• e shtunë, 19 tetor 2024
MIA Flesh

12:00/18 tetor/2024

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski sot do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të SHFK të re "Kërste Misirkov" në Hasanbeg, Komuna Gazi Babë. Vlera e projektit është  169 992 752 denarë, ndërsa përfshin 30 kabinete me kapacitet të përgjithshëm për mësim në dy ndërrime për 713 nxënës.

Shkup - Me paraqitjen e provave nga Prokuroria në Gjykatën Themelore Penale Shkup, sot duhet të vazhdojë gjykimi për vrasjen e dyfishtë të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi. Në seancën e kaluar dëshmuan ish-ndihmës shefi nga Shkupi, i cili foli për rrjedhën e hetimeve për gjetjen e Vanjës dhe ish-shefi nga Velesi, i cili dëshmoi në lidhje me hetimin për zhdukjen dhe vrasjen e Pançes. Të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.

Shkup – Në krahasim me vitin 2022 kur mesatarja e transparencës në komunat ishte 27 për qind, këtë vit ajo ka arritur 37 për qind, që është rritje për 10 për qind në dy vjet. Edhe pse kjo përqindje është rritur dukshëm, megjithatë përfaqëson indikacionin për nivel të ulët të transparencës në punën e vetëqeverisjes lokale, i tregojnë i prezantuan gjetjet nga Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut të përgatitur përmes Indeksit të transparencës për vitin 2024 në forumin tematik "Bashkësia e përfshirë për rezistencë ndaj korrupsionit” të Fondacionit Metamorfozis dhe Koalicionit Rural.

Shkup - SPB Strumicë dje e kanë privuar nga liria S.V. (28) nga Gjevgjelia. Gjatë bastisjes të dy lokacioneve në Gjevgjeli të cilat ai i shfrytëzon, të kryera me urdhër gjyqësor, janë gjetur marihuanë dhe sende me mbetje të materies bimore. Siç kumtoi MPB-ja, S.V. është ndaluar në Stacionin Policor Gjevgjeli, kurse për rastin është informuar Prokurori Publik nga PTHP Gjevgjeli.

Shkup - Monodrama “Nizhinski”, e interpretuar nga aktori Filip Ristovski, mbrëmë u interpretua në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Skupifestival" - Shkup. Siç infomoi FNT "Skupifestival", Ristovski ka lindur në Manastir, ndërsa me dekada jeton dhe punon në Bukuresht, Rumani. Ai ngjesh, siç theksohet, momentet më sublime nga një  ditar 200 faqesh i shkruar nga artisti Vaclav Nizhinski, një balerin dhe koreograf me famë botërore.

Prishtinë - Heqja e vizave për Shengen-zonën për qytetarët e Kosovës e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, ka ndikuar dukshëm në rritjen e punës së Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, kështu që gjatë nëntë muajve të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i pasagjerëve dhe fluturimeve është rritur me mbi 11 për qind, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Sipas të dhënave të administratës së aeroportit "Adem Jashari" të cilat i publikoi portali "Gazeta ekspres" (gazetaexpress.com), numri i udhëtarëve nga kryeqyteti i Kosovës nga 1 janari deri 30 shtator 2024 kalon tre milionë.

Ankara - Së paku gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa 25 të tjerë janë lënduar pasi një autobus turistik është përmbysur në Aksaraj të Turqisë. Autobusi turistik, nga arsye ende të panjohura është përmbysur në lokacionin Axhipinar në autostradën Aksaraj-Ankara. Në vendin e aksidentit janë dërguar një sërë automjetesh emergjente, policia dhe zjarrfikësit. Guvernatori i Aksarajt, Mehmet Ali Kumbuzoglu, deklaroi se autobusi turistik ka lëvizur nga Balikesir për në Kapadokia.

Berlin – Gjermania ka përgjegjësi që të kujdeset që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të mos shndërrohet në luftë mes Rusisë dhe NATO-s, deklaroi kancelari gjerman Olaf Shollc, duke e përsëritur “nain”(jo) e tij për dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi në Kiev, transmeton DPA. “Nuk vlerësoj se ajo është dërgesë e drejtë  - dhe kështu do të mbetet”, tha Shollci dje pas samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel.  Ai i hodhi poshtë pikat kyçe të “planit të fitores” të presidentit ukrainas Volodomir Zelenski për shkak të frikës nga përshkallëzimi i ardhshëm. Zelenski në takim e prezantoi “planin e fitores” dhe edhe një herë i bëri thirrje Shollcit që të dërgojë raketa Taurus.

Bruksel - NATO-ja do të vazhdojë me promovimin e stabilitetit dhe sigurisë jashtë kufijve të veta përmes misioneve dhe operacioneve, si KFOR-i dhe Misioni në Irak, tha sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute në fjalimin në mbledhjen e Këshillit veriatlantik në nivel të ministrave të Mbrojtjes, ku morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski. "Në mënyrë të konsiderueshme e kemi rritur përkrahjen tonë për Ukrainën, fillimisht, që ajo të mund të mbrohet nga agresioni rus tani, dhe e dyta, t'u kundërshtohet kërcënimeve ruse në të ardhmen", shtoi Rute. Ai theksoi se në takimin do të bisedohet edhe për implementimin e vendimeve nga Samiti i korrikut të NATO-s në Uashington për përforcimin e mbrojtjes, përmes investimeve në forcat e armatosura dhe kapaciteteve, me qëllim të ballafaqimit me sfidat, me të cilat ballafaqohet Aleanca.

Budapest - Lufta në Ukrainë nuk mund të fitohet me “planin e fitores” të propozuar nga presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, deklaroi sot kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. “Me këtë vetëm mund të humbim, ndërsa Hungaria nuk do të jetë pjesë e saj”, tha Orbani për servisin publik Koshut radio. Orban theksoi se BE-ja është e ndarë në dy grupe për çështjen e luftës: “Jemi këtu ne dhe të tjerët”. "Hungaria në fillim të luftës tha se nuk do të marrë pjesë në përpjekjet e luftës, ndërsa vendet e tjera të BE-së janë në të. BE po sillet si një palë në luftë”, tha Orban, duke shtuar se Hungaria e bëri të qartë se kjo është strategji e gabuar.

Gjenevë - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e shqetësuar nga rasti i parë i konfirmuar i kolerës në Liban pas shpërthimit të krizës aktuale dhe njoftoi se urgjentisht është duke punuar në parandalimin e një epidemie më të madhe.  Autoritetet shëndetësore libaneze këtë javë e konfirmuar rastin e parë të kolerës në kushte të eskalimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani. Kolera është sëmundje ngjitëse e përcjellur me diare dhe të vjellura dhe përhapet përmes ndotjes së ujit, për shembull kur furnizimet me ujë janë të ndotura me fekale. Rreziku nga paraqitja çdoherë ekziston kur shumë njerëz duhet të jetojnë së bashku në kushte jo të mira higjienike.

Nju-Jork - Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adanom Gebrejesus deklaroi se pothuajse të gjithë në Rripin e Gazës janë të uritur, duke e quajtur këtë situatë “çnjerëzore”. “OBSH po bën thirrje për akses të menjëhershëm në të gjithë ndihmën humanitare, duke filluar me ushqimin dhe ilaçet për fëmijët e kequshqyer rëndë që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm”, shkroi Tedros Adanom Gebrejesus në rrjetin social Iks. OBSH vazhdon të bëjë thirrje përarmëpushim sepse "ilaçi më i mirë është paqja", shtoi ai. Që nga viti 2006, Izraeli ka bllokuar Gazën, duke e kthyer rajonin në atë që shumica e quajnë burgu më i madh i hapur në botë.

Uashington - Shefi i diplomacisë amerikane, sekretari shtetëror Entoni Blinken, deklaroi se Uashingtoni gjatë ditëve të ardhshme do t'i dyfishojë përpjekjet për ndërprerje të konfliktit në Rripin e Gazës, pas vrasjes së udhëheqësit të grupit të armatosur palestinez Hamas, Jahja Sinvar, njoftuan mediumet britanike. "Në muajt e fundit, Sinvar vazhdimisht i ka hedhur posht përpjekjet e SHBA-së dhe partnerëve tanë për ndërprerje të kësaj lufte përmes marrëveshjes, me të cilën do të kthehen pengjët tek familjet e tyre dhe do t'i lehtësojë vuajtjet e popullit palestinez", tha Blinken.

Uashington - Armata amerikane sot njoftoi se forcat e saj nuk kanë pasur asnjë rol në operacionin izraelit, në të cilin u vra lideri i Hamasit, Jahja Sinvar, edhe pse intelegjenca amerikane i ndihmoi Izraelit që t'i lokalizojë liderët e Hamasit, të cilët morën pengje vitin e kaluar. "Ky ishte operacion izraelit. Forcat amerikane nuk ishin të përfshira drejtpërdrejtë", tha zëdhënësi i Pentagonit, Patrik Rajder. Sipas tij, SHBA-ja ndihmoi që të sigurojë informacione zbuluese në lidhje me kthimin e pengjeve dhe kërkimin dhe vendndodhjen e liderëve të Hamasit, që ishin përgjegjës për mbajtjen e pengjeve.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden, duke e komentuar vrasjen izraelite të liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, tha se, "është koha që kjo luftë të përfundojë dhe të burgosurit të kthehen në shtëpi". Ai paralajmëroi vizitë të re të sekretarit shtetëror Entoni Blinken në Izrael dhe tha se e telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për ta uruar për operacionin, por gjithashtu e theksoi rëndësinë e përfundimit të konfliktit. "Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe pengjet të kthehen në shtëpi. Kjo është ajo që ne jemi të gatshëm të bëjmë”, tha Bajden, duke shtuar se duhet të ndërmerren hapa për të siguruar një armëpushim në Rripin e Gazës.

Majami – Ylli i Inter Majamit, Lionel Mesi nuk e përjashtoi mundësinë që të luajë në Kampionatin Botëror në vitin 2026 në Amerikën Veriore. “E dua futbollin. Para pak kohësh isha në stadium të mbushur ku e brohorisnin emrin tim dhe emrat e bashklojtarëve të mi. Kalova momente mjaft të vështira me përfaqësuesen dhe jam mirënjohës për këtë që po ndodh tani. I shfrytëzoj këto momente, sepse e di që koha po kalon. Mundohem të shijoj çdo ditë. Do të vijë koha – do ta shohim çka do të ndodhë saktë, nuk dua të shpejtoj. Shpresoj që do të mund të performoj në të njëjtin nivel, të ndjehem mirë dhe të jem i lumtur. Kjo është më e rëndësishme për mua, deklaroi kapiteni 37-vjeçar i përfaqësueses argjentinase, i cituar nga gazeta “Marka”.

 

QËNDRONI TË LIDHUR