura ndaj tij nga autoritetet ukrainase e kanë detyruar atë të flasë.
Moskë - Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov sot deklaroi se rezultatet nga bisedimet mes delegacionit amerikan dhe rus në Riad nuk do të publikohen, pasi bëhet fjalë për negociata teknike. Ai theksoi se negociatat kanë qenë të detajuara dhe se përmbajtja e atyre bisedimeve nuk do të zbulohet, raportojnë mediat ruse. Peskov shtoi se për momentin është duke u analizuar raporti nga takimi, pas së cilës do të mund të flitet për arritjet e mundshme. Kontaktet mes Rusisë dhe SHBA-së do të vazhdojnë, shtoi ai, por ende nuk ka informacione për takime shtesë.
Amsterdam - Numri i personave të cilët kanë vdekur nga eutanazia në Holandë është rritur për 10 për qind vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e reja, ndërsa një roje u ka bërë thirrje mjekëve që të jenë shumë të kujdesshëm në rastet e sëmundjeve mendore. Holanda ka një nga ligjet më të vjetra dhe më gjithëpërfshirëse të eutanazisë në botë. Mjekët mund t'i japin fund jetës së një personi që vuan në mënyrë të padurueshme dhe pa asnjë shpresë për përmirësim. Kërkohet një diagnozë e cila mund të jetë një sëmundje fizike, por edhe një sëmundje mendore ose demencë.
Riad - Në Riad është duke u zhvilluar takim i ri mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe SHBA-së për armëpushim në luftën Ukrainë-Rusi, bëri të ditur sot një burim nga delegacioni ukrainas. "Ne ende po punojmë me amerikanët", deklaroi burimi para grupit të vogël të gazetarëve. Takimi vjen pas bisedimeve të gjata të djeshme mes amerikanëve dhe rusëve për armëpushim në Ukrainë, të zhvilluara gjithashtu në kryeqytetin e Arabisë Saudite. Më herët sot, një burim nga Shtëpia e Bardhë tha se negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja në Arabinë Saudite me delegacionet nga Ukraina dhe Rusia po avancojnë mirë dhe pritet një njoftim pozitiv së shpejti.
Uashington - Prodhuesi koreano-jugor i automjeteve "Hjundai" do të investojë 21 miliardë dollarë në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, deklaroi sot në Shtëpinë e Bardhë, drejtori ekzekutiv i kompanisë Çung Eui-sun. Ai e bëri deklaratën në prani të presidentit amerikan Donald Tramp. Ky investim përfshin edhe zhvillimin e një shkritore në shtetin amerikan Luiziana, i cili do të kushtojë gjithsej 5.8 miliardë dollarë. Shkritorja do të jetë "objekti i parë 'Hjundait' që është ndërtuar ndonjëherë në SHBA", tha Tramp, duke shtuar se "ky investim është një shenjë se tarifat vërtet po funksionojnë".
Uashington - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset i hodhi poshtë akuzat se dërgon mesazhe që përmban plane ushtarake konfidenciale për një bisedë grupore në të cilën përfshihen Xheferi Goldberg, kryeredaktor i Atlantik. Mohimet vijnë pasi Goldberg publikoi një artikull duke pretenduar se ai ishte shtuar pa dashje në një bisedë grupore në aplikacionin "Signal", ku zyrtarët e administratës Tramp diskutuan planet për sulme ushtarake kundër Huthëve në Jemen. Njusvik sot shkruan se kjo shkelje e dukshme e sigurisë ka ngjallur shqetësim dhe shqyrtim intensiv dypartiak në Uashington, me deputetët nga të dyja palët që bëjnë thirrje për një hetim të menjëhershëm.