• e premte, 18 tetor 2024
MIA FLESH

12:00 / 17 tetor / 2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do ta vizitojë Komunën e Bërvenicës, gjatë së cilës do të marrë pjesë në lëshimin në përdorim të rrugës 1 me degëzimet 1,2,3 dhe 4 në fshatin Radiovcë. Projekti është financuar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Transportit, në vlerë prej 11.685.536 denarë, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me Klaus Nojkirh, drejtor për koordinimin e programeve në Këshillin e Evropës, ku u shqyrtuan prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në kontekst të integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit strategjik me Këshillin e Evropës. Siç kumtuan nga Ministria e Çështjeve Evropiane, ministri Murtezani theksoi përkushtimin e Qeverisë për përforcimin e mëtejmë të sundimit të së drejtës, avancimin e proceseve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut – sfera që janë themeli i mandatit të Këshillit të Evropës.

Shkup - Qeveria është fuqimisht e përkushtuar në ndërtimin e një rrjeti të ri hekurudhor në vend dhe e udhëhequr nga zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe lidhja rajonale, kurse në frymën e procesit të integrimit evropian dhe nevojës për modernizim dhe përfundimin e korridoreve transportuese evropiane, mbetet plotësisht e përkushtuar në ndërtimin e pjesës lindore të Korridorit 8. Kjo në fakt e vërteton edhe procesin e vazhdueshëm të fazës së parë dhe të dytë të hekurudhës së Korridorit 8.

Shkup – Në Qendrën e mediave të Qeverisë sot do të mbahet Platforma: 100% të përkushtuar për ty në temën "Projekte, investime dhe reforma në ekonominë, financa dhe administratën publike". Në ngjarje do të marrin pjesë ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ministri i administratës publike Goran Minçev, drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, u.d. drejtori i Agjencisë për Punësim, Selatin Beluli dhe Esma Adilloviq Fazliq, udhëheqëse e sektorit për reforma në administratën publike, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.

Shkup - Skupifestival në natën e tretë me radhë vazhdoi me shfaqjen teatrore nga CIE. Teatri "Toula Limnaios" nga Berlini i Gjermanisë, është e frymëzuar nga krijimtaria muzikore e Gustav Majer dhe i kushtohet “fëmijëve të pluhurit”, që në njëfarë mënyre jemi ne.

Shkup - Në Ditën ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së varfërisë, UNICEF-i apelon që të rritet përfshirja e ndihmës financiare për fëmijët dhe përmes një reagimi shumësektorial deri në vitin 2030 të përgjysmohet varfëria e fëmijëve. Zyra e UNICEF-it në Shkup tregon të dhënat që ka publikuar Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) këtë muaj ku mbi 120.000 fëmijë në vend, ose 32.8 për qind e të gjithë fëmijëve, jetojnë nën pragun e varfërisë.

Shkup - Nëpunës policorë të Stacionit Policor për Kontrollime Kufitare dhe Mbikqyrje Kufitare “Bogorodicë”, dje në ora 14:30 minuta në f. Bogorodicë-Gjevgjeli, i kanë privuar nga liria F.S. (21) dhe O.Ç.D. (19), të dy nga Republika e Turqisë, me vendqëndrim të përkohshëm në Shkup.

Athinë - Centrali i policisë greke, herët në mëngjes ka marrë mejl me paralajmërim se janë vendosur mjete shpërthyese në disa lokacione në Athinë, mes të cilave në spital, gjykatë, si dhe në stacionin e metros Sintagma, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Mejli, sipas mediave greke, është shkruar në gjuhën angleze, i dërguar në ora 7:20 në mëngjes dhe policë po kryejnë kontrolle në terren.

Athinë - Të rreme rezultuan paralajmërimet e dërguara në policinë greke për bomba të vendosura në disa lokacione në Athinë, pasi policët nga Departamenti për deaktivizimin dhe shkatërrimin e mjeteve shpërthyese gjatë kontrolleve nuk ka konstatuar ndonjë gjë të dyshimtë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina. 

Bejrut – Forcat paqësore të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftuan se një tank izraelit me qëllim e ka sulmuar një kullë vrojtimi të misionit në Libanin jugor, me çka kulla është dëmtuar, ndërsa dy kamera janë shkatërruar.  Në kumtesë bëhet e ditur se anëtarët e UNIFIL, të dislokuar në afërsi të fshatit Kfar Kela në jug të Libanit, dje kishin parë se një tank izraelit e sulmon stacionin e rojës, njoftoi “Tajms of Izrael”.

Berlin - Presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri britanik Kir Starmer nesër do të qëndrojnë në Berlin, ku do të takohen dhe do të bisedojnë me presidentin amerikan, Xho Bajden dhe kancelarin gjerman Olaf Sholc, njoftoi sot zëdhënësi i Qeverisë gjermane. Bajden prej sot është për vizitë në Gjermani, ku do të ketë takim të veçantë me Sholcin, njoftojnë mediat britanike.

Damask - Dy persona janë lënduar mëngjesin e sotëm në sulmin izraelit ndaj qytetit port sirian Latakia, në Detin Mesdhe. Mediat amerikane cituan armatën siriane, e cila njoftoi se në sulmin ndaj Latakias, që ndodhet rreth 100 kilometra në veri të kufirit libanez, është dëmtuar një pozicion ushtarak. Mediat siriane paraprakisht njoftuan se ka shpërthyer zjarr si pasojë e sulmit izraelit. 

Kiev - Forcat ruse gjatë natës së kaluar lëshuan 56 dronë në Ukrainë, duke synuar kryesisht infrastrukturën energjetike në rajonin jugor Mikollaev, deklaroi sot në mëngjes guvernatori rajonal Vitalij Kim. Kim në kanalin e tij Telegram deklaroi se nuk kishte viktima në sulmin e natës, por se disa klientë mbetën pa energji. Forcat Ajrore të Ukrainës precizuan se në sulmet janë goditur pesë objekte në rajonet afër vijës së frontit, transmetojnë mediat britanike.

Tel Aviv - Zyrtarët izraelitë kanë konfirmuar se kryeministri i vendit Benjamin Netanjahu ka miratuar të gjitha objektivat për sulmin e planifikuar hakmarrës izraelit ndaj Iranit, transmeton Ej-Bi-Si Njuz. Sipas burimit, Izraeli planifikon të përgjigjet në sulmin e Iranit të 1 tetorit, kur në drejtim të Izraelit u lëshuan më shumë se 200 projektila. Megjithatë, përfaqësuesi zyrtar, i cili foli në mënyrë anonime për "ABC News", nuk pranoi të zbulonte më shumë detaje rreth objektivave specifike dhe nuk do të komentonte nëse ato ishin objektiva ekskluzivisht ushtarake iraniane.

Uashington - Xhimi Karter, ish presidenti i gjallë më i vjetër i SHBA-së dhe i vetmi i cili e ka përjetuar ditëlindjen e 100-të, dje e dha votën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, në shtetin e tij amë, Xhorxhia. Sipas raporteve të shumë mediave amerikane, fletvotimi është lënë në një kuti postare në gjykatën në qytetin Amerikus, ndërsa këtë e ka konfirmuar Qendra Karter.

QËNDRONI TË LIDHUR