• e enjte, 19 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 18 tetor/ 2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot i pranoi letrat kredenciale të Alberto Antonio Rodrigez Gonji, ambasador i sapoemëruar i Republikës Lindore të Uruguajit, me seli në Bukuresht. Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, presidentja Siëjanovska Davkova, siç kumtoi kabineti i saj, ka theksuar se edhe krahas distancës gjeografike të të dy shteteve dhe përkatësisë së tyre të rajoneve të ndryshme, ekziston interes i ndërsjelltë për bashkëpunim gjithpërfshirës, me ç'rast ceki se ekziston potencial për avancim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të ndërsjellta për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot është takuar me kryetaren e Bundestagut të Republikës Federale të Gjermanisë, Berbel Bas.  Basi, siç bëri të ditur pres shërbimi i Kuvendit, ka shprehur angazhimin e saj personal, si dhe angazhimin e deputetëve në Bundestag për të investuar në përparimin e vendit tonë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Shprehu respekt dhe lavdërim për sukseset dhe hapat e kaluar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në këtë rrugë. 

 Shkup - Në një ngjarje të organizuar nga Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, UNDP-në dhe Ambasadën e Zvicrës, me pjesëmarrjen e ekspertëve, sot filloi procesi i analizës së plotë me qëllim të përmirësimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, bëri të ditur pres shërbimi qeveritar. Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij theksoi se Ligji për Vetëqeverisje Lokale funksionon me sukses për gati dy dekada dhe se e ka kaluar testin e kohës, por praktika tregon se nevojiten përparime për përmirësimin e  transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal. 

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ka takuar sot ministrin për të drejtat e njeriut dhe pakicave të Malit të Zi, Fatmir Gjeka. Gjatë takimit, siç informon MMJPH, Mexhiti dhe Gjeka biseduan për marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilat i vlerësuan të shkëlqyeshme në të gjitha fushat. "Dy bashkëbiseduesit theksuan se pas anëtarësimit të dy vendeve në Aleancën Veriatlantike, integrimi i plotë në Bashkimin Evropian ngelet prioritet për dy qeveritë, si i vetmi opsion për zhvillimin e gjithë rajonit.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot ka realizuar një takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës portugeze në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Beograd, Zhoze Rui Velesh Karoso. Në takim, siç njofton Sekretariati për Çështje Evropiane u theksuan lidhjet miqësore bilaterale, ndërkaq u diskutua edhe mbështetja e vazhdueshme e Portugalisë për procesin e aderimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Shkup - Kryeshefi i policisë konfirmoi se faktikisht departamenti i tij nuk ishte kompetent megjithatë janë përfshirë në procedurën e tërësishme. Sipas asaj që patëm rastin ta dëgjojmë, vepruan pa standarde dhe procedura konkrete për veprim. Thjesht janë udhëhequr nga disa ndjenja dhe perceptime personale, deklaroi mbrojtësi i Vanjës, avokati Vladimir Tufegçiq pas seancës së sotme për vrasjen e Vanjës dhe Pançes në Gjykatën Penale.

Shkup - Në Fondin për sigurim shëndetësor të Maqedonisë, drejtori i përgjithshëm i Fondit, Sasho Klekovski, sot është takuar me një delegacion të Verteksit, prodhuesi i vetëm i terapisë inovative për fibrozë cistike në botë, në të cilën është theksuar përkushtimi dhe kujdesi i Fondit për pacientët me fibrozë cistike, informuan nga Fondi. Klekovski ka theksuar se bëhen përpjekje për përmirësimin e kujdesit të shtetit për pacientët me fibrozë cistike.

 Shkup - Enti Shtetëror i Statistikës sot bëri të ditur se bruto produkti vendor (BPV) në vitin 2023 ka qenë 897.694 milionë denarë dhe krahasuar me vitin 2022 nominalisht është rritur për 10,0%, ndërsa reallisht për 2,1%. Pjesëmarrje më të madhe të vlerës së shtuar me 18,9% në strukturën e PBV-së, në vitin 2023 e kanë sektorët: Tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, Transporti dhe magazinimi dhe Objektet e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimit me ushqim.

Shkup - Revokimi i kryetarëve të komunave që nuk do ta kryejnë funksionin e tyre për të cilin janë zgjedhur nga ana e qytetarëve duhet të revokohen përmes referendumit, zbulon në intervistë për MIA-n ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski. Revokimi i një kryetari të komunës është një nga risitë që duhet të jenë pjesë e zgjidhjes ligjore për vetëqeverisje lokale e cila parashikohet të bëhet gati deri në mars, ndërsa për të cilën deri atëherë do të hapet një proces i gjerë konsultues në të cilin do të përfshihen të gjitha palët e interesuara - ekspertë, kryetarë komunash, kryetarë të këshillave, sektori civil.

Shkup - "Zonja Jotova jeton në botën e fantazive të shekullit të 19-të. Asnjë qytetar i Maqedonisë nuk ka nënshkruar deklaratë se ndjehet si bullgar, por atë e bëjnë avokatët bullgarë të cilët marrin para për të ndërmjetësuar", thekson ministrja e Energjetikës, Xehtarisë dhe Lëndëve të para minerale, Sanja Bozhinovska në reagimin e publikuar në profilin e saj në Fejsbuk pas deklaratës paraprake të nënpresidentes bullgare, Ilijana Jotova se personalisht i ka parë dokumentet e saj të aplikimit për shtetësi bullgare.

Tetovë - Komuna e Tetovës thotë se ndjen të nevojshme të informojë publikun për dezinformatat që janë përhapur lidhur me investimet në qytet. Deklaratat se Tetova ka përfituar vetëm 1.3 milion euro investime janë plotësisht të pasakta dhe synojnë të minimizojnë progresin e arritur deri tani. Në realitet, investimet kapitale që Komuna e Tetovës ka siguruar nga fondet qeveritare arrijnë në 3.8 milion euro, dhe jo 1.3 milion, siç është pretenduar gabimisht, thonë nga komuna.

Shkup - Kundër kryetarit të komunës së Strugës Ramiz Merko është ngritur kallëzim penal nga DPB Strugë sepse para tre viteve, në kundërshtim me ligjin, ka emëruar u.d. drejtor në shkollën e komunës që e udhëheq. Siç informon sot Ministria e Punëve të Brendshme, kallëzimi penal është ngritur kundër R.M. (67) nga Struga, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër të kryer penale "punë joadekuate në shërbim".

Shkup - Një banor 40 vjeçar i fshatit Trebosh me iniciale J.V. dje në ora 11.30 është ftuar në SPB Tetovë i dyshuar se e ka kërcënuar me mesazh në telefon kryetarin e Tetovës, Bilal Kasami. Ministria e Punëve të Brendshme sot ka njoftuar se për J.V. ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale "rrezikim të sigurisë".

Tiranë - Gjykata speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për 24 tetor caktoi seancën për dosjen “Partizan”. "Para tre ditëve Prokuroria speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK ka dorëzuar këtë dosje në të cilën akuzohen Sali Berisha, Jamarbër Maltezi, Fatmir Bekteshi, Xhimi Begej, Andina Pustina, Studio "Pustina" kompanitë "Homeplan" dhe "Kontakt", njoftuan mediat.

Tiranë - Nuk do të tolerohet dhuna, djegia dhe shkatërrimi, si dhe rrahja e policëve. porositi ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, pas dhunës së djeshme të opozitës në Parlament. Ai i hodhi poshtë akuzat se një polic ka drejtuar pistoletën drejt deputetëve demokratë, duke shprrehur "keqardhje për deputetët të cilët janë sjellur dhunshëm ndaj policëve dhe gardistëve". "Keqardhje ndaj deputetëve të opozitës që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe të Gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të policisë, kurse dhuna, goditja ndaj punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Në deklaratën e policisë së Shtetit të dhënë dje është thënë qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga ana e punonjësve të policisë. Ritheksoj në ligjin për tubimet është përcaktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e policisë që kanë qen pjesë e planit të masave nuk kanë pasur armë zjarri", tha ai.

Bruksel - Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në takimin e tyre dyditësh në Bruksel miratuan nisma për standardizimin e armatimit, kumtoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Mark Rute në konferencën për shtyp. "Kjo është e rëndësishme për aftësinë tonë të luftojmë së bashku dhe t'i ulim shpenzimet për armatim. Do ta përshpejtojmë zhvillimin e standardeve të NATO-s, shtoi ai. Sipas tij, detyrë udhëheqëse është përmirësimi i mbrojtjes ajrore.

Bruksel - Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve të NATO-s, ndërsa presidenti rus Vlladimir Putin përdor një retorikë gjithnjë e më të papërgjegjshme, porositi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute në konferencën për media pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes të Aleancës, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski. "Moska ndoshta është e zhurmshme, por NATO është e fuqishme. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt është me rëndësi jetike që ne të vazhdojmë të modernizojmë aftësitë tona dhe të stërvitemi së bashku për të mbajtur forcat tona konvencionale dhe bërthamore si të forta", theksoi Rute duke shtuar se qëllimi kryesor i aftësisë bërthamore të NATO-s është ruajtja e paqes, parandalimi i detyrimit dhe frenimi i agresionit.

Bruksel - Kryeministri sllovak Robert Fico deklaroi sot se Plani për fitore i presidentit ukrainas Volodimir zelenski është "kontrovers" dhe shprehu bindje se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është ide e mirë. Fico përsëriti se e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por se beson se anëtarësimi i vendit në NATO - që është një nga pikat e Planit për fitore të Zelenskit - mund të shkaktojë Luftë të tretë botërore.

Berlin - E mbështesim Ukrainën më fuqishëm se sa që mundemi dhe njëkohësisht kujdesemi që NATO të mos jetë në anën e luftës, që kjo luftë të mos shndërrohet në katastrofë akoma më të madhe, deklaori sot kanbcelari gjerman Olaf Sholc para fillimit të takimit prapa dyerve të mbyllura në Belrin me presidentin e SHBA-së, Xhozef Bajden. "Falë udhëheqësisë suaj, plani i Putinit ka dështuar, Ukraina nuk është ndërmarrë për vetëm disa ditë, por përmes trimërisë së ushtarëve të saj dhe mbështetjes së shumë vendeve.... ajo e kundërshtoi imperializmin rus më shumë se dy vite e gjysmë", i tha Sholc, Bajdenit.

Berlin - Kryeministri britanik, Kir Stramer arriti në Berlin për takimin me liderët e SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë, lajmëroi DPA. Në takimin e ashtuquajtur "Katërshja" sot pasdite pritet të bisedohet për luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Afërt. Starmer  u prit nga kancelari gjerman, Olaf Sholc gjatë arritjes së tij para se të fillojnë diskutimet. Udhëtimi i planifikuar i Starmerit në kryeqytetin gjerman vjen pasi që Izraeli dje kumtoi se ushtarët e tij e vranë liderin e Hamasit, Jahja Sinvar, duke e shfaqur vdekjen e tij si kthesë në fushatën e shtetit hebraik kundër grupit.

Berlin - Presidenti gjerman Frank-Uallter Shtajnmaer sot ka nderuar presidentin amerikan Xhozef Bajden me dekoratën më të lartë të Gjermanisë për shërbimet e tij në marrëdhëniet transatlantike. Vizita e Bajdenit në Berlin, gjatë së cilës pritet të flasë me zyrtarë gjermanë për luftën në Ukrainë dhe përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, vjen dy javë e gjysmë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, raportojnë agjencitë, duke vlerësuar se rizgjedhja e mundshme e ish presidentit amerikan Donald Tramp është shkaku për shqetësimin e shumë vendeve evropiane, siç është Gjermania, ku marrëdhëniet me SHBA-në u përkeqësuan gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në vitin 2021.

 Seul - Koreja e Veriut ka sistemuar kontingjentin e parë prej 1.500 ushtarë nga forcat e saj speciale në Vladivostok, në Lindjen e Largët ruse, dhe së shpejti do të dërgojë edhe të tjerë, bëri të ditur sot inteligjenca e Koresë së Jugut, cituar nga agjencitë botërore. Shërbimi i Inteligjencës i Koresë së Jugut "ka zbuluar se nga 8 deri më 13 tetor, Koreja e Veriut ka transportuar ushtarë nga forcat e saj speciale në Rusi me anije transportuese të marinës ruse, duke konfirmuar fillimin e pjesëmarrjes luftarake të Koresë së Veriut", theksohet në kumtesën e inteligjencës, ku janë publikuar edhe imazhe të detajuara satelitore.

Gaza - Lideri i Hamasit, Jahja Sinvar, arkitekti i bastisjeve tejkufitare të grupit në vitin 2023, të cilat u bë ditët më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit, është vrarë në luftë, deklaroi sot Kalil al Haja, zëvendës-lider i Hamasit në Gaza dhe kryenegociatori i grupit, transmentuan mediat botërore.  Në një deklaratë televizive, Al Haja e konfirmoi pozicionin e grupit militant palestinez se pengjet izraelite të zënë robë në sul min e grupit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 20232,  nuk do të lirohen derisa nuk ndalon lufta në Gaza.

 Teheran - Flotat detare nga Rusia dhe Omani i janë bashkuar marinës iraniane në përgatitje për stërvitjet nën patront të Iranit në Oqeanin Indian, njoftuan agjencitë botërore, duke cituar sot mediat shtetërore iraniane. Helikopterë dhe anije nga flotat e Armatës iraniane dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kapën anije luftarake të Rusisë dhe Omanit në ujërat iraniane.

Bejrut - Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni mbërriti sot në Bejrut, shefja e parë e shtetit ose qeverisë që e vizitoi Libanin pas intensifikimit të sulmeve ndaj vendit nga fundi i shtatorit. Meloni vendi i të cilës luan rol udhëheqës në misionin paqësor të KB-së në Liban (UNIFIL) dhe është gjithashtu kryesuese e radhës së G7, në aeroportin Rafik Hariri në Bejrut e priti homologu i saj libanez Naxhib Mikati.

 

QËNDRONI TË LIDHUR