• e shtunë, 19 tetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 18 tetor/ 2024

Shkup - Në Europe House në Shkup sot do të mbahet ceremoni për ndarjen e çmimit të BE-së për gazetari hulumtuese për vitin 2024 për storjen më të mirë hulumtuese në Maqedoninë e Veriut, organizuar nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve mediatik, Tomson media dhe Delegacioni i Bashkimit Evropin në Shkup. Siç paralajmëruan organizatorët, fjalim zyrtar në ceremoninë do të ketë ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas dhe kryetari i juri-komisionit për çmimin e BE-së për gazetarinë hulumtuese, Valentin Neshovski.

Zagreb - Forumi ballkanik ekonomik - BEF sot do të mbahet në Zagreb, Republika e Kroacisë, nën patronazhin kryesor të Central European Initiative (CEI), të cilën BEF 2024 e emëron si ngjarjen e saj kryesore të vitit. Forumi, i cili, siç theksohet, "fillimet e tij i ka në Maqedoni, sërish do të bashkojë në një vend liderët ekonomik, politik dhe akademik të Evropës". Pas edicioneve të suksesshme në Shkup dhe Tiranë, konferenca kryesore rajonale Forumi ekonomik ballkanik rikthehet me një edicion të ri i cili këtë vit do të mbahet në Zagreb.

Shkup - Moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me periudha me diell. Në disa vende do të ketë kushte për reshje të dobëta lokale të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri 13, ndërsa ajo maksimale do të jetë prej 16 deri 20 gradë. Në Shkup mot i ndryshueshëm me vranësira dhe me periudha me diell. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të ulet deri ë 8, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 20 gradë Celsius. Në ditët e fundjavës do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët dhe më i freskët me kushte për reshje të dobëta lokale të shiut. Pastaj vijon periudhë me mot stabil dhe i qetë me temperatura të ulëta në mëngjes. Në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së mëngjesit.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, kryesisht nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Bruksel – Në Bruksel sot vazhdon takimi dyditor i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Maqedonisë i këtij dikasteri, Vllado Misajllovski. Në vazhdimin e sotëm të takimit të ministrave është paraparë mbajtja e mbledhjes së Këshillit Veriatlantik në nivel të ministrave të mbrojtjes, në të cilin do të flitet për fuqizimin e mbrojtjes dhe rezistencës së NATO-s, për shpenzimet e mbrojtjes dhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Moskë - Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mbrëmë kumtoi se forcat e saj e kanë ndërmarrë kontrollin ndaj fshatit Maksimilijanivka, në më pak se 10 kilometra nga qyteti kyç Kurakovë në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck. Sektori Kurakovo, në perëndim të qendrës rajonale Donjeck, e kontrolluar nga Rusia, është një nga pikat qendrore të përparimit të vazhdueshëm të Rusisë në rajon. Rusia ka kryer presion që të arrijë deri te qendra logjistike Pokrovsk, rreth 50 kilometra në veri.

Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen deklaroi se vdekja e liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, i cili llogaritet si kyç në organizimin e sulmit terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, "dukshëm" e dobëson Hamasin.  “Sinvar ishte udhëheqës i organizatës terroriste, organizatës terroriste Hamas”, tha Fon der Lajen në fund të samitit evropian në Bruksel.  “Pa dyshim, vdekja e tij dukshëm do ta dobësojë Hamasin”, shtoi ajo.  “Britania e Madhe nuk do të qajë” për shkak të vdekjes së liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, i cili është ‘truri pas ditës më vdekjeprurëse në historinë hebraike pas Holokaustit”, deklaroi kryeministri britanik Kir Starmer, duke reaguar për lajmin e vdekjes së liderit të Hamasit.   Presidenti francez Emanuel Makron vlerësoi se vdekja e liderit të Hamasit përfaqëson “mundësi” që duhet të shfrytëzohet për dhënien fund të operacioneve ushtarake. 

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në deklaratë në gjuhën angleze e ka quajtur vrasjen e lideri të Hamasit, Jahja Sinvar "fillim të fundit" të luftës në Gazë. "Kam një porosi të thjeshtë deri te banorët e Gazës - kjo luftë mund të përfundojë që nesër. Mund të përfundojë nëse Hamasi e dorëzon armën dhe i kthen pengjët tanë. Izraeli do ta garantojë sigurinë e të gjithë atyre, të cilët do t'i kthejnë pengjët. Nëse dikush i dëmton pengjët, Izraeli do t'i ndjek dhe do t'i dërgojë para drejtësisë", tha Netanjahu. Kryeministri izraelit shtoi se "boshti i terrorit, i ndërtuar nga Irani, po rënohet para syve tanë".

Uashington - Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Tramp ka akuzuar presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski se ka ndihmuar fillimin e luftës me Rusinë, duke lënë të kuptohet për një ndryshim radikal në politikën ndaj Ukrainës nëse ai fiton zgjedhjet më 5 nëntor. Për shkak të miliarda dollarëve ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën që nga fillimi i luftës në vitin 2022, ish presidenti amerikan e kritikon rregullisht Zelenskin gjatë fushatës, duke e quajtur vazhdimisht "tregtarin më të madh në botë". Tramp ka kritikuar liderin ukrainas për shkak të asaj që nuk kërkoi paqe me Moskën dhe propozoi që Ukraina t'i dorëzojë Rusisë disa territore për të arritur një marrëveshje paqeje, një lëshim që Kievi e konsideron të papranueshëm.

Bejrut - Një nga liderët e Hamasit, Kaled Meshal është emëruar për ushtrues detyre të kësaj lëvizje pas vrasjes së Jahja Sinvarit, njofton televizioni libanez LBCI, duke iu referuar burimeve të veta. Mashal tani është përgjegjës për tërë komunikimin me palët kyçe të përfshira në negociatat dhe çështjet me të burgosurit, njofton televizioni libanez. Burimet për LBCI konfirmuan se udhëheqësia e Hamasit i informoi autoritetet turke, katariane dhe egjiptiane për vdekjen e Sinvar gjatë operacionit në Tel al Sulltan.

Bejrut - Grupi libanez Hezbollah sot publikoi se kalon në fazë të re, eskaluese në luftën kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, ku do të përdor projektile për të sulmuar ushtarë izraelitë. Hezbollahu në kumtesë njofton se nga fillimi i ofensivës tokësore në Liban më 1 tetor, armata izraelite ka humbur 55 ushtarë, ndërsa më shumë se 500 janë plagosur, njoftojnë mediumet britanike. Sinvar, organizatori i sulmit më 7 tetor të vitit 2023, pas çka filloi lufta në Gazë, është vrarë të mërkurën gjatë operacionit të ushtarëve izraelitë në enklavën palestineze.

 

QËNDRONI TË LIDHUR